(vijim)
Deri në fillimin e Luftës së Dytë Botërore, Britania e Madhe ishte fuqia më e madhe ekonomike dhe ushtarake në botë. Gjithashtu kishte shërbimin inteligjent (spiunazh dhe kundërspiunazh) më të gjërin dhe më të mirin në botë. Të gjithë të tjerët (Gjermani, Francë, Bashkimi Sovjetik dhe Italia) ishin shumë më të dobët se anglezët dhe amerikanët huajse nuk kishin rrejt të shërbimit inteligjent në Europë.
Degët e Ballkanit dhe të Lindjes së Mesme të shërbimeve angleze angleze, kishin treguar interes për Shqipërinë që në kohën e Perandorisë Otomane, por një interesim për sa vlente një krahinë e madhe me 2-3 milion banorë. Për më tepër e pasigurt nëse do i lejohej një shtet i pavarur apo jo.
Me formimin e shtetit shqiptar pas Luftës së Parë, anglezët nuk e humbën interesimin, por gjithnjë e më tepër e qauanin çështjen shqiptare, si një gjë të lënë nën kujdesin e italianëve ndaj dhe kur Italia hyri në Tiranë në javën e parë të Prillit, Kryeministi Cambërlen “shkoi për peshk”. (Njihet deklarata e tij e stërpërdorur nga komunistët.)
Në pranverën e vitit 1941, armiku kryesor i Britanisë së Madhe ishte Gjermania e Hitlerit (jo Boshti). Curçilli mbante kanale komunikimi me Duçen dhe e dinte që rrezikun nuk i vinte nga “8 milion bajonetat italiane.” Por hyrja e ushtrisë hitleriane në Ballkan, komplikonte të gjithë situatën luftarake në Mesdhe, ndaj atyre ju duheshin forca vendase të luftonin në prapavijat e ushtrive të Boshtit. Këtu ngjallet interesi i tyre për një organizim të mundshëm të formacioneve të armatosura (paramilitare) në Shqipëri dhe që sipas informacioneve që kishin u drejtuan ndaj Kryezinjve, Myslym Pezës, Bazit të Canes dhe Haxhi Lleshit.
Cetat e para shqiptare kundër Italisë u financuan nga anglezët!
Dy muaj më vonë se nënshtrimi i Jugosllavisë dhe Greqisë, Hitleri nisi sulmin ndaj Bashkimit Sovjetik, që solli ndryshime rrënjësore në të gjithë hartën politike-ushtarake të Europës.
Tashmë për komunistët kudo që ndodheshin, nuk kishte më Luftë midis fuqive imperialiste, por një domosdoshmëri për një luftë antifashiste dhe njëkohësisht edhe patriotike.
Këto ishin edhe direktivat e Kominternit për të gjitha Partitë Komuniste Europiane. U rikthye idea e Fronteve Popullore, e cila ishte braktisur pas Paktit Molotov-Ribentrop.
Sigurisht që në Shqipëri nuk mund të mbërrinte direktiva e Kominternit, sepse nuk kishte Parti Komuniste dhe as lidhje me Qëndrën.
Kjo situatë europiane përkon me daljen nga burgu të Millan Popoviçit, lidhjen e disa përfaqësuesve komunistë shqiptarë me Partinë Komuniste Jugosllave dhe finalizimi i përpjekjeve më të hershme për të bashkuar grupet “torollake” komuniste që nuk bashkoheshin dot në vite. Në këtë hapje ndikoi edhe krijimi i Shqipërisë së Madhe nga hyrja e ushtrisë italiane në jug të Jugosllavisë dhe në verilindje të saj.
Qeveria “kuislinge” shqiptare e shtriu territorin e saj administrativ në zonat ku jetonin shqiptarët dhe dhjetra mësues nga Shqipëria filluan të punonin në qytetet dhe fshatrat shqiptare jashtë kufijve të vitit 1913.
Sigurisht që kjo frenonte nacionalistët. të cilët e shihnin të ngazëllyer këtë ëndërr të vjetër të Shqiptarisë. Nuk mund të shtonin në masë rradhët e formacioneve luftarake antifashiste. Por këtë gjë nuk e bënë as komunistët, sepse ishin ende të pakët dhe të paorganizuar. Pas verës së vitit 1942 fillon përfshirja e tyre në çetat antifashiste.
Le të kthehemi tek “personazhi” i jonë në prag të mbledhjes së bashkimit të Grupeve komuniste. Unë nuk i besoj tezës se “Koço Tashkoja e takoi rastësisht në Tiranë në nëntor 1941 dhe meqë një anëtar i Grupit Komunist të Korçës nuk ishte atë ditë i tha Enver Hoxhës – Hajde ti!”
Po ç’kishte bërë ky 32 vjeçar gjatë gjithë vitit 1940. Po mendonte se si të hidhte themelet e Shqipërisë së Re? Po konsolidonte lidhjet me forcat antifashiste? Po studionte literaturë marksiste?
Sigurisht që ka qënë i vëmendshëm ndaj zhvillimeve në Europë dhe mund edhe të mendonte se kur ishte momenti më i përshtatshëm për të hyrë në lëmin e politikës. Diskutimet për Politikën e Madhe në kafene kanë qënë karakteristikë e vendeve ballkanike, veçanërisht e Greqisë dhe Shqipërisë. Këtë bënin nëpër kafenetë e Romës, Parisit dhe Gjenevës edhe shumë patriotë shqiptarë të majtë dhe të djathtë në kohën e Zogut. Por të paktën, një pjesë e tyre shkruanin nëpër gazeta. Firma e Enver Hoxhës nuk është kërkund në asnjë botim të vendit dhe të huaj. Megjithëse pas Clirimit e qojtën si Gazetarin nr 1 të Shqipërisë.
Por edhe faktet e mësipërme nuk mund të vërtetojnë gjë se ka patur diçka “të dyshimtë“, “të nëndheshme” në futjen e tij në jetën politike dhe të shpërthimit të tij të mëvonshëm.
Të krijohet përshtypja se të gjithë planetet dhe yjet e tij ishin vendosur në një vijë dhe të tilla ndenjën për të paktën 15 vjet.
Unë dua të përjashtoj mundësinë që “Enveri ynë“ t’ju ketë shërbyer anglezëve, francezëve, jugosllavëe apo grekëve. Për shkak të mosnjohjes së anglishtes nuk mund të kishte lidhje me anglezët, francezët kanë qënë shumë pak të interesuar për Shqipërinë dhe grekët të varfër për të rekrutuar shumë shqiptarë jogreqishtfolës. Gjithashtu përjashtoj mundësinë që Hoxha të ketë punuar për francezët dhe nëpërmjet tyre të jetë lidhur me Jugosllavët. Lidhja që e konsolidoi atë në krye të PKSH ishte me Partinë e Titos dhe jo me Mbretërinë Jugosllave.
Këto përjashtime më shpien në “nguljen këmbë“ se ngjitja e tij e rrufeshme ka pasur një shtytje nga jashtë rretheve komuniste dhe mund të ketë qënë nga ata që kontrollonin Shqipërinë e asaj kohe, fashistët italianë.
Shtytja nuk do të thotë që italianët kontrollonin grupet komuniste, por ata e motivonin financiarisht “burrin e zgjuar dhe dembel” të penetronte rrethet e majta për të pasur një ide se ç’ndodhte brenda kundërshtarëve të fashizmit në Shqipëri. Një burrë i ri, i shkolluar dhe i paraqitshëm dhe pa ndonjë busull morale të fortë, është gjithnjë një kandidat i shkëlqyer për çdo lloj shërbimi sekret të ]do kohe. Ndaj në peirudhën për të cilën po flasim, Enveri duhet t’i ketë shtuar lidhjet me komunistët e Korçës dhe mund të jetë bërë edhe anëtar i Grupit komunist. Një “komunist” më i zgjuar dhe më i rrahur me vaj e me uthull se shumica dërmuese e komunistëve të Korçës, Shkodrës dhe gjithë Shqipërisë marrë së bashku.
Ndaj nuk është rastësi, që ai jo vetëm merr pjesë në Mbledhjen Themeluese, por edhe tërheq vëmendjen e Millan Popoviçit dhe Dushan Mugoshës. Pjesëmarrësit e tjerë janë edhe më pak inteligjentë se ai dhe më pak të paraqitshëm. Mund të bënte përjashtim Koço Tashkoja, që kishte mbaruar në Harvard, por për një “lider”, ata që kanë përvojë në këso punësh, shohin edhe cilësi të tjera. Enver Hoxha ishte i matur kur fliste dhe dinte të përshtatej. Ishte dhe në në moshë shumë të përshtatshme si dhe i përkiste fesë që mbizotëronte në popullsinë shqiptare. Tuku, Vasili, Qemali, Anastasi, Koçi, Sadiku, ishin larg figurës së kompletuar të “profesorit”.
Nga sa kam rrjeshtuar më sipër, në favor të “tezës së agjentit” unë kam vënë vetëm motivin financiar. E them që në atë kohë, ky mund të ketë qënë i vetmi motivim dhe “mbajtja e marëdhënieve të mira me italianët”, sepse në vitin 1941 askush në Europë (jo Enveri me shokë) nuk mund të shihte një fund të Luftës me fitoren e Aleatëve. Amerika ishte larg hyrjes në Luftë; gjermanët e kishin shpartalluar ushtrinë sovjetike dhe ishin në dyert e Moskës; në krah të Boshtit ishin Austria, Spanja, Hungaria, Rumania, Bullgaria dhe të gjitha qeveritë në vendet e pushtuara nga gjermanët. Dukej se harta e Kontinentit të Vjetër do ishte shumë më e ndryshme dhe komunizmi do e kishte jo të largët shfarrosjen. Të luftoje në “krahun e gabuar” dukej se ishte donkishotizëm dhe Enver Hoxha vetëm Don Kishot nuk ishte. Mundet të mendonte për një vend të mirë në një qeveri shqiptare të pasluftës, nën Protektoratin italian.
Por në një përplasje kaq “tektonike” si ajo e Luftës së Madhe, shumë gjëra mund të ndryshojnë në disa muaj dhe të përmbysin çdo lloj parashikimi. Në dhjetor 1941 Japonia (për të keqen e saj) sulmoi Përl Harbër dhe në fushën e betejës zbritën Shtete e Bashkuara. Deri në atë kohë, shumica e opinionit amerikan kishte qënë se “nuk i duhej të përzjeheshin në luftën e europianëve”. Sulmi japonez solli aleancën anglo-amerikano-sovjetike dhe edhe pse nuk solli menjëherë ndryshimin e kahut të fitores bëri një lloj balancimi. U hap korridori i Teheranit, që ndihmonte ushtrinë sovjetike me para, armatime dhe gjithshka që i duhej një ushtrie të madhe të një vendi të varfër ekonomikisht. Përparimi i gjermanëve në stepat ruse u ngadalësua, por ende as komunistët më të flakët dhe filo-anglosaksonët më të zjarrtë nuk mund të vinin bast se fitorja do ishte në anën e Aleatëve.
Ndaj edhe gjithë patriotët shqiptarë, përfshi këtu edhe komunistët “flinin gjumë“. Në shtator të vitit 1942, pasi kishin hyrë në kontakt me Babën e financuar nga anglezët dhe me ndërmjetësimin e disa njerëzve ku hynte edhe komunisti Mustafa Gjinishi, u formua Fronti Nacional Clirimtar. Mbledhja e atdhetarëve u mbajt në Pezë, fare pranë Pallatit të Jakomonit. Eshtë e pamundur që mes pjesëmarrësve mos ketë patur njeri që paguhej nga SIMI. Më të shumtët ishin patriotë pa parti ose njerëz të lidhur me Zogun. Nga PKSH ishin Gjinishi, Ymer Dishnica, Hoxha, Tashkoja, Nako Spiru dhe Nexhmija. Duket që Miladini me Enverin kishin ndikuar edhe se kush do ishte nga komunistët. Veç Gjinishit, të tjerët ishin njerëz të lidhur me Enverin, veçanërisht Xhunglini, që dihej se ishte e dashura e tij.
Në Konferencë nuk morrën pjesë Mit’hat Frashëri, Hasan Dosti, Thoma Orollogaj dhe shumë atdhetarë të tjerë të njohur, sepse patën kuptuar që ishte një përpjekje e komunistëve për të marrë në kontroll lëvizjen kundër italianëve. Por të gjithë të financuarit nga Anglia ishin të pranishëm, veç Kryezinjve që vepronin shumë larg Tiranës.
Mospjesëmarrja e shumë prej nacionalistëve dhe formimi më vonë i Ballit Kombëtar tregoi miopinë e shtresave të pasura dhe intelektuale shqiptare. Deri atë kohë ato kishin ndenjur duarkryq dhe as kishin menduar të krijonin ndonjë formacion politik duke menduar për të ardhmen e Shqipërisë pas lufte. Ndonjë përpjekje pas formimit të PKSH kishte patur por kishte dështuar. U desh formimi i Frontit, që njerëzit që ishin përpjekur gjithë jetën për Shqipërinë të kujtoheshin të bënin “pasqyrën shqiptare të Frontit”. (Vetë emri Balli Kombëtar është shqipërimi i Frontit Nacional.)
Ndaj edhe tek këto shtresa të shoqërisë shqiptare duhen gjetur shkaqet e tragjedisë së Kombit Shqiptar.
(vijon)
No comments:
Post a Comment