Monday, 9 March 2026

“Gruaja e hekurt e Korçës” (Portret i pa autorizuar)


Ajo ishte e gjatë. Tepër e gjatë. Ndaj dhe të gjithë në gjimnaz e quanim Ana e Gjatë. Edhe pse nuk kishte asnjë Ana tjetër në të gjithë klasat që filluan të mesmen në vitin 1974. Ndoshta e kishim shtuar cilësorin “ e gjatë“ për të mos e ngatërruar me Ana Kareninan. Nuk jap dot shpjegim tjetër të logjikshëm pas 52 vjetëve.

Megjithçëse ishte tepër e gjatë nuk luante ndonjë sport. Atëhere, mësuesit e fiskulturës që ishin edhe trajnerë të lojrave me dorë në qytet, me siguri kanë kërkuar të aktivizohej, por për arsyet që ajo i di, Ana nuk kishte nisur karrierën të bëhej yll i Skënderbeut në volejboll apo basketboll.

Ne ishim në klasa paralele dhe në 8-vjeçare nuk di se ku kishte mësuar Ana, por që e kisha parë në Korçë, për këtë jam i sigurt, se nuk mund të mos të binte në sy një vajzë aq e gjatë dhe plot hire.

Jo vetëm ishte e gjatë dhe plot hire, por gjithashtu e dashur me popullin dhe e rreptë me armikun. Këto ishin cilësi që të gjithëve na i kishin brumosur materialet e Partisë dhe veprat e sho Enver, por jo të gjithë nxënë njëlloj. Po njëlloj si unë, edhe Ana e kishte këtë cilësinë dashuri – rreptësi.

Nuk dija edhe ndonjë hollësi për të , si mbarëvajtja në mësime, prirjet muzikore apo letrare, sepse kur je në klasa të ndryshme, nuk di shumë se ç’ndodh me bashkënxënësit e klasave paralele. Ndoshta nga që ishte edhe tepër e gjatë nuk luante në teatrin e shkollës, se në gjithë dramaturgjinë botërore nuk para ka role për gra shumë të gjata. Se ta zemë se shkolla do vinte në skenë “Otellon” e Shqkspirit dhe Anas t’i besonin Desdemonën, do duhej një aktor trupmadh sa Muhamed Ali për të luajtur Otellon.

Për të mos u zgjatur shumë me vitet e gjimnazet, se janë vite formimi, por nuk përcaktojnë karrierën, dua të them se Ana ishte aq e mirë me mua dhe shokët e mij, sa na ftoi në maturë në ditlindjen e saj. Nuk kujtoj se ç’i shpumë për peshqesh, por mbetëm të befasuar, se në shtëpinë e saj kishte vetëm shoqe të klasës dhe asnjë shok. Tre “gollozdrumët” ishim ne të maturës A. Pasidtja ishte e paharrueshme edhe pse nuk kujtoj nëse kishte kërcime nga ato “bark më bark” apo vetëm biseda intelektuale dhe me humor.

Se humori ka qënë karakteristika kryesore e Ana Zhurit që kam njohur unë ndaj jam befasuar që në Korçë, gjatë shekullit XXI e kanë njohur si “Zonja e Hekurt”. Në gjimnaz nuk e kemi shkuar kurrë në mendje ta quanim Ana e Hekurt, ndoshta edhe nga një ndjenjë frike, se mendo ç’tronditje të krijon një shufër aq e gjatë hekuri.

Por ndoshta që kur ka ndërruar mbiemrin (nga Zhuri në Vërushi) ka dalë më shumë në pah cilësia e Rreptësisë, të cilën ajo e kishte që në kohët e shkollës së mesme dhe që unë e preka më lart. Sepse edhe në Universitet, më kujtohet që diçka bënte si potere korridoreve të konvikteve duke hedhur legenë metalikë, por gjithnjë i kam parë me syrin, që kishte një ndjenjë të zhvilluar humori. (Aq të zhvilluar e kishte humorin, sa na vinte zor të theshim është nga Korça, se nuk ka pasur kurrë qyteti humoriste me atë shtat. Edhe një e gjatë që luajti ca kohë në Estradën e Korçës, ishte me origjinë nga Mirdita dhe nga talenti ngjante me Roza Xhuxhon.)

Por për tu kthyer në karrierën e saj korçare (unë kam pasur fare pak kontakte, se kur isha në Shqipëri Ana ishte në Gramsh dhe sa ika unë në Kanada ajo erdhi në Korçë) di që mbuloi disa sektorë të administratës. Madje një herë edhe e kritikova për qëndrimin ndaj vetvrasjes së një nëpunëseje, kur Ana ishte vartëse e kufomës Erion Veliaj, por kritika ime pat qënë plotësisht e pabazuar. Askush nuk duhet të vrasë veten nëse eprori është i Hekurt.

Unë jam krenar që kam qënë shok gjimnazi i Zonjës së Hekurt të Korçës!

Madje me këtë rast edhe i kërkoj ndjesë për ndonjë kritikë apo shaka pa kripë, nga ato që i bëj shpesh, edhe ndaj të tjerëve, sepse nuk e përdor fare klorurin e natriumit, nga që kam probleme me tansionin.

Kam edhe një kujtim të paharruar me të , në Mbrëmjen e Maturës, kur kemi dalë duke kërcyer “bark më bark” sepse ndonëse ishte një kokë më e gjatë se unë, duke qënë e dashur me popullin, Ana nuk e refuzonte asnjë kërkesë për kërcim.

Ja kështu kanë ikur vitet dhe ne kemi nxjerrë në pah cilësitë më të mira ose më të këqijat që kemi pasur.

Për vete dyshoj se pa dashje kam treguar këto të fundit, ndërsa Ana e Gjatë, jo vetëm mbeti e gjatë, por u kthye edhe e hekurt.

Tamam si Margaret Theçer!

No comments:

Post a Comment