Ndodh jo rrallë, që në blog unë hedh skica-portrete të njerëzve që kam njohur gjatë jetës. Jo rrallë ato kanë theksime të tipareve dhe karakteristikave , që i bëjnë më shumë karikatura se portrete dhe për të cilat shpesh njerëz që më duan të mirën më thonë: “Po pse nuk shkruan më shumë rreth njerëzve si Aleksandra Ilo, Tomi Kondakçiu, apo Maqo Kostallari, portretet e të cilëve jo vetëm i ke goditur, por edhe të japin “energji pozitive”.” (Kjo e energjive pozitive është e periudhës së tranzicionit, se Partia nuk i ndante më parë energjitë në negative dhe pozitive).
Unë nuk ju jap dot një përgjigje të menjëhershme, se as vetë nuk di pse nuk shkruaj më shumë rreth Gonxhe Bojaxhiut, Fan Nolit, Spiridon Ilos, Skënder Arrëzës, Mangalina Treskës, Hyrmete Bitinckës dhe të tjerëve të ngjashëm me ta. Ndoshta se kam frikë të kthehem në “bonist”.
Por ka dhe një arsye tjetër, e cila nuk është e menduar thellë, por është e ndjerë.
Shpesh, kur shkoj në Korçë, ka shumë të njohur që ankohen për zbrazjen e qytetit, për administrimin jo të mirë, për padrejtësitë në emërime, për kontrollin e çdo gjëje nga Tirana dhe për korrupsionin. Ka edhe shumë që bëjnë një pyetje retorike: Po si u bë kështu bre?
Unë nuk i kam vënë vetes asnjëherë detyrë të bëj “misonarin” dhe të kritikoj dukuritë apo të gjej shkaqet e degradimit të shoqërisë shqiptare në përgjithësi dhe të asaj të Korçës në veçanti. Ndoshta edhe grupe psikologësh dhe sociologësh të Universitetit Fan Noli nuk do jenë në gjendje ta bëjnë këtë. (Me siguri në fillim do kërkojnë fondet për financim dhe më pas do shohin “a ka hesap kjo punë“)
Me një galeri portretesh dhe karikaturash, unë pasi e kam bindur veten se gjithshka duhet kërkuar tek njerëzit, i ndaj edhe me ata që jetojnë në Korçë dhe i shohin “portretet dhe karikaturat”. Por gjithnjë shpresoj se nuk do vlejnë as për tu mallëngjyer dhe as për tu kënaqur “Obobo ç’i paska punuar!” Por për të menduar se a ju ngjasin portreteve me ngjyra të ngrohta, apo kanë “veshë dhe hundë të mëdha” si ato të karikaturave. Sepse që një shoqëri të përmirësohet, duhet që gjithsejcili ta nisë nga vetja dhe të përmirësojë sadopak ato, që herë herë i mendon edhe vetë si:”E dhjeva më duket sot?!”
Unë e di, që shumë lexues me mendje të holla mundohen të gjejnë “C’ka me këtë?” ose “Përse po ja fut këtij? I është prekur ndonjë interes?”. Ka të tjerë që e kanë të lehtë të thonë “Eshtë kritizer” ose “Ka maninë t’i shohë gjërat me syze të errëta”.
Edhe një miku im herë herë më pyet :”Kë do demaskosh këtë rradhë?”
Por për të gjithë këta që përmenda, më e vlefshme është të gjejnë nëse ka fije të vërtetash në portretet, që unë postoj dhe nëse ka gjëra që mund t’i përmirësojnë në jetë. Për veten e tyre, për fëmijët e tyre, për shoqërinë ku jetojnë.
Unë shkoj dy javë në dy vjet në Korçë dhe mund të puthem me të tërë, mund t’ju bie të gjithëve krahëve dhe mund t’ju them edhe nga ato fjalët e bukura ”Je njësh!”, “Je kthyer në legjendë!” apo “Ti më jep energji pozitive”. E di që kjo mund të më përmirësojë edhe imazhin, që e kam ndërtuar keq qysh në shkollën fillore. Më pas të kthehem në “strofkën” time dhe me ndonjë të njohur këtej nga kontinenti i ri, të themi “leri të gjorët në të zezat e tyre!”.
Por po ta bëj këtë do e ndjej veten sharlatan.
Dhe nuk dua të vdes i tillë.
No comments:
Post a Comment