Friday, 6 March 2026

Ditaret – sekreti i kujtesës (fund)

 


(vijim)

Këto lloj shënimesh (që nuk janë të pakta) më krijuan padashje një koleksion të dhënash të ngjashëm me atë të Gjendjes Civile, kuptohet në përmasa më të vogla. Kjo sillte që disa bashkëbisedues të më akuzonin për marëdhënie të dyshimta me ndonjë punonjëse të Institucionit në fjalë dhe megjithëse unë kundërshtoja, nuk më besonin. Dhe kishin të drejtë, se unë e mbaja të fshehur këtë punën e ditareve.

Tani që gjithshka po del në dritën e diellit edhe unë kam për tu lehtësuar nga ato akuza të pabaza, që jo vetëm vinin në dyshim integritetin tim moral, por krijonin përshtypjen e gabuar, që Diktatura nuk kishte kontrollin e duhur në të dhënat personale të njerëzve që kishte në zap.

Por duhet të përmend, se duke qënë informacion i marrë gojë-vesh-vesh gojë e kështu me rradhë, nuk ishte plotësisht i saktë. Në një nga shënimet e vitit 1980 kam shkruar: “Zare Trëndafileja është kushërira e parë e të shoqit të Polikseni Trëndafilit. Ka mundësi të ketë patur marëdhënie intime me Udhëheqësin.” 8 vjet më vonë për të njëjtën grua kam shkruar: “Zare Trëndafileja nuk është person real. Eshtë personazh i një kënge popullore shkodrane. Rrjedhimisht Xhaxhi nuk është jarani.”

Kur ju kthehesha ditareve për t’i lexuar pas shumë e shumë vitesh ngazëllehesha. Ishte si të rijetoja fëmijërinë dhe adoleshencën. Sikur kisha një pasqyrë magjike në të shkuarën. Më ndihmonte edhe fakti që isha shumë krijues në fshehjen e tyre. Ditarin e vitit 1976 e pata futur në sirtarin e drejtorisë së shkollës, një zyrë ku më thërrisnin herë pas here. E mora si e kisha lënë, poshtë disa broshurave të Institutit të Pedagogjisë, dy muaj para se të hyja në provimin e maturës. Nuk kishte vend më të sigurt, se jo vetëm që çelësin e drejtorisë e kishin vetëm tre vetë, por dhe broshurat kishin qënë atje që në vitin 1968 të paprekura.

Por çdo veprim e ka edhe rrezikun e tij. Më ka humbur përgjithnjë ditari i gjysmës së parë të vitit 1986, i cili përmbante shënimet shumë të rëndësishme të muajve para dasmës sime. Duke dashur të hidhja disa hyrje gjatë darkës festive dhe duke mos pasur mundësi të mëdha fshehjeje, në një çast kur sazexhinjtë bënin pushim, i futa në tamburin e xhezit. Pas zallahisë të festimeve dhe disa gotave më shumë rakie me pak sheqer, i harrova. Të nesërmen nxitova të takoja xhezbandistin, por ai kishte ikur për një dasmë tjetër në Shijak dhe 6 muaj të jetës sime u fshinë.

Për fat të mirë ky ishte i vetmi incident. U bëra tepër i kujdesshëm dhe për këtë pata edhe ndihmën e ish-gruas sime. Sa herë nisesha me shërbim jashtë Korçës ose në ndonjë veprimtari tjetër, që më detyronte të flija jashtë shtëpisë më kujtonte: “Ditarin Naum!” Kjo ka sjellë që mos humbiste asnjë ditë e jetës pa u rregjistruar. Veçanërisht ngjarjet shumë të rëndësishme të jetës, ku ju rikthehesh mbresave që të kanë lënë atë çast dhe befasohesh. Në një ditë maji të vitit 1989, në çadrën e oficerëve rezervistë të repartit të artilerisë të Brigadës së Mborjes, gjatë ditëve të një grumbullimi ushtarak (zbor) kam shkruar: “Lindi vajza e dytë. Bleva dy shishe raki dhe i pimë me shokët oficerë pranë zjarrit. Ngritëm disa dolli. Nga fundi njëri prej nesh ngriti një dolli për flamurin. Inxhinier. Dopiocazzo.”

Sot çuditem që ditën kur kam marrë lajmin për lindjen e vajzës, gjëja që më ka bërë më shumë përshtypje ka qënë dollia për Flamurin, por mendja punon në mënyrë nga më të çuditçme në situata tepër të veçanta. Ndoshta nga stresi që fëmija i dytë nuk ishte djalë.

Kur u nisëm për në Kanada u kujdesa që në një baulle të veçantë të fusja të gjitha fletorkat16 lekshe, ato të sajuara me letra daktilografike dhe blloqet më të sofistikuara, ku kisha hedhur gjithë jetën time. Cdo gjë mund të lija në shtëpinë e lënë në kujdesin e Kajkut, por jo ditaret. Dhe jo se kisha frikë se mos i gjente ai dhe i lexonte mbrëmjeve dhe i rrëfente të nesërmen kafeneve. Doja t’i kisha gjithnjë pranë. Edhe pse së bashku bëheshin më shumë se 26 kg, që është pesha e lejuar e një valixheje në avion.

U shtuan më shumë gjatë viteve të emigracionit dhe janë të mbushura me shumë e shumë dhimbje, të qeshura dhe lotë. Ashtu si është jeta e një mesoburri dhe një burri prag pleqërie në dhe të huaj. Atë vit që dola në pension i dixhitalizova. Për të qënë në përjetësi edhe në rast të një zjarri të mundshëm në këto shtëpitë si sëndyqe të Amerikës së Veriut. Se mund t’i sigurosh për rreth 200 dollarë në muaj, por nëse zhurriten, ajo që përvëlohet është jeta ime shpirtërore dhe çdo lloj pagese nuk ka asnjë vlerë. A mund të peshohet në flori një jetë e ndarë mes një Diktature të ashpër, një Tranzicioni shumëngjyrësh dhe një emigrimi në në vend të akullt^ Sepse veçanërisht kjo periudha e fundit, është përcaktuar saktësisht në vargjet e popullit, që kam përdorur në faqen e parë të vitit 2014 – “Kush i qan hallet e mija/ I di zemëra, Mavrija!”

Edhe sot, kur kam shkruar në kompjuter plot faqe formati A4 dhe një pjesë (ato më të qëlluarat} i kam hedhur në blog, nuk harrova të bëj shënimin ditor në bllokun me kopertinë lëkure:

6. 03. 2026

?

No comments:

Post a Comment