...
Tashmë frika kishte vdekur. Ai e pat ndjerë, që atë natë, kur televizioni kishte dhënë pamjet e rënda të trupave të ekzekutuara të Nikolae Causheskut dhe të shoqes. “Ju erdhi fundi edhe këtyre” ju pat thënë fëmijëve dhe nuk kishte ndenjur të dremiste para televizorit, si bënte thuajse çdo natë. Kishte shkuar në dhomën e tij dhe ishte shtrirë i lehtësuar në shtrat. Më pas kishte hapur Ungjillin e vogël në faqen ku shkruante -” I bekuar është ai që i reziston tundimeve, dhe duke e kaluar provën, Perëndia do i vendosë kurorën, që ju ka premtuar atyre që e duan. Xhejms 1.12” E kishte lexuar disa herë pa dashur të ngrinte zërin. Duke i mbajtur sytë lart dhe duke falenderuar të Gjithëfuqishmin. Në dhomën ngjitur dëgjoheshin të qarat e nipit njëvjeçar. Në një natë tjetër, shumë vite më parë, do i kishte ngritur të gjithë të festonin deri sa të vinte mëngjesi, por tashmë nuk ishte më i ri dhe e dinte që duhet të prisnin edhe disa muaj. Liria kishte për të ardhur, por fëmijët duhet të kishin ende durim. Mund të zhgënjeheshin lehtë. Le të festonin bashkë atë Vit të Ri që po vinte dhe që shpresonte të ishte viti “pa komisarë“.
Ngjarjet që rrodhën gjatë viti 1990, ishin sa shpresëndjellëse dhe aq dëshpëruese. I shihte lëkundjet në sjelljet e fëmijëve, por vetë e kishte bindjen e patundur se ishte viti i fundit i të Pasmes dhe e Ardhmja do ishte shumë më e ndryshme. Edhe pse për atë do ishte e vonuar.
Në vjeshtë, në qytet kishin ardhur shumë artistë të rinj. Organizohej një Konferencë e Talenteve të reja dhe ndonëse nuk kishte moshatarë të tij në të, kishte të njohur që vinin nga Tirana. Pat shkuar në studion e Ladi Topit, ku vinin edhe të tjerë artistë, që bisedonin pa frikë, se sa të numuruara ishin ditët e Diktaturës. Atje tregonin se disa nga të rinjtë ishin ngritur hapur për të kërkuar më shumë liri krijimi dhe të drejta qytetare si në të gjithë botën. Kishte dhe nga ata, që hapur kishin thënë se gjendja ekonomike ishte e padurueshme, se si mund të priste Lidhja e Shkrimtarëve prej tyre të krijonin, kur nuk mund të gjenin as mish dhe as bulmet të hanin. Tregonin se Dritëroi i ishte përgjigjur një poeti të ri, se derrat duan të ushqehen mirë, kurse artistët nuk kanë nevojë të jenë me barkun e ngopur kur krijojnë. Madje, kishte shtuar, se veprat më të mira të artit botëror ishin krijuar nga të rinj bohemë, që kishin luftuar me jetën e përditshme. “E ka ndritur devolliu tënd”- i kishte thënë me sarkazëm Dhimitraqi, një piktori që shpesh tregonte histori nga takimet me Kryetarin e Lidhjes. Të tjerët kishin qeshur me të madhe. Dritëro Agolli tashmë kishte mbetur në anën e errët të Diktaturës, në ndryshim nga Kadareja, që kishte ikur në Paris në shënjë proteste disa javë më parë.
Kolevica e kishte pritur me gëzim ikjen e poetit të madh, edhe pse kishte qënë gjithnjë i zhgënjyer nga veprat e tij. E mendonte se me talentin që kishte , mund të kishte thënë më shumë të vërteta, sidomos pas vdekjes së Enver Hoxhës, kur terrori ishte ulur ndjeshëm. Por gjirokastriti më i famshëm i vendit, pas Enver Hoxhës, pat zgjedhur një “kundërshtim” të ngadalshëm, të zbehtë, që nuk i pat cënuar kurrë privilegjet që gëzonte nën Diktaturë. Nuk i kishte blerë më veprat e tij. I dukej se më shumë se ju hapnin sytë të rinjve, i helmonin. Shumë pak kishte ndryshuar në qasjen ndaj komunizmit, që prej kohës kur shkruante “Përse mendohen këto male” apo “Shqiponjat fluturojnë lart”. Por të paktën kishte ikur dhe e kishte denoncuar Diktaturën, të cilës i kishte thurrur lavde, si për t’i dhënë shkelmin e fundit një “kollosi të kalbur”, që çuditërisht qëndronte ende më këmbë. Devolliu ndoshta ishte ende nën avujt e alkolit dhe ose nuk shihte më se ç’ndodhte në botë, ose nuk i pëlqente të zgjohej nga ajo topitje e ëmbël, që e mbante ende presidiumeve.
Por nuk kishte më rëndësi. Gjërat rrokulliseshin gjithnjë dhe më shpejt. Pas disa javësh filluan protestat e studentëve dhe e kuptoi që ishte fundi i palvdishëm i “komisarëve kokëboshë“. U lejuan të formoheshin parti të tjera dhe ai nuk ngurroi të hynte në të posakrijuarën antikomuniste. Zbriti bashkë me Vasin atë të djelë të ftohtë dhjetori, kur u mbajt mitingu i parë i Partisë Demokratike në sheshi para stadiumit. Panë që pjesa më e madhe e Korçës e kishte mposhtur frikën. Nuk ishin vetëm ata që kishin vuajtur më shumë persekutimet. Ishin thuajse të gjithë. Njerëz që kishin patur gjithnjë sytë nga Amerika, ku kishin të afërmit, komunistë të përjashtuar nga partia ose të zhgënjyer thellësisht që kishin flakur teserat atë vit, artistë dhe letrarë, fshatarë me fytyrat e vrara nga dielli dhe e pangrëna. Njerëz që mezi kishin pritur të jetonin edhe një ditë të vetme pa frikën se dikush, pranë tyre, do i kallzonte në Degën e Punëve të Brendëshme. Ishte një eksitim i pashembullt i turmës, që për herë të parë dëgjonte të thuheshin fjalë të rënda për “idhujt” e deriatëhershëm. Shikonte me bisht të syrit të birin dhe i dukej se nga çasti në çast ai do ngjitej në tribunë dhe do ju bënte thirrje të pranishmëve të shkonin dhe të merrnin ndërtesat qeveritare. Megjithse i papërmbajtur në dukje, Vasi dëgjonte me duart e ngjeshura në xhepat e xhakaventos dhe me sy që i shkëlqenin nga gëzimi dhe lotët.
...
No comments:
Post a Comment