Gjithnjë kam ëndërruar të më ftojnë në një gala. Dhe është një dëshirë tepër kontradikore se nuk kam dëshirë të më ftojnë në dasma dhe as në darka ditlindjesh, Në kremtime përvjetorësh kombëtarë jo e jo dhe për seminare dhe mbledhje shkencore as që bëhet fjalë. Më kujtojnë shkollën!
Por në një gala jam i vdekur të shkoj!
Edhe pse emri në shqipen time dialektore nuk tingëllon mirë. Që në fëmijëri kisha një lloj bezdie nga galat se mbushnin plot e përplot çatinë e Pallati të Kulturës (sot Bashkia e Korçës) dhe nuk pushonin së krakarituri. Në tarracën e pallatit ku banoja uleshin gjithashtu shumë prej tyre dhe një djalë më i rritur se unë, i quajtur Përparim Veliaj ishte një kapës i habitshëm i tyre. Askush nuk e bënte dot atë që bënte Calka. Më pas i lyente me vajguri dhe ju vinte zjarrin. Nuk më dukej mizore se nuk i pëlqeja galat. Nuk di as ku është Calka tani.
Më pas, dëgjoja rrugëve edhe thirrjet e adoleshentëve “Stavri Gala”, që i drejtoheshin një mësuesi ezmer, që kishte probleme të shëndetit mendor. Më vonë, për arsye të pashpjegueshme filluan ta thërresin “Stavri Maçoku”! Edhe unë pata pjesën time në ngacmimet e Stavrit, por kur isha në Universitet isha më i pjekur dhe në një rast bëmë edhe një shëtitje me Stavrin përgjatë rrugës së Barikadave me një shokun tim. Kishte mbaruar shkollën e jezuitëve në Shkodër dhe kishte humor, por dukej që “trysnitë seksuale” e kishin bërë objekt të talljeve në qytet.
Sa larg shkova duke ndjekur galat!!
Të kthehem në galat e kohëve moderne, ku nuk më fton asnjë galist. (Mos e kam gabim këtë emërtim të organizatorëve të galave?!)
Këto dreka dhe darka festive që zhvillohen qyteteve të mëdha në botë (nuk kemi dëdgjuar të thonë - u mblodhën në galan e fshatit) janë përgjithësisht me një temë të caktuar. Ndahen çmime, promovohen ngjarje artistike, mblidhen fonde për palestinezët e vrarë apo për hapje pusesh uji në Afrikë etj., etj.
Suksesi i galas varet jo aq nga numuri i pjesëmarrjeve (sa më elitare aq më mirë), por nga mënyra se si organizohen, nga pijet që serviren dhe veçanërisht nga veshjet e të ftuarve. (Meseleja e qyrkut të Nastradinit ka lindur pikërisht në një gala në Buhara.)
Një miku im “gjinokastrit”, po që ka aksent veçanërisht tirons do më thotë: “Po ç’do mr dreq! Kush t’fto ty n’gala! As di me u vesh ene as galant nuk je!” Por unë do i përgjiegjem ashpër dhe me përbuzje: Unë vërtet nuk vishem mirë ditët e zakonshme , po po të më shohësh ndonjë foto si dasmor, do bindesh se sa galant jam!
Por le të përqëndrohem në galat, ku ndjej se duhet të më ftojnë dhe që do më pëlqente të më “bënin një teskere”!
E para dhe më e rëndësishmja është të që në ballë të ftesës të ketë “Vishu që të shkëlqesh!” Kjo heq çdo mundësi që një i ftuar të shkojë pa brekë, ose më keq akoma, krejtësisht cullak.
E dyta, të jetë në një lokal klasi, mundësisht me ornamente floriri, jo krejt si Mar a Lago, por diçka e ngjashme. Ku të ndjehesh për disa orë si Princi Ndreçkë ose si Sara, ish gruaja e tij.
E treta, të ketë muzikë dhe surpriza. Se ato të mbajnë të gjallë dhe të lumtur e njëkohësisht edhe të “pengojnë“ të kërcasësh dhe ikësh në mes të galas.
E katërta dhe më pak e rëndësishmja është Kauza.
Sa më kot të jetë Kauza aq më shumë dua të jem i ftuar. Sepse këto galat e çështjeve të mëdha, si Mbrojtja e Globit nga Vrima e Ozonit, Nxitja e Komunikimit të Njerëzve me Delfinët apo Lufta për Zhdukjen e Urisë në Etiopinë Juglindore, janë të tëra “pordhë me rigon”, ku njerëz të pasur apo që aspirojnë të arrijnë nivelin e të pasurve, “pispillosen” dhe mbajnë fjalë ku ju dridhet zëri, plot hipokrizi.
Ndoshta kjo është edhe arsyeja që askush nuk më fton në një gala.
Nuk ka nga ato që dua unë.
No comments:
Post a Comment