Unë kam lexuar pak për Enver Hoxhën, madje nuk jam munduar as të gjej librin e Fejziut apo ndonjë tjetër, sepse kam menduar që kanë qënë libra “të ngutur” dhe nuk kam besuar se gazetari Blendi ka patur kohën dhe kapacitetin për të bërë një biografi serioze të “djallit bukurosh”. Duke lexuar disa biografi të autorëve mjaft të mirë të Hitlerit, të Stalinit dhe të figurave të tjera historike të shekullit që kaloi, kam krijuar bindjen që për të bërë biografinë e Enver Hoxhës duhet shumë kohë dhe mund. Për më tepër nuk mund të marrësh asnjë të vërtetë nga ata që e kanë njohur nga shumë pranë dhe që janë Nexhmije, Ilir, Sokol dhe Pranvera Hoxha. Shkrimet e Liliana Hoxhës kanë qënë të mbushur me gënjeshtra dhe mund të vlejnë vetëm për të supozuar të kundërtën. Madje edhe dy djemtë e tij ( i pari jo me ndonjë kapacitet mendor) nuk duhet të kenë ditur shumë gjëra rreth të kaluarës së tij të paraluftës.
Sigurisht që nuk marr përsipër t’i afrohem të vërtetës së mistershme , se kush ishte njeriu që sundoi Shqipërinë për 41 vjet. Por disa dyshime të mijat edhe mund t’i hulumtoj në blogun tim edhe duke qënë i sigurt që nuk mund të japin një përgjigje shteruese.
Korça ka qënë e rëndësishme për gjirokastritin Hoxha, sepse kaloi vitet më të bukura të jetës së tij. Kreu Liceun dhe më pas u kthye si mësues pranë tij. Në fillim ndoshta me normë të reduktuar dhe me rrogë jo të madhe dhe më vonë me rrogë më të mirë. (Dhe paratë për gjirokastritët nuk janë diçka që nuk vlen.) Pa dashur të spekuloj me analiza psikologjike rreth formimit të tij si adoleshent, me një baba krejt mediokër dhe një nënë të fortë, dua të kthehem në kohën kur 28 vjeçar, Enver Hoxha vjen në Korçë. Pasi kishte bërë përpjekje për të gjetur punë si mësues në Tiranë dhe kishte punuar disa muaj me kontratë. Nuk dihet pse nuk shkoi në Gjirokastër, por i rëndësishëm është fillimi i punës në qytetin më të zhvilluar shqiptar. Punësimi i parë i gjatë dhe i fundit për të pat qënë sekretar konsullate në Bruksel me epror një të huaj të pasur Konsull Nderi që nuk shkelte në zyrë.
Bëhet fjalë për një burrë që po e kalonte kohën e martesës (sidomos për familjet e mesme muhamedane) dhe që nuk kishte asnjë pasion të veçantë veç librave, femrave dhe tavllës. Nuk ishte studioz dhe as i përkushtuar ndaj ndonjë dege filologjike, por me siguri lexonte shumë në frëngjisht. Pa pasur ndonjë bibliotekë të tij, se kërkund nuk ka përmendur që gjatë transferimeve në atë kohë, kishte problem se ku do i linte librat. Nuk merrej me fiskulturë dhe kohën më të madhe, pas Liceut, e kalonte në kafene duke bërë “llogje” dhe duke luajtur tavëll. Nuk është e panatyrshme edhe të kishte simpati për idetë e majta të përhapura në gjithë Europën. Aspak njohës i teorisë marksiste dhe as i Historisë së Bashkimit Sovjetik. Me pak fjalë do e përcaktoja si një dembel i zgjuar, që e merr jetën lehtë dhe nuk do ta ngarkojë me përgjegjësi veten. Nuk e përjashtoj aspak mundësinë që ndihmonte ekonomikisht familjen, e cila nuk jetonte me të në Korçë. Rroga ishte e mirë dhe i tepronte. Ndoshta edhe tepër përbuzës ndaj të jatit, Halilit, që në Gjirokastër njihej si dikush pa shumë mend, por i mirë. Thuhet që rrinte verës në Qafën e Pazarit dhe kishte qejf të dallonte nëse do ishin “të bërë“ apo jo, shalqijtë që të njohurit kishin blerë në Pazar. (Përbuzja ndaj të jatit nuk fshihet plotësisht as në librat e tij me kujtime.)
Me hyrjen e italianëve Liceu u mbyll, profesorët francezë u kthyen në vendin e tyre dhe një pjesë e shqiptarëve u pushuan. Pavarësisht nga sa e ka përshkruar si patriot propaganda e Diktaturës, Hoxha nuk u internua ose të arrestohej si shqiptar i flakët. Ishin të tjerë ata që ishin në listat e Fashio-s dhe SIMI-t që përfunduan të internuar në Itali ose në burgjet e Shqipërisë. Pjesa më e madhe e tyre, përfunduan më vonë të vrarë ose të burgosur nga komunistët e “profesorit bukurosh”.
Pas disa muajsh në shtëpinë e tij në vendlindje, Hoxha (gjithnjë sipas historisë zyrtare) shfaqet në Tiranë i ndihmuar nga Esat Dishnica dhe prej tij nga Ibrahim Biçakçiu. Sërish një lëvizje e pazakontë për dikë që duhet të bëhej shtylla e familjes. Ky transferim nuk ka pasur asnjë lidhje as me Grupin Komunist të Korçës dhe as me ndonjë lëvizje të majtë. Komunistët “e kënduar” të Grupit të Shkodrës dhe të atij të “të Rinjve”, si dhe “qypat” e Grupit të Korçës, nuk kishin asnjë qëndrim ndaj Italisë, madje as ndaj Boshtit. Politika e Stalinit ishte ajo e paktit Molotov-Ribentrop dhe asnjë e majtë ekstreme europiane nuk ishte për luftë kundër fashizmit dhe nazizmit. Madje disa komunistë më teorikë dhe më naivë, e shihnin ardhjen e Italisë si pozitive për zhvillimin e proletariatit dhe më vonë edhe të pjesëmarrjes së Shqipërisë në Revolucionin Botëror.
E megjithatë le t’i japim “the benefit of a doubt” dhe të themi se 31 vjeçari po nuhaste se nëse donte të hynte në jetën politike duhet të shkonte në Tiranë se atje ndodhte gjithshka. Nuk është e pamundur nëse shohim ngjitjen e tij të rrufeshme në rradhët e Partisë Komuniste dy vjet më vonë.
Po të japim shkurtimisht situatën politike në Europë në vjeshtën e vitit 1939, kur Enveri u vendos në Tiranë dhe “flinte në magazinën e fabrikës së duhanit të Biçakçiut”. Karakteristikë ishte një befasim për shkak të fillimit të Luftës së Dytë të pushtimit nga Hitleri dhe Stalini të Polonisë dhe shpallja e luftës nga Anglia dhe Franca ndaj Gjermanisë. Nuk kishte si të qe një gjendje normale as në Tiranë edhe pse ne ishim në periferinë e frontit kryesor. Stalini mbetej neutral ndaj të gjithëve dhe vazhdonte të fuste territore të vendeve fqinjë brenda Bashkimit Sovjetik (Vendet Baltike, pjesë të Finlandës dhe të Rumanisë).
Kominterni ishte i çoroditur se duhet të hiqte dorë nga propaganda anti-fashiste e deriatëhershme dhe të denonconte Luftën si luftë mes fuqive kapitaliste rivale (gjoja në përputhje me teorinë marksiste). Brenda Kominternit filluan përplasjet, por Stalini kishte fjalën e fundit dhe komunistët po mbanin neutralitet duke i shpallur në të njëjtën kohë social-demokratët e Anglisë dhe Francës si “agjentë të imperializmit”. Në këtë mënyrë:
Grupet komuniste shqiptare jo vetëm ishin të përçarë, por as mund të kuptonin se ç’bëhej në “dynja”.
(vijim)
No comments:
Post a Comment