Sa kishte futur këmbët Mijëvjeçari i Ri, kur një miku im ,
një darkë, më pyeti: “Ti Nuçi kë pëlqen më shumë nga filozofët?” dhe si e pa që
nuk po i përgjigjesha shtoi:”…se unë Niçen kam timin”. E pashë pakëz shtrembër,
se jo vetëm isha i lodhur nga dita e punës me ca orë ekstra, por edhe se pyetja
më kishte zënë fare gafil. I spjegova, që nuk kisha lexuar aq libra filozofikë,
sa të isha në gjendje të gjykoja se cili filozof më pëlqente më shumë, por miku
im i dashur, që sa kishte emigruar nga Vatani, ngulte këmbë, që edhe me pak
libra duhet të kisha një më të preferuarin. I thashë me inat, se kur lexoj
ndonjë gjë nga Niçeja më duket, që ka plotësisht të drejtë dhe po njëlloj më
duket, kur lexoj ata që e kundërshtojnë Niçen. Megjithatë, i sapoardhuri në
Kanada, që kishte lexuar në atdhe një botim të Niçes(nuk di në ishte
përmbledhje vepra të zgjedhura a ndonjë nga veprat tij), nuk u lodh së
këmbënguluri, që filozofët e mëdhenj kuptohen qartë dhe nuk ka nevojë të lexosh
ata që i kundërshtojnë ose i përkrahin.
Ajo bisedë e shkurtër, që mua më nxorri pa filozof të
preferuar, (atë kohë nuk dija as për ekzistencën e filozofit Artan Fuga) më
shkaktoi një lloj brenge. Mendova se sa i lumtur isha në kohërat, kur nuk kishe
nevojë të lexoje asgjë veç filozofisë marksiste, sepse ishte fjala më e fundit
e filozofisë, bile edhe nuk mund të tejkalohej. Për më tepër edhe Hegelin, nga
i cili Marksi kishte marrë dialektikën, apo Fojerbahun tek i cili ishte
mbështetur kryesisht për materializmin, nuk kishe përse t’i lexoje. Kuptohet,
ata që vinin më pas, do ishin ose filozofë borgjezë ose revisionistë dhe nuk
kishe përse t’i hapje, veç po qe se do të ngarkonin të bëje ndonjë kumtesë për
t’i demaskuar.
Tani e di që është vonë të nxë rreth filozofisë, sepse jo
vetëm, që nuk më mbeten edhe shumë kohë deri sa të më arrijë zvordhitja e plotë
nga librat, por janë aq shumë të përkthyerit në shqip nga përkthyes që kanë ose
s’kanë haber nga filozofia, sa nuk di nga t’ja nisësh. Edhe Niçeja, që mund të
më tërhiqte është ‘i kapur’ nga miku im, i cili rri rri dhe e zë në gojë në
biseda “e thotë bukur Niçeja” dhe vazhdon të citojë thënien e bukur të
filozofit gjerman, e cila i përshtatet bisedës në “Tim Hortons”. Edhe me
Bertrand Rasëll sikur ‘i acarova” punët, që kur fillova t’i kritikoja një esse,
për inat të Benit.
Nuk më mbetet tjetër vetëm të citoj herë herë filozofin
shëtitës, Gaqon e Mitit.
“Dëgjo Nuçi!” do hidhet avokati im, se e di që është
politikisht jo korrekt të thotë:”Dëgjo Niçe!”
No comments:
Post a Comment