Sot populli i Korçës ka protestuar para një godine qeveritare (këto tani janë të shumta dhe unë nuk jam i sigurt në ishin para Bashkisë, Prefekturës, Këshillit të Qarkut apo “Policisë që është me ne”}. E rëndësishme është që njerëzit janë solidarizuar edhe pse koha ishte e mirë dhe në atë orë mund të kishin dalë shëtitje nga Parku Rinia, ku janë vendosur edhe gurët që të kujtojnë monumentet e para antikitetit në Europë.
Një miku im, që ishte i pranishëm në protestë, më ta se populli arsimdashës, rrugëdashës dhe paçedashës i Korçës, këtë rradhë protestoi kundër mbylljes së qytetit për shkak të prishjeve të mëdha në rrugët kombëtare dhe jokombëtare, që lidhin Korçën me kryeqytetin. Sipas tij ishin 50 vetë nga populli dhe 30 policë , ose 50 policë që ruanin se “ç’zarare” do bënin ata 30 të popullit.
Nuk më dha hollësi nëse dikush mbajti ndonjë fjalim emocionues dhe as për “parrullat” që hidheshin. Duke parë edhe raportet popullsi-polici, them se nuk duhet të ketë zgjatur më shumë se 3/5 e një ore dhe nëse do të jesh një kronikan i saktë, i bie të jenë fiks 36 minuta. Të ngjeshura dhe të elektrizuara, se “nuk durohen më këta hajdutë“, “as në kohën e Skënderbeut nuk kemi qënë kaq të izoluar” apo “që të shkosh në Tiranë duhet t’i biesh nga Kina!”
Dhe meqënëse mua më ka mbetur “pllaka e gramafonit” në një vend, po i rikthehem sërish protestave të korçarëve, në vitet ‘30, kur qyteti kishte po aq popullsi sa ka edhe sot.
Korçarët jo vetëm ishin të organizuar në sindikata dhe “shoqëri esnafore”, por ishin në gjendje të ngriheshin të gjithë dhe t’i tregonin “dhëmbët” një regjimi autokrat si ai i Zogut, në një kohë që kishte më pak liri. Vërtet Zogu nuk kishte aq shumë xhandarë sa ka Edi sot policë në Korçë, por edhe po të kishte patur më shumë, jam i bindur që njerëzit do ngriheshin. Ishte një shoqëri vibrante, e etur për përparim dhe drejtësi, që kishte mësuar shumë nga shoqëritë perëndimore dhe veçanërisht ajo amerikane.
Sot korçarët protestojnë...me “meme”!
E bëjnë copë Ramën dhe të gjithë lapangjozët që ka pas në Internet. Disa prej tyre i thonë edhe fjalën e fundit, sidomos po të kenë një profil, që nuk është emri i tyre. Në internet qarkullojnë video, foto të sajuara nga Inteligjenta Artificiale dhe batuta me kripë e pa kripë, me të cilat protestuesit e Internetit gajasen kafeneve apo në divanët e shtëpive kur i shohin. “Ua ç’ja u kanë bërë!” thonë gjithë ekzaltim dhe presin që nga protestat “memore” Qeveria të bjerë, rrugët të rregullohen dhe në fund “të gjithë të rrojnë të lumutur dhe të trashëgohen!”.
Por të tilla gjëra ndodhin vetëm në përralla me Mbret dhe pa mbret, dhe duhet thënë që Edi Rama është një kryeministër i zgjedhur me votë ndaj nuk ka si t’i ndodhë kjo. Eshtë më e thjeshtë që një ditë të gjithë të vendosin e të shkojnë në lokalet me muzikë “live” dhe pasi të rrumbullosen mirë, të dalin rrugëve me këngën “O sa dal i pirë moj nga Republika” dhe të rrëzojnë regjimin e të vendosin Republikën e të Përgjumurve.
Nuk kisha ndonjë iluzion që do kishte një protestë masive për izolimin e Korçës. E kisha prekur pulsin rebel të qytetit tim, kur ndërtohej Kulla Vrojtuese, kur shfytyroheshin objektet e Petraq Kolevicës dhe kur Rama bridhte rrugëve më serbes se në çdo qytet tjetër duke thënë se ç’duhet ndërtuar në një vend dhe ç’duhet të prishej në një vend tjetër.
Nuk është e rastit që korçari më i shquar është Vrenozi me videot e tij, për të cilat Petro Dula, 90 vjet më parë, do theshte “të gajasin by....!”
Qyteti im i lindjes është qyteti më i kollajshëm në Shqipëri për tu qeverisur nga “Ridhjerësat” e sotëm!
Mjaft të ketë ca vizitorë më shumë në fundjavë dhe mjaft të na premtojnë çdo katër vjet se do na ndërtojnë një stadium të ri!
Ja u japim votën dhe pastaj i bëjmë copë në Internet me...”meme”!
No comments:
Post a Comment