Friday, 4 April 2014

Urgjenca, Klosi dhe 2K

Meqë kjo hapësirë e vockël në këtë qoshe të Hajd Parkut kibernitik(sa bukur dhe moderne tingëllon kjo) është e imja dhe nuk më është hequr ende e drejta e ‘llomotitjes”, do hedh ca shënime të mara  me mend pa bërë asnjë lloj verifikimi. Njerëz të zakonshëm si unë, por edhe të mëdhenj të penës, ja ‘futin kot” për ditë në Mediat e gjithë Botës, ndaj edhe supozimet e mija rreth ndonjë lidhje të mundshme të Urgjencës, Klosit dhe 2K-së, as shton dhe as ul gjë në këtë arradhe dënglash dhe fjalësh pafund.
Lajmi që më nxiti, është që Urgjenca nuk do gjykohet si ‘trafikant” veprash arti, por si “hajdut”. Nuk e di se cila është më e rëndë, por besoj se nga pikpamja patriotike, duhet të jetë e para, se koleksionisti Gjergji Thimio(i njohur në rini si Gjergji Urgjenca) vërtet mund t’i ketë vjedhur ikonat, por nuk kishte asnjë prirje t’i nxirrte jashtë Shqipërisë! (Ai ka rreth 25 vjet, që blerjen e ikonve dhe të tjera objekteve antike e bën jo vetëm nën dritën e diellit, por kur i jepet mendësia thërret edhe televizionin për të reklamuar objektet.)
Po për cilin Klos e ke fjalën mund të më pyesni, se po të nisim me Bilbilin dhe ta mbyllim me Blendin, midis ka të paktën 30-40 Klosë të shquar?
Unë e kam fjalën për Fatos Klosin, pedagog fizike në vitet ’80 në Shkencat dhe Kryespiun i Shqipërisë pas 1997-ës. (Fjalën spiun po e përdor në formën “e nderuar”, si përdoret në Amerikën e Veriut dhe jo në formën fyese shqiptare.)  Fatos Klosi nuk ka asnjë lidhje (të njohur) me Urgjencën, por lidhje të vjetra, të njohura e të panjohura me 2K, ose Koço Kokëdhimën. Edhe kjo nuk shërben për të gjetur një lidhje qoftë të tërthortë me Gjergjin e Vançit, sepse vërtet Urgjenca thotë se Koço Kokëdhima e ka futur në burg, për t’i marrë me pahir ato që nuk ja merr dot me hir, por ç’hyn këtu Fatos Klosi?
Në intervistën e Klosit dhënë gazetës Illyria të Njujorkut, kishte një paragraph që më tërhoqi vëmendjen dhe ndoshta krijoi lidhjet midis personazheve, që nuk kanë asnjë lidhje me njëri tjetrin. (Për kët lloj lidhje që po bëj mund të zilepsen gjithë ndjekësit e teorive komplotiste në Atdhe dhe më gjërë). “Nuk kishte ndonjë ngut të vinte këtu një prift, me të vërtetë shumë i ditur…të organizonte Kishën Shqiptare. Le të organizohej një çikë më ngadalë po le të mbante si të thuash pamjen…”
Ish-Kryespiuni, ka të njëjtën linjë anti-Janullatos, të mbajtur nga ish-nxënësi i tij i Fizikës për më se 20 vjet në gazetën e tij SHEKULLI. Tashmë, nënteksti i gjithë zhurrmës pseudopatriotike nuk fshihet në fjalët e Klosit, sikundër fshihet në artikuj baltëhedhës të 2K. Mund të rrinte edhe ca kohë rrumpallë Kisha ortodokse Shqiptare, si janë gjithë institucionet në Shqipëri.
Kisha Ortodokse Shqiptare, ka një thesar të pamatë kulturor dhe financiar. Vetëm në Muzeun e Artit Mesjetar në Korçë ruhen mbi 10 mijë ikona, vlera e të cilave i kalon qindra milion Euro. Në arkivat e Kishës , apo të ekspozuara në objektet fetare, janë edhe qindra miliona të tjera. Një sasi e jo e pakët vlerash është e fshehur apo në pronësi të koleksionistëve si Urgjenca. Nuk ekzistojnë shifra për të nxjerrat jashtë Atdheut, por prej 1989 e tutje duhet të ketë pasur jo pak.
Po qe se në krye të Kishës Shqiptare nuk do ishte një personalitet i përmasave të Janullatosit, ajo jo vetëm do e kishte të vështirë ringjalljen, por pasuritë e saj të luajtshme dhe të paluajtshme do përfundonin lehtësisht në duar hajdutësh dhe trafikantësh të “nivelit”, si Koço Kokëdhima e të tjerë të ngjashëm me të. (Edhe poitikanët ish-pedagogë të tij do kishin ndonjë peshqesh të vogël). Për fatin e mirë të besimtarëve ortodoksë, kjo nuk ndodhi.
Tani Klosi mund të vazhdojë të vjellë kundër Janullatosit dhe ndikimit të shtetit grek në Kishën Shqiptare, ndërsa Kokëdhima mund të vazhdojë në mënyrë mafioze t’ju bëjë presion tregëtarëve të veprave të artit.

Trashëgiminë e Kishës ORTODOKSE AUTOQEFALE nuk e dëmtojnë dot më !

No comments:

Post a Comment