E cilësuar si dita më fatkeqe e Historisë sonë të Re, dita e
prillit, “kur e pushoi këngën edhe bilbili”, ka për të mbetur në ndërgjegjet
tona të shpëlara e të çjerra, si një gërrvishtje në një pllakë gramafoni (apo
CD-je sot).
Kjo është forca e propagandës, sidomos, për ata që kanë dëgjuar
daullet e saj që në moshë të njomë. Edhe vetë, nuk kam shpëtuar, nga lidhja e
menjëhershme që i bëj kësaj date, me zinë që pllakosi Shqipërinë edhe se pas
disa të dhjeta të sekondës, e mbledh mendjen dhe i them vetes që ishte një ditë
si gjithë të tjerat.
(Ime më, që ishte 10 vjeç në atë kohë, nuk kujton ndonjë gjë
aq të ndryshme nga ditët e tjera të kreshmës së Pashkës, kur dëshira për të ngrënë
djathë ose një copë mish, shtyhej jashtë ndërgjegjes nga forca e vullnetit.
Mbase gjyshi dhe gjyshja nuk qenë patriotë të krisur, si jemi sot të gjithë ne
shqiptarët.)
7 prilli i fëmijërisë
sonë shoqërohej me Mujo Ulqinakun, Shqipërinë që po e lidhnin me zinxhira “ca këmishëzez”,
satrapin Zog që ikte fshehurazi bashkë me arin e vjedhur, rininë që kërkonte
armë dhe gjente pushkë pa gjilpëra, si dhe kryeministrin anglez që shkonte për
peshk. Vonë, pas ndërrimit të sistemit politik mësuam edhe për major Abaz Kupin
dhe të tjerë luftëtarë shqiptarë, që e mbajtën disa orë në Durrës zbarkimin e
ushtrisë italiane. Hija e zezë, sërish nuk ju hoq kësaj date.
Historia e çdo
vendi ka nevojë për heronj dhe doemos edhe për antiheronj. Ata i “emërojnë” me
dekrete të veçanta fituesit e çastit dhe nëse këta fitues do krijojnë
dinastira, ka të ngjarë që heronjtë dhe antiheronjtë të mbeten të tillë për
disa shekuj e ndoshta edhe më gjatë. Kjo meseleja e “Dinastive” është si më e
lehtë për Kinën se sa për vendet e Ballkanit, ndaj edhe tek ne është shumë e vështirë,
që figura të caktuara të mbeten në Panteonin e Kombit apo në anti-Panteonin e
tij. Për shembull Ahmet Zogu në mars premtoi të mbathte opingat e të shkonte në
mal nuk e bëri në prill, por zgjodhi një rrugë më të arsyeshme dhe ja mbathi me
makinë në Zëmblak e më pas në Greqi. Për këtë, bashkë me zëmblakasit që e pritën
atë ditë përfundoi për 50 vjet në anti-Panteon, por ka 20 vjet që është kthyer
në Panteon dhe duket si i patundur prej atje. Mujo Ulqinaku i vrarë atë ditë, u
shpall Hero i Popullit dhe ka 70 vjet në Panteon edhe pse këto 20 vjet përmendet
më pak. E kështu mund të përmenden me rradhë Bazi i Canes, Abaz Ermenji, Koçi
Xoxe, Bahri Omari, Enver Hoxha, Kolë Tromara, Mustafa Merlika e dhjetra të tjerë,
të cilët ditën e 7 prillit bënë diçka ose ndenjën duarkryq.
Unë jam kundër
“heronjve” dhe “antiheronjve” të asaj dite. Bile e quaj një ditë të
pashmangshme, në të cilën u ngritën kot edhe të rinjtë gjaknxehtë të shkollave
të mesme në Tiranë, Korçë, Shkodër e gjetkë dhe u vranë kot një oficer shqiptar dhe ca ushtarakë
italianë. Ushtarakët për mua nuk janë aspak heronj, sepse bëjnë punën për të
cilën paguhen. Sigurisht Majori Abaz Kupi mund të shkonte në fshatin e tij, si
shkuan shumë të tjerë dhe t’i bënte m… edhe Durrësit edhe Shqipërisë, por kjo
nuk e bën hero në sytë tim. Ashtu ja preu mendja apo ndienja e detyrës i bëri
t’i vlonte gjaku, ose kishte dëshirë të vriste ca njerëz dhe ndenji. Keqardhje
ndjej për ata të rinj italianë, që ishin marrë kundër dëshirës së tyre në
ushtri dhe nuk e panë më tokën e tyre, po ata nuk kanë të bëjnë me Panteonin
apo anti-Panteonin shqiptar.
Trupat italianë u
pritën edhe me lule përveç plumbave. Dhe kjo ka ndodhur aq kohë sa ka patur
ushtri pushtuese në këto treva të Mesdheut. Ka që i presin të huajt me armë, ka
edhe nga ata që i presin me thirrje gëzimi dhe fanfara. Këta i quajmë tradhëtarë
dhe i konsiderojmë Turpi i Kombit! (tani ca si shumë legena janë këta që presin
ushtritë e huaja me lule, por koha ka treguar që goxha legena ka edhe mes atyre
që i presin me armë.)
Vetë nuk kam jetuar në kohë, kur kanë hyrë ushtri të huaja në
qytet të them nëse do rrëmbeja belxhikun e t’ju tregoja vendin. I vetmi episod
ka qënë kur hynë “paqeruajtësit” me autoblinda, në prillin e 1997-ës, por ato
ditë, uniformat nuk më jepnin më as urrejtje dhe as dashuri. Isha krejtësisht i
zhgënjyer.
Me flamujt, me ushtarakët, me politikanët, me civilët, me
botën e tërë!
I kisha dhjerë mu në Panteon dhe në heronj bashkë! (Po njëlloj
ndjehem edhe sot.)
No comments:
Post a Comment