Saturday, 21 March 2026

Unë jam...ai që “kam”


Sa herë afrohet vizita e rradhës në Atdhe, më kujtohet një monolog brilant i Roberto Beninit, që fliste për paraqitjen e Silvio Berluskonit para Zotit, kur Fuqiploti zbriste në tokë për të bërë Gjyqin e Fundit. Ndërsa Perëndia prezantohej si Jehovai (ai që jam), Berlu plot krenari i përgjigjej: “Unë jam ai që kam!”

Sigurisht që kjo “kujtesësjellje” e ka një arsye. Unë kam ikur më 1997, në një kohë që nuk ishin të shumtë “kamësit” dhe psikologjia e kohës së Diktaturës, kur të gjithë ishin njëlloj të varfër, nuk kishte ndryshuar diametralisht.

Veçançrisht gjatë vizitave në shekullin e XXI, kam ndjerë që nëse do të jesh më shumë një “çapaçul” në Mëmëdhe, duhet të kesh. Dhe jo vetëm një makinë, një apartament dhe një qen jo të racës, por shumë e shumë prona të palujtshme.

Pasi më takonin në qytetin e lindjes, të njohur “shumë“ dhe të njohur “pak” më pyesnin a e kisha shtëpinë dhe pas saj nëse e kisha ende apartamentin.Askujt nuk i binte ndërmend të më pyeste për dy bijat time dhe aq më pak se nëse kisha ndonjë nip a mbesë. Pas shumë “përvojash”, një ish-rektori i thashë që kisha dy fëmijë. Ish rektori finok më sqaroi se kjo ishte arsyeja që më pyeste për shtëpinë dhe apartamentin, se e dinte që kisha dy vajza dhe nëse do ikja shpejt nga kjo dynja, do kisha mundësi t’i lija sejcilës nga një pronë.

Shumë bashkëatdhetarë të tjerë, pasi renditin një numur pronash të palujtshme dhe planin për të blerë edhe një shitore, shtojnë: “Le t’ju mbeten fëmijëve!”

A është kjo dukuri e një populli varfanjak, që dikur nuk ngopej dot me mish dhe qumësht dhe që të kishte një shtëpi nuk e lejonte Partia e Punës nën udhëheqjen e lavdishme të shokut Enver?

Unë nuk jam në gjendje ta spjegoj, sepse më mungojnë aftësitë analitike si dhe të dhënat statistikore për numurin e popullsisë dhe numurin e pronave të palujtshme. Ndonjëherë dëgjoj që X-person ka mbi 80 apartamente, apo se një ish ministër ka katër vila, tre ullishte dhe dy restorante. Dhe këto janë ndër temat më të lakuara në kafenetë ku kam ndenjur për të pirë një kafe njëmijë lekshe.Disa numurojnë pronat e të tjerëve dhe të tjerë dëgjojnë dhe tundin kokën gjithë dëshpërim dhe më pas shtojnë: “Korrupsioni! Mos i gëzofshin!” dhe të tjera mallkime marroke si këto.

Të duket se je spektator i një gare të madhe, ku gjithkush përpiqet të ketë sa më shumë prona të palujtshme. Edhe pse për të arritur në krye të grupit vrapues duhet t’ja shesë shpirtin djallit.

Nuk di nëse në dasma dhe gëzime të tjera familjare, “kamësit” kanë tryeza më afër orkestrës dhe tryezës kryesore, por më është dukur, që vetë ata që “kanë“ ndjehen më të sigurt dhe nuk mënojnë të rrjeshtojnë pronat, veprat e artit që posedojnë dhe arkitektët që merren me dizajnin e interiereve të vilave dhe të apartamenteve të tyre.

Mua, që më ka mbetur sahati në kohën e Diktaturës, mendoj me kokëfortësi se me shumë nga këta “kamësit” nuk do merrja mundimin të rrija në një tryezë për të pirë kafe. (Kuptohet nëse “kamësit” do denjonin të uleshin në “sërën time”.) Kuptohet që nuk më mungon respekti për ata që “kanë“, por edhe shumë në “qese nuk më hyn” sepse nuk kam shpresë se do më falin ndonjë pronë nga ato që nuk “do ja u lenë fëmijëve”.

Pa dashur të bëj “moralistin” po ju kujtoj atyre që kanë ambicie “të kenë“ dhe që mendojnë se pas asaj “ kanë me u ba rehat”, në jetë nuk ndodh kështu. Sigurisht që është më mirë te kesh se të mos kesh. Shumë gjëra të bëhen më të thjeshta, por jeta nuk ka një ndryshim krejtësisht thelbësor. Sepse nëse “kamësit” vazhdojnë me garën permanente për të pasur sa më shumë, nuk do jenë kurrë të kënaqur dhe do humbasin shumë e shumë kënaqësi të vogla e të mëdha, që të ofron kjo jetë e mrekullueshme, por që për fat të keq është shumë e shkurtër.

Për më tepër, ato që “ke” nuk të ndryshojnë se cili apo cila “je”. Të gënjen mendja! Je e njëjta qënie me të mirat dhe të këqiat e saj në një qoshe të humbur (apo të gjendur) të Globit, ku më e shumta që mund të bësh është t’i mburresh fqinjit të varfër, se ke tre apartamente, dy vila në Lalëz dhe një restorant në Ksamil. Pastaj me zemër të dredhur do kujtohesh se janë vetëm 2 metra karre ato që do kesh në Përjetësi.

No comments:

Post a Comment