Lakimi lart e poshtë i Bela Ballukes këto 6 muajt e fundit më shtyu të verifikoja nëse vërtet ishte vajza e djalit e Beqirit, apo vajza e Qemolit, që ishte i vëllai i ndjerë i ish-Ministrit të Mbrojtjes. Doli që Bela është vajza e Clirimit, djalit të madh të sho Beqir, që ka qënë sprintier i mirë në vitet ‘60-’70.
Po cilat kanë qënë kontributet e Ballukëve, kësaj familje të vjetër tiranase, për Shqipërinë?
Nuk kam pasur kohë të kërkoj se ç’ka bërë i jati dhe gjysh stërgjyshët e Beqirit, po me siguri që kanë qënë atdhetarë të flakët, sikundër dalin sot të gjithë shqiptarët që kanë jetuar në “kohët e pashkruara”. Edhe po të kesh mundësi të kërkosh dokumenta, duhet të dish mirë osmanisht. Po le t’i lemë të parët e Ballukëve dhe të kthehemi në më të shquarit.
Beqiri (rahmet pastë) ka bërë ca vjet shkollën teknike të Tiranës dhe nëse ka qënë në një shkollë me sho Mehmet, me siguri që ka qënë pykë, se edhe shkollën nuk e katranosi dot, por edhe nuk shkonte mirë me mallakastiotin e zgjuar dhe arrogant.
Po këto janë supozimet e mija dashakeqe, se fakt është, që pasi shërbeu në ushtrinë shqiptare të qeverisë kuislinge (ndoshta në batalionin “Tomorri), Beqoja doli partizan dhe përqafoi idetë e sho Enver dhe sho Myslym (Peza). (Ose përqafoi në fillim idetë, drejtoi njësitin guerril dhe pastaj doli partizan), Më pas dëshmoi aftësi prej ushtaraku dhe drejtoi Brigadën e Dytë Sulmuese, që në Operacionin e Dimrit jo vetëm nuk sulmoi dot, por nuk diti as të mbrohej. U shpartallua. Komanda e Beqirit ju kushtoi jetën shumë të rinjve shqiptarë.
Nuk është e sigurt se me ç’farë grade doli nga Kongresi i Përmetit, i cili “prodhoi gjeneralë“ nga mësuesit, teneqexhinjtë dhe këpucarët, por gradën e gjeneralit e mori në vitin 1953, një vit pasi ishte bërë Ministër i Mbrojtjes. Duket në atë periudhë ka bërë edhe një vit kurs në Akademinë Voroshilov, që e bënte “gjeneral që ç’ke me të!”
Në 22 vjet si Ministër, kushedi ç’marrëzira dhe krime ka bërë, por le t’i lemë, se gjynahet i lau keq dhe pikërisht prej atyre që ju kishte shërbyer me besnikëri, si hajvan që ishte.
Bela ka lindur një vit para se i gjyshi të arrestohej dhe më pas të ekzekutohej. Ka kaluar një fëmijëri dhe adoleshencë vërtet të vështirë, sepse Diktatura nuk ju ndahej deri në 7 breza armiqve të popullit, qëë kishin qënë më parë heronj të popullit.
Nga shkollat që ka bërë, por edhe nga sa e kam dëgjuar në intervista nuk duket aspak “kokëtrashë“. Fatmirësia dhe fatkeqsia e saj është se u kthye në partinë që i kishte bërë “gjëmën” prindërve të saj dhe i shërbeu një prijësi tjetër intrigant dhe të pabesë. Sigurisht që shpirtin nuk e shiti për kot, sikundër i gjyshi, por për disa dhjetra miliona (ose qindra) euro. E megjithatë, në moshën 53 vjeçare, rrezikon të shkojë pas hekurave. I gjyshi ishte 57 kur e arrestuan dhe 58 kur e ekzekutuan. Kishte zëra që e dogjën me lançafiamma.
Ballukja e re nuk është përgjegjëse për vdekje njerëzish, sikundër ka qënë i gjyshi i saj. (Në rrugët e prishura nuk ka vdekur njeri akoma)Vetëm shpërdorim të parave të taksapaguesve dhe transferim të tyre në xhepat e Edit, të sajat dhe të ndpnjë tjetri. Nuk mund t’i quajmë krime dhe kur mendon që ka edhe një fëmijë të mitur (kur e paska bërë këtë të miturin 53 vjeçarja?) thua që mirë e kanë që duan ta ndjekin penalisht të lirë.
Por fajin ne nuk na i ka as Enveri, as Edi dhe as Ballukët!
Na e ka koka jonë që ja u kemi lënë në dorë këtyre monstrave dhe bëjnë mirë që na i presin shkallë shkallë balluket!
Të paktën kokën nuk na e presin!
No comments:
Post a Comment