Nuk di kur kam dëgjuar për Pali Tërovën për herë të parë. Por jam i sigurt, që ka qënë para vitit 1974, vit kur nisëm të mësonim në shkollën e mesme Historinë e PPSH. Në dimër rrinim të gjithë në një dhomë, ku kishim stofën, dhe nuk ka “shpëtonin” bisedat që bënin të rriturit, të shtëpisë dhe vizitorët. Kujtoj që për të pata dëgjuar se dikush nga të afërmit e kishte tradhëtuar pas Luftës në Tërovë dhe Partia e kishte pushkatuar si tradhëtar të saj. Më kishte mbetur në mendje se atë që e kishte “spiunuar” e njihja dhe “të kallzuarit” ishte nga gjërat që përbuznim më shumë në fëmijëri. Edhe kur bëhej për kauzën e Partisë.
Më vonë mësova se ishte xhaxhai i një shoqes time të klasës dhe vëlla i mësuesit të violonçelit, Oresti Miços. Nuk të linte ndonjë mbresë të jashtëzakonshme, se në ato vite, lufta e klasave nuk ishte shumë e ashpër. Vetëm me mendje më vinte çudi, që dikush i pushkatuar pas Lufte, mund të kishte një vëlla aq të vogël. Ndërkohë kisha mësuar se edhe sekretarja e shkollës sonë, që ishte më e madhe se Oresti (ose në moshë të afërt) ishte e mbesa e Pali Tërovës dhe e Orestit.
Në vitin e parë të së mesmes, lexuam emrin e tij në një fjali të vetme të librit me kopertinë të kuqe. Natyrisht nuk na vinte mirë për shoqen tonë, se e dinim që një gjëë e tillë e vinte në siklet në mësim. Atë vit kishim mësuar se “të prekurit në biografi” do e kishin gati të pamundur të studionin në universitet dhe shoqja jonë ishte nxënëse shume mirë. Por kishte një lloj “ngushëllimi” për të, se mbesat e tjera të “armikut të Partisë“ kishin bërë studimet dhe ishin mësuese, mjeke dhe nuk di se ç’profesione të tjera. Ndaj nuk kishte pse të privohej shoqja jonë, që e kishte babanë mësues shumë të vlerësuar të shkollës së muzikës. (Oresti bënte thuajse gjithshka. Nga meremetimi i instrumentave dhe deri në dhënien e notës akorduese në orkestrën e qytetit para fillimit të ekzekutimit të pjesës muzikore.)
Por u largova nga Pali i shkretë, që në lule të rinisë ishte pushkatuar nga shokët e tij komunistë. (Shpesh kam shkruar që komunistët në Shqipëri ishin të pakët, se të shumtit ishin feudo-komunistë.) Ai kishte qënë një nga krerët e Grupit të të Rinjve bashkë me Anastas Lulën dhe Sadik Premten dhe në ata që quheshin 200 komunistët e parë. Por ka pasur një mllef të hershëm të Hoxhës ndaj krerëve të shkolluar të Grupit të të Rinjve. Dinin më shumë se ai nga komunizmi dhe ishin idealistë. Si edhe nuk ishin puthadorës. U përpoq gjatë Luftës me “besnikët” e tij të zonës së Vlorës për t’i vrarë ballas ose pas shpine, por nuk ja kishte dalë se ata kishin mbështetje në popullin e tyre fshatrave. Në fund të Luftës “Xhepi” kishte ikur jashtë Shqipërisë, kurse “Qorrin” e vranë në Veri të vendit.
Ju kishte mbetur Pali Tërova. Komunisti i orëve të para, që dinte shumë nga intrigat e Hoxhës dhe “bandës”së tij. Ndoshta Pali nuk kishte dashur të linte Shqipërinë, se në ato kohë të turbullta nuk ishte zor të arratiseshe në Greqi. Kishte ndenjur i fshehur në fshatin e prindërve, deri sa një njeri i fisit e kishte kallzuar. Dhe e vranë me akuzën absurde si “fraksionist”.
Me gjithë kureshtjen që kam pasur për ngjarjet e Luftës dhe krimeve të kryera nga banda që uzurpoi pushtetin në Shqipëri, asnjëherë nuk kam “gërmuar” të gjej diçka më shumë për Palin. Ndoshta më frenonte ajo ndjenja e keqe, e privimit të shoqes sonë nga ëndërrat që ka çdo adoleshent.
Nuk shkoi me ne në Universitet dhe nuk di nëse studioi ndonjëherë, megjithëse ishte ndër më të mirët mes atyre që kisha pasur, që në klasën e parë.
As sot, që jemi në pension apo prag pensioni, nuk e kam pyetur.
Mbesën e komunistit të vrarë nga shokët e tij, Pali Tërovës.
No comments:
Post a Comment