Friday, 6 March 2026

Shtojcë për shkrimin “5 mars 2026”


Nuk kisha 5 minuta që kisha postuar shkrimin kushtuar Stalinit dhe Dhokes, kur një shok më telefonoi nga Tirana. “Naumaqi si je?” – më tha dhe menjëherë u ndjeva sikur të isha në kryesinë e partisë të minoritarëve të shumëvuajtur dhe punëtorë.

Do të pyesja kush është Dhokeja” më tha dhe unë i shpjegova se bëhej fjalë për mësuesin tonë të nderuar Dhori Kotmilo. Për atë mendova dhe unë tha, por mu duk çudi që e quaje Dhoke. Edhe si portretizim i ishe larguar shumë. Sipas tij Dhori pat qënë tepër tolerant dhe tifoz i madh sporti. Madje përmendi edhe një ngjarje, që ai na kishte lënë të lirë, se donte të shikonte lojërat olimpike. Unë këtë të olimpikeve nuk e kujtoja, por duke shfletuar “ditarin” gjeta që kishte pasur Lojëra Olimpike në Montreal më 1976, që përkon me vitet tona të gjimnazit. Me ndryshimin e vogël, që lojërat ishin zhvilluar gjatë muajve të verës dhe mësuesi jonë sportdashës nuk mund të na kishte lënë në liri se ishim me pushime.

Por jam i sigurt që me të mund të kemi diskutuar më vonë fitoret e sovjetikëve në atletikë, boks dhe ngritje peshash se ai ishte i bindur që vetëm nën sistemin socialist sporti mund të arrinte nivelet më të larta. Përmendte edhe arritjet e RDGJ-së, që në krahasim me ato të RFGJ-së ishin krejtësisht të dukshme. Dhe krahasim më i qartë i sistemeve nuk mund të bëhej.

Në ditar madje gjeta edhe një shënim tjetër, që më bindi se shoku i Tiranës kishte të drejtë dhe Kotmiloja nuk kishte qënë aspak stalinist, si e përshkruaja unë pa ndonjë paragjykim të dukshëm në shkrimin e mëparshëm. Në një “dislokim” natën në Kodrën e Belvederes (pikërisht atje ku po ndërtohet lagjeja e Zengjinëve e Zamirit të Bitijes) Dhokeja i veshur ushtarak me një fije të gjatë bari në gojë, rrinte në një llogore me mua dhe Fredi Karanxhën. Kishte një tolerancë për të pasur zili. Dy vite më parë, Fredin e kishte mbetur në vjeshtë në ushtarake, sepse ky i fundit nuk dinte të përdorte mirë kundragazin dhe gjatë atij marshimi “nokturn” jo vetëm që i fliste me dashurinë e një prindi, por i tregonte edhe detaje intime nga jeta e mësuesve tanë, kur Berti Morcka kishte ngrënë një kosh me dardha që treteshin në gojë.

Një tjetër argument në favor të tolerancës polivalente të Dhorit është edhe fakti, që ndonëse pa ndonjë prirje të veçantë muzikore, ai nuk na pengonte që të këndonim këngë “civile” gjatë përgatitjes politiko-luftarake, këngë që nuk përkonin me vrullin revolucionar që kërkonte Partia nga ne. Vetë mësuesi na kërkonte ndonjëherë vetëm: “Cunnna! Merrjani një herë asaj Linka Kalinka...”.

Ndaj, për lexuesit e mij të rregullt, që shpesh herë ndikohen nga qëndrimet e mija luftarake dhe bardh e zi, duhet të sqaroj, që vërtet nuk do e kem të lehtë, që në 5 mars 2027, të mos e kujtoj mësuesin tim Kotmilo, por duhet të jem i drejtë. Do më duhet pas një viti të shtoj, që në Korçë nuk ishte vetëm Dhokeja “tifoz” me sovjetikët. Shembull i shkëlqyer ishte Maqo Mëndja në trikotazh, që theshte që bluzat me CCCP (Bashkimi i Republikave Socialiste Sovjetike) kanë peshë më të madhe se të gjitha bluzat e tjera sportive. Ose gjatë konfliktit me Afganistanin , kur në Zëri i Popullit botohej ndonjë foto e muhaxhedinëve mbi tanket ruse, i bindur theshte, se tankistët sovjetikë kishin hyrë në pijetore për të rrëkëllyer ndonjë vodkë dhe “luftëtarët e lirsë“ përfitonin nga rasti dhe hipnin mbi tank dhe bënin foto. Nuk di që mësuesi jonë të ketë qënë mbështetës i kësaj teorie.

Për t’i uruar vite sa më të gjata në jetën e lumtur në plazhet e Gjirit të Amerikës (ai do kishte përzgjedhur Soçin, por nuk ka llotari emigrimi ruse) do e mbyll me një fjali që mund të duket si e dalë nga goja e mësuesit tonë të dashur dhe të përkushtuar:

- Ore Maraaaa..nuk hoqe dddorë nga këto të tallurat bbbajate?!

Dhe kjo më çarmatos krejtësisht, sepse nuk kam më se ç’të shtoj në portretizimin dashamirokeq të njërit prej mësuesve të gjimnazit, që na i ka bërë ato vite më të bukura dhe më të paharrueshme.


No comments:

Post a Comment