Monday, 9 March 2026

A ishte agjent i huaj “Profesori” i Liseut? (5)


 (vijim)

Në një vend të vogël si vendi jonë, njerëzit e njohin mirë njëri tjetrin dhe gjithashtu i mësojnë edhe bisedat edhe bëmat, sado në ilegalitet të jenë grupet dhe njerëzit që përfshihen në to. I tillë është rasti i mërisë të përjetshme të motrave të Qemal Stafës me Enver Hoxhën. Unë nuk dua të përdor rastin e dekonspirimit të bazës ku ishte Qemali me të tjerët, në favor të “tezës së agjentit”, por dua të them që të gjithë palët e interesuara për pushtetin e ardshëm nën italianët, nën anglezët a nën sovjetikët, dinin mirë se ç’bënte njëri dhe tjetri. Edhe pse nuk mund të dinin se cilët ishin “agjentët e rëndësishëm”. Duke shtuar dy fjalë për rastin Stafa, unë nuk mendoj se Enveri ishte i interesuar për eliminimin e tij se e shihte si rival për kreun e Partisë Komuniste. Qemali ishte një komunist i zgjuar dhe me aftësi organizuese, por nuk mund të matej në luftën për pushtet me “intrigantin gjirokastrit”. Në betejat për pushtet mes idealistëve dhe oportunistëve të parët gjithnjë humbasin. Megjithatë informacioni se baza u dekonspirua nga “kupola “ e PKSH që shkoi deri tek familja Stafa, e le të hapur misterin.

Le të kërcejmë në shkurtin e vitit 1943, kur mund të shënohet kthesa e Luftës së Dytë dhe që është rrethimi i Armatës gjermane të Von Paulusit pas betejës disa mujorshe të Stalingradit. Ndërkohë amerikanët kishin zbarkuar në Amerikën e Veriut dhe megjithëse kishin një ushtri shumë më të papërgatitur se gjermanët dhe anglezët, ishin një shtet me potencë të madhe ekonomike dhe që përbënte rrezik për të gjitha frontet e mundshme anti-Bosht. Dukej që anglo-amerikanët shpejt do zbarkonin diku në brigjet europiane në Mesdhe.

Shqiptarët pro Aleatëve filluan të lëviznin më shumë, por palët po ndjenin që një Shqipëri antifashiste ishte më e mundshme në përfundimin e Luftës, një përfundim që ende dukej shumë i largët. Fronti i drejtuar nga komunistët filloi të lëvizë më shumë, por Bazi po ftohej me ta dhe njëkohësisht më shumë po lëvizte edhe Balli.

E megjithatë edhe në qershorin e vitit 1943, kur anglo-amerikanët zbarkuan në Itali, në Shqipëri nuk bëhej ndonjë luftë e madhe.

Edhe me ndihmat angleze në armë dhe para nuk ishte e lehtë të krijoje formacione luftarake efektive. Në një intervistë të VukmanoviçTempos në fillimin e viteve ‘80 në televizionin jugosllav, dëshmitari okular i asaj kohe tregonte se kur kishte shkuar në atë kohë në Shqipëri, nuk ndjehej atmosfera e luftës. Kuptohet që ai bënte krahasimin me përpjekjet e formacioneve partizane të Titos. Unë jam i prirur të besoj dëshminë e Tempos para historisë të falsifikuar të komunistëve shqiptarë. Edhe shqiptarë që kanë jetuar në atë kohë kanë dhënë dëshmi të njëjta.

Por të gjithë krahët që synonin marrjen e pushtetit pas rënies së Italisë, u aktivizuan më shumë atë vjeshtë. Në korrik komunistët formuan Shtabin e Përgjithshëm ( një Shtab pa ushtri) dhe në gusht bashkuan disa grupe të zonës së Korçës për formimin e Brigadës së Parë Sulmuese.

Nuk dua të nënvleftësoj përpjekjet e shqiptarëve të ndershëm , shumë prej të cilëve humbën jetën gjatë vitit 1943, por ekzagjerimi i Luftës dhe ngjarjeve të saj, mendon se ka patur dhe ka një efekt negativ.

A kishin mbajtur nën kontroll dhe frenuar deri atëhere italianët Frontin Nacional nëpërmjet Enver Hoxhës?

Eshtë një pyetje që nuk mund të gjejë përgjigje pa pasur fakte, sepse është tepër tepër hipotetike. Askush nuk mund të thotë se si mund të kishte ecur Fronti nëse Gjirokastriti nuk do kishte qënë brenda tij. Në apatinë e popullit shqiptar ndaj pushtuesve ka pasur shumë arsye dhe gabimet e qëllimshme apo jo të qëllimshme të udhëheqësve komunistë mund të mos kenë luajtur asnjë rol.

Dua të shtoj një rrethanë tjetër disi të dyshimtë. Enver Hoxha, një burrë i pashëm dhe i gjatë 1.85 cm, qëndroi mbi dy vjet në ilegalitet në Tiranë dhe nuk u arrestua dot kurrë. Në një qytet ku mesatarja e lartësisë së meshkujve nuk ishte më shumë se 1.62 cm. Edhe në fotot e shumta të dokumentave të tij të falsifikuara të vëna muzeve Enveri me emër Hasan, Hysen apo Haki, duket që një orë larg që është “Enveri ynë“. Kjo në një qytet me jo më shumë se 30 mijë banorë dhe ku duhet të kishte “bajagi” spiunë me pagesë dhe pa pagesë.

Por Udhëheqësin nuk mund ta akuzojmë për bashkëpunim, duke i thënë: “Je fajtor se nuk të arrestuan!”

(vijon)

No comments:

Post a Comment