(vijim)
Nga ana tjetër Kominternit as i binte ndërmend se kishte Shqipëri dhe në kishte apo jo lëvizje komuniste.
Por tepër e zbehtë ishte edhe lëvizja nacionaliste në Shqipëri. Atdhetarët ndaheshin mes atyre që kishin marrë poste në administratën e kontrolluar nga Jakomoni nëata që ishin antiitalianë, por nuk dinin se drejt kujt të kthenin sytë dhe në ata, që e gjykonin se hyrja e Italisë ishte e mirë për bashkimin me Kosovën dhe Camërinë.
Dihet që Enver Hoxha nuk hyri në të parët, por nuk duket të ketë dëshmi nëse hynte në dy grupet e tjerë. A ishte ky oportunist par excellence duke pritur nga do “frynin erërat” dhe të shihte se si mund të ngjiste shkallët në një pushtet të mbështetur në njërin nga krahët e Luftës? Apo kishte një shikim kristal dhe parashikues të zhvillimeve në të ardhmen dhe po rrjeshtohej në krahun e ekstremit të Majtë, duke parë të ardhmen e Ballkanit tek Bashkimi Sovjetik i Stalinit?
Që nuk kishte qënë kurrë komunist deri në atë kohë kjo është e provuar sot katërcipërisht. Komunistët (dhe jo vetëm ata) europianë kishin shkuar të luftonin në Spanjë, kur “zhigoloja” gjirokastrit gdhihej buduarëve të Brukselit dhe gjoja lexonte literaturë marksiste në zyrën e konsullatës shqiptare.
Por edhe teza se Enveri, “i brymosur” me idetë komuniste, ju bashkua aty në prag të luftës Grupit Komunist të Korçës nuk është mbështetur nga asnjë komunist i asaj kohe. Ai vetë flet për bisedat e zjarrta me Koci Bakon, një dyqanxhi i thjeshtë i një kafeneje në Mitropolia dhe me Sotir Gurrën, që punonte roje në fabrikën e STIK-ut dhe që nuk dinte nga binte komunizmi edhe pse ishte anëtar i Grupit Komunist. Të dy të përmendurit rranë gjatë luftës dhe me të drejtë janë shpallur dëshmorë, por kjo ishte një arsye më shumë që Enveri mund të tregonte për “bisedat” me ta. Të dy kishin vdekur dhe nuk mund të theshin të kundërtën.
As anëtarët e “Rinia Korçare” një organizatë e majtë legale me lidhje me Grupin Komunist nuk e kanë përmendur si anëtar aktiv të tyre. Edhe pse nuk ishin të gjithë komunistë (dhe as dinin se ç’ishte komunizmi i Marksit”) më të shumtit e tyre kishin vendosur mos shkonin në kishë, të mos bënin ceremoni fetare për martesë dhe të mos i pagëzonin fëmijët. Të pakët ishin ata që e mbajtën premtimin. Një foto e një veprimtarie të kësaj organizate, ku në një kënd duket edhe “profesori” ka qënë stërpërdorur nga propaganda e kohës së Diktaturës për ta paraqitur Enverin si komunist. Dëshmitarët e asaj mbrëmjeje, edhe kur ishte Enveri gjallë, theshin që e kishin thirrur ata të vinte në atë mbrëmje me muzikë dhe vallëzim.
Ndërsa mundohem të “ndjek” rrugën e tij deri në mbledhja “e famshme “ kur sipas Kadaresë “Jashtë era gjëmonte/Jashtë gjethet binin”, ka një moment të rëndësishëm, që është demonstrata e 28 Nëntorit e vitit 1939 në Tiranë. Propaganda komuniste ka vënë gjithnjë në qëndër të asaj Demonstrate Enver Hoxhën, i cili edhe mund të ketë qënë i pranishëm. Madje Ramiz Alia, asokohe nxënës në gjimnazin e Tiranës tregon se atje e ka parë për herë të parë Enverin dhe i ka bërë përshtypje përplasja e tij trupore me karabinierët. Duhet që në fillim të ndajmë një demonstratë kombëtare me një demonstratë antifashiste. Një demonstratë e tillë mund dhe do bëhej kundër çdo pushtuesi të huaj. Nuk kishte aspak karakter ideologjik si e kanë quajtur qëllimisht fituesit e Luftës të kryesuar nga Enveri. Si e përmenda më lart, nuk kishte se si të organizohej nga komunistët, se ata vetë nuk kishin idenë se ç’duhej bërë kundër italianëve deri në verën e largët të vitit 1941. Gjithashtu fakt është që protesta që pat zënë fill në varri i Naim Frashërit ishte organizuar nga tiranas patriotë, emrat e të cilëve janë në raportet e SIM-it.
Po përse kishte shkuar ish-profesori i Liceut në atë protestë kundër flamurit kombëtar me sëpatat e Liktorit? I shtyrë nga ndjenja patriotike? Kishte kureshtje? Ishte i shtyrë nga motive të tjera?
Unë e ve në dyshim që një njeri si ai, që bënte çdo gjë të llogaritur, i është bashkuar nxënësve (ata ishin më të shumtët mes rreth 200 pjesëmarrësve) për motive patriotike. Nuk është krejtësisht e pamundur, që donte “ta promovonte” veten si anti-italian. Po i shtyrë nga kush?
E megjithatë me supozime nuk duhet akuzuar askush, edhe sikur filli i llogjikës të një supozimi të jetë thuajse i përkryer.
Le të mendojmë se Enver Hoxha ishte i revoltuar me pushtuesit për shkak të humbjes së rrogës dhe të statusit të një mësuesi të nderuar gjimnazi. Gjithashtu për arsye atdhetare ai nuk donte të kërkonte ndihmën e Bahri Omarit dhe të hynte në Partinë Fashiste për të zënë një vend si mësues. (Komunistjae ardhshme dhe shoqja e tij e jetës, Nexhmije Xhunglini e pat bërë këtë në vitin 1940) Eshtë përsëri e pakuptueshme që një burrë që po bëhet 32 vjet dhe ka edhe një familje mbi shpinë, t’i rezistojë këtij tundimi. Për më tepër një oportunist gjirokastrit. (Një tjetër eksponent i mëvonshëm komunist, Bedri Spahiu pat punuar si oficer në ushtrinë shqiptare të komanduar nga italianët dhe nëpunës në Gjirokastër. Anëtar i Partisë Fashiste) Komunisti “potencial” i Hoxhatëve rrinte me një rrogë të vogël dhe shiste cigare dhe ndonjë gotë vermuth në dyqanin “Flora” të Esat Dishnicës?!
Por jeta na ka mësyuar se çdo gjë është e mundur dhe Enveri “ynë“ zgjodhi sakrificat për tu kalitur sa më mirë në luftën kundër nazi-fashizmit?! Se me se u mor Enver Hoxha gjatë periudhës vjeshtë 1939 deri në qershorin e vitit 194i, nuk përmendej në ‘materialet e Partisë dhe veprat e shokut Enver”. Thuajse dy vjet nuk janë pak në një kohë lufte, kur gjithshka po kthehej përmbys në Europë. Gjermanët kishin nënshtruar të gjithë Europën Perëndimore dhe dukej se edhe Ishulli Britanik nuk do e kishte të gjatë.
Në Shqipëri gjithshka ishte “pallë ariu” edhe pse kudo gjëmonnin topat dhe bombardonin aeroplanët. Shqiptarët po “korrnin frytet” e dislokimit të një ushtrie tepër të madhe italiane në vend, e cila për qëllime ushtarake po ndërtonte rrugë, objekte ushtarake dhe civile. Të gjithë po merrnin nga një pjesë të madhe apo të vogël, nga “lakrori” ekonomik që kishin shtruar për qëllimet e tyre fashistët e Duçes. Kishte atdhetarë të krisur që protestonin apo kryenin akte të krisura, si Vasil Laçi, Petraq Pepoja, Kryezinjtë, Zai Fundo e të tjerë, por nuk përbënin ndonjë kërcënim serioz për pushtuesit. Ekzekutoheshin, burgoseshin ose internoheshin.
Nuk kishte asnjë lëvizje të organizuar të armatosur ose jo kundër italianëve.
Në tetor të vitit 1940, pas shumë përgatitjesh dhe provokimesh, Italia e Duçes sulmoi Greqinë. Shqiptarët nuk kishin ndonjë interes të dukshëm në këtë luftë, por ishin në anën e italianëve, Camëria kishte qënë gjithnjë një nga aspiratat e atdhetarëve dhe në një kohë që të gjithë kufijtë në Europë ishin të paqëndrueshëm, me të drejtë mendonin se po vinte një kohë e mirë për Kombin. E megjithatë, batalionet me shqiptarë të inkuadruar në ushtrinë italiane nuk dëshmuan “heroizëm apo trimëri” në luftën kundër ushtrisë së vendit fqinjë. Si tregonin disa pjesëmarrës të batalioneve (jo vullnetarë) “grekët na vunë para dhe përfunduam nga Përmeti në Shijak!”
Për të balancuar humbjet e Boshtit në “teatrin ballkanik” Hitleri vendosi të sulmojë Jugosllavinë në pranverën e vitit 1941 dhe bashkë me Italinë dhe Hungarinë i shpallën luftë Mbretërisë të Sllavëve të Jugut. Kjo solli shumë ndryshime në gjendjen e forcave në Shqipëri. Anglia, që deri atë kohë e kishte konsideruar çështjen Shqiptare “jo ekzistente” filloi të interesohej për të krijuar në vend një rezistencë të mundshme ndaj italianëve.
(vijon)
No comments:
Post a Comment