Këto dy fjalë më tha në telefon, një mësues që jeton në Atdhe. E kisha dëgjuar edhe më parë këtë dyfjalësh ose për të qënë më i saktë, fjalën “zotëri” në rasën thirrore.
Për një çast më bën të ndjehem mirë, se nuk kam qënë i mësuar në Shqipëri të më drejtoheshin me këtë fajalë nderuese. Kur pata arritur moshën e “zotnillikut” ishte ende Diktaturë dhe unë nuk kualifikohesha as për t’u thirrur “shoku Fistëk”, sepse isha një punonjës i thjeshtë në një ndërmarje gjithashtu të thjeshtë. Edhe në ndonjë mbledhje të rrallë në “Ministrinë e Tiranës”, kur më ishte kërkuar të flisja nuk më drejtohej njeri me “shoku”. Thjesht me emër ose “përfaqësuesi i Korçës”.
Këtu ku jetoj më drejtohen shpesh me “mister”, por nuk ka tingëllimin ofiqar, që ka fjala në shqip. Diçka më ndryshe kur më thonë “xhentëllmen”, por dhe atëhere nuk ndjehem i përshtatshëm dhe i pyes “ku e shikon xhentëllmenin ti?”
“O zotëri!” me theksim dhe zgjatje të i-së, që përdori mësuesi dhe e kam dëgjuar edhe nga ndonjë mësuese, nëpunëse apo funksionar i lartë në Korçë është qortues. Të bën të ndjehesh më i dhj...se në çastin e parë, kur i drejtohesh bashkëfolësit për t’i kërkuar diçka, ose për t’i kujtuar që disa ditë më parë të ka thënë të tjera gjëra.
Do isha ndjerë më mirë të ma tha thoshin “tullë“: “O koqe kandari!” se ashtu e dëgjoj thirrjen me zë të lartë dhe autoritar “O zotëri!” Të paktën, kështu nuk ndjehesh edhe i përçmuar edhe i tallur. Thjesht i përçmuar.
Ose kur të thonë: “Po jo mor zotëri!” dhe shtrembërojnë buzët dhe sytë dhe ti e kupton se jo vetëm e ke gabim, por dhe po i humb minuta të vyera bashkëfolësit ofiqmbajtës që ke para. Eshtë më “e nderçme” të të thonë: “Pa ik pirdhu që këtu se nuk ta kemi ngenë!” dhe të ta përplasin derën në surrat. Se ashtu fiton edhe të drejtën morale të shkallmosh derën dhe t’i sulesh nëpunësit të lidhur ngushtë me partinë në pushtet dhe që të ka përcjellë pa shumë ceremoni.
Por bashkëatdhetarët e mij nuk e humbin gjakftohtësinë dhe me mirësjellje (me zë të lartë) të thonë: “O zotëri!” ose “Po jo mor zotëri!” dhe ti çarmatosesh. Nuk ke më asnjë argument në favorin tënd. Tjetri të ka thirrur zotëri dhe edhe pse mund të jesh ndjerë si “m.. i shtypur” nuk ke asnjë të drejtë t’i kërkosh llogari se nuk të ka trajtuar si duhet. Të është drejtuar si dikush që ke vlera, prona dhe personalitet. Një zotëri.
(Diçka më e ngrohtë, që tregon edhe pak afinitet është shprehja që përdorin disa funksionarë, që kanë punuar edhe në Tiranë dhe të mohojnë kërkesën duke të thënë: “Po jo mor’ burr’ i dheut!” dhe kjo të bën të ndjehesh mirë edhe pse të çarmatos nga idea se mund të ankohesh më lart, në Ministrinë e Tiranës.)
Një shoku im, që gajaset kur lexon rreth temave të tilla të Mëmëdheut do tregonte ndonjë mesele të vjetër të sajuar me Tore By..., ku i famshmi homoseksual i viteve ‘70-’80 i Tiranës i drejtohej bashkëfolësit : ”O zotni ke nërmen’ apo jo se un’ vdiqa!”, por unë nuk gajasem aspak kur më thonë “O zotëri!”
Se veç zotëri nuk ndjehesh kur ta përplasin në fytyrë pushtetin e tyre disa ronxhobonxho dhe ronxhobonxheshka të zyrave të shumta të Institucioneve të Mëmëdheut të dashur.
No comments:
Post a Comment