Tuesday, 1 April 2014

DEMOKRATET (shtojcë për 1 Prillin)



U nisa të bëj këtë shtesë  për Ditën e Gënjeshtrave, jo se demokratët kanë ndonjë lidhje të drejtpërdrejtë me to. 1 Prillin nga fëmijëria e kujtoj më shumë si një ditë të gëzuar ‘mashtrimesh” të lehta, kur lejoheshin “vënia në lojë“ dhe njerëzve nuk ju mbetej qejfi. Fillonte dita me ca gënjeshtra fëminore “të është zgjidhur këpuca”(asokohe nuk kishte këpucë me llapë)apo “të ra një dhjetlekshe”dhe kur më të rriturit na besonin(ose bënin sikur) ne gëzoheshim e thërrisnim “iii të gënjevaaa…është Dita e gënjeshtrave!” Nuk më kujtohet nëse 1 prillin e 1991 isha i mërzitur apo jo, se sa ishte marrë vesh fitorja e Partisë së Punës në zgjedhjet e para “shumëngjyrshe”, por mbaj mend që në zyra kishte kohë që nuk bëhej asgjë dhe thuajse e gjithë jeta ekonomike dhe administrative ishte e paralizuar. Flitej vetëm për politikë dhe ikje nga vendi. Kishte pak kohë që ishin hapur linjat e telefonit me jashtë dhe në të gjitha zyrat njerëzit telefononin të afërmit në çdo qoshe të globit, që të ishin. Atje ku punoja kishte një avantazh, se nuk kundërshtonte njeri kur diskutohej domosdoshmëria e largimit të Punistëve. Edhe dy komunistë që kishim ishin njerëz shumë të arsyeshëm që nuk ardhën kurrë ndesh. Ishte krijuar dy javë më parë edhe një degë e PD-së, të cilën nuk e kujtoj nëse e quanin ‘celulë“, “org.bazë“ apo diçka tjetër. Tek ne kishte shumë puntorë dhe shoferë, që u antarësuan shpejt, ndërsa nga administrata mori pjesë vetëm një ekonomiste, që nuk kishte shumë kohë në detyrë. Ajo u zgjodh edhe drejtuese.
Pasi kishim mbaruar muhabetet dhe kishim lexuar RD-në, nga që u kujtuam për 1 Prillin dhe nuk kishim ç’bënim, thamë t’i punonim një rreng të vockël ekonomistes, që drejtontë degën apo celulën e PD-së. Ajo kishte edhe detyrën e marrjes së postës dhe protokollimit të shkresave.
Shtypëm shpejt e shpejt e shpejt një të shkurtër nga Kuadri i Komitetit Ekzekutiv, ku në bazë të një Vendimi të Qeverisë (me nr dhe datë), njoftohej drejtoria që drejtuesit e degëve të Partive fituese në Parlament, do kishin një shtesë të konsiderueshme në rrogë(shënohej edhe shifra). Letra e datuar 1.04.1991, u firmos dhe u vulos dhe pasi u fut në një zarf ku ju shtuan edhe 5 vula sipas procedurës zyrtare, u la në tavolinën e ekonomistes, kur ajo s'ishte. Deri në fund të ditës së punës nuk u dëgjua gjë dhe e harruam rrengun e 1 prillit. Të nesërmen, eprorja e saj, që nuk ishte në dijeni të rrengut, më pyeti nëse kisha të bëja me një shkresë të datuar 1 prill. I tregova duke qeshur dhe ajo më tha që ekonomistja e gjorë, jo vetëm e kishte ngrënë kallëp, por të djeshmen e kishte marrë letrën në shtëpi t’ja tregonte edhe të shoqit. Nuk pata ndonjë ndienjë faji, së bashku me ‘pjesëmarrsit në krim”, se ishte një shaka 1 prilli dhe ishim gati t’i tregonim e të qeshnim bashkë me të. Për fatin tonë të keq, ajo kishte pyetur diku ndonjë të njohur, që kishte të njëjtën detyrë partiake dhe nuk më foli me gojë për më shumë se një vit.
E takova 5-6 vjet më parë dhe u gëzova që ishte e lumtur edhe pse nuk e përmendëm rrengun e 1 prillit. Detyra e marrë në marsin e 1991 i kishte dalë për mirë edhe pse nuk kishte pasur shtesë rroge. Kishte punuar që herët në Bordin e Privatizimeve (apo të Kthimit të Pronave – gjithnjë i ngatërroj këto institucione) dhe kishte mësuar duhanin edhe alkolin. Nuk e pyeta nëse “kishte bërë ndonjë anonime”, se e dija që duhani dhe alkoli nuk shkojnë bashkë me marrjen e rryshfeteve, por u ndjeva mirë që nuk më mbante më mëri.

Se 1 Prill ishte dreqi ta marrë!

No comments:

Post a Comment