Nuk më hiqet nga mendja gjithë këto ditë, fytyra plot
dhimbje dhe dinjitet e Tonit dhe fakti që ka humbur njeriun e dashur të
vetëflijuar. E di që është një dhimbje shumë herë më e madhe se ajo e një
vdekjeje të natyrshme apo edhe e një aksidenti.
Vrasjet janë rrallë herë të paralajmëruara dhe e njëjta gjë
vlen edhe për vetvrasjet. Askush e ka pritur largimin e Brunës deri në çastin
kur e kanë gjetur pa jetë.
Po them se është “e paralajmëruar” duke mësuar sadopak rreth
jetës së saj dhe ngjarjeve të viteve të fundit në Korçë. Në këto rrjeshta mund
të ketë edhe ndonjë pasaktësi, sepse nuk ndodhem atje, ku mund të mësoj
saktësisht, nga goja e Tonit, rreth Brunas dhe shpirtit të saj fisnik.
E ardhur nga një familje e persekutuar, Bruna Cenko kishte
punuar në fabrikën e Fajancës, ku puna për gratë nuk ishte e lehtë. Prej vitit
1993, kur ishte 31 vjeçare dhe me dy fëmijë të vegjël, punoi në Sigurimet
Shoqërore, duke patur një rrogë në fillim modeste, por më vonë një të ardhur
stabël për familjen e saj. Ishte ëndrra e të gjithëve, por sidomos e familjeve
të persekutuara, të kishin një jetë të qetë dhe një punë të sigurt. Ishte si të
thuash, gjetja e lumturisë, pas një kalvari vuajtjesh dhe pasigurie.
Nuk ka qënë e thënë, që për njerëzit që punonin në
administratën shtetërore në Shqipëri, të kishte siguri prej vitit 1993 e më
tej. Cdo jë varej nga cila Parti vinte në pushtetin qendror dhe atë vendor. Në
një ekonomi, ku sektori privat ofron mundësi të pamjaftueshme për punë, një
punë “në shtet” ishte dhe është e lakmuar për të gjithë. Dhe pikërisht këtu
filloi abuzimi I “krokodilëve”, që kanë në dorë të marrin njerëz në punë apo të
pushojnë nga puna. I terrorizojnë të gjithë, por mbi të gjithë e kanë pësuar
dhe e pësojnë njerëzit e ndershëm.
Bruna Cenko(Meka) ishte e tillë. Një punonjëse e ndershme
dhe e përkushtuar ndaj punës.
Sigurisht që është ndjerë e trembur në vitin 1997, kur PS-ja
erdhi në pushtet dhe ndoshta edhe gjatë viteve të tjera deri më 2005.
Megjithatë, falë punës së saj vazhdoi të punonte në të njëjtin institucion dh e
të përballonte jetën e familjes me hallet që I shtoheshin.
Vitin e kaluar, gjatë fushatës më të ashpër të dhjetë
vjetëve të fundit, në FB dhe në mediat shqiptare, paska qënë botuar një letër
që Ana Zhurri(Verushi) i drejtonte Edi Ramës, ku i kërkonte pastrime në
administratë pas fitores në zgjedhje. Sigurisht, që punonjësit e administratës
“dridhen” kur dëgjojnë që fjalë të tilla nuk thuhen vetëm në rrethe të ngushta,
por shprehen hapur dhe me shkrim. “Dridhen” ashtu si “dridheshin” edhe kur pala
tjetër në fuqi, i detyronte të shkonin në Mitingje elektorale apo të deklaronin
se për kë do votonin. Dhe si gjithnjë, ata që tremben më shumë janë njerëzit e
ndershëm. Bruna ishte e tillë.
Rastësisht, autorja e letërs, u bë drejtuese në Sigurimet.
Punonjës të atij institucioni, tregojnë se Bruna theshte “të vdekur mund të më
nxjerrin nga kjo punë“. Ishte gjithshka për të.
Tani Verushi mbrohet duke thënë se nuk e ka pushuar, por
vetëm e ka transferuar. Ka transferuar 40 km larg një grua që mban familjen me
punën e saj dhe që ka të shoqin me kancer.
Bruna Meka u largua e vdekur nga puna! Ashtu siç kishte
paralajmëruar.
Viktimë e terrorit të Partive!
Viktimë e militantëve të verbër!
Do doja shumë të besoja në këtë Javë të Madhe, që Bruna
është ngjitur në qiell në ditën e tretë, por nuk mundem.
Dua vetëm t’i përulem shpirtmadhësi të saj, që edhe në
çastet e fundit të jetës shkrojti “Zoti i faltë!”
No comments:
Post a Comment