Thursday, 3 April 2014

C’mu rrit mjekra mu bo greth!

Merita për këtë titull apo edhe për vetë shkënimin, i takon një mikut tim, i cili nuk e di se mua vërtet po më rritet mjekra dhe nuk po më digjet. Më kishte dërguar këtë këngë nën interpretimin e Dashit të Hikes, për të më kujtuar me marifet, se “kemi mbetur pa Atdhe!” Mu deshën disa dëgjime të kuptoja një pjesë të mirë të fjalëve e megjithatë nuk e kuptova dot të gjithë mesazhin e “kantautorit” nga Elbasani, Shijaku apo Tirana. Ndoshta as ka nevojë ta kuptoj hollësisht, por thjesht të dëgjoj melodinë e shtruar orientale të këngës e të mendoj për kohët e ikura dhe Atdheun e humbur. Kënga vetë është thirrje e një dembeli nën efektin e një droge të lehtë, për të shijuar jetën pa lëvizur as gishtin e vogël.
Unë kam një prirje për të shijuar jetën pa e vrarë shumë “koskën” dhe mendjen, por nuk e shikoj si një gjendje të përhershme, se e di dhe që do më mërzitë. Dhe kjo nuk ka të bëjë me lindjen timë në një qytet ku njerëzit punonin. Thjesht mërzitem edhe nga dembellëku. Ndaj duke dëgjuar tingujt e klarinetës, që i ngjasin edhe timbrit të zërit të Dashit të Hikes, kam zili për malet e fusha të Shqipërisë së Mesme, mbushur me lumenj, vija, zaje dhe jaze, ku njerëzit e dashur të mëmëdheut tim të shtrenjtë, shëllëhen dhe këndojnë nën ndikimin e alkolit dhe drogave të buta “Prej Zotit ka me t’ardh dënimi” apo “ Kënga e Gani Begut”.
Eshtë një jetë aq universale, rrethore, e qetë, epikuriane, ku nuk ke përse të vrasësh mendjen për asgjë që ndodh në botë, veç dilemës të vulgarizuar në shpërehjen “për evlat a për rehat”. Ja dhe poetit popullor të një shekulli e ca më parë, me sy gjysëm të mbyllur dhe të shoqëruar nga gërneta dhe dajreja, nuk i tërhiqte vëmendjen asgjë c’ndodhte përreth në sterre apo në det. Edhe një anije e madhe me vela që dukej se nuk ishte larg “deltës” të Shkumbinit, nuk e trembte se mund të ishte luftarake, por i dukej se do ishte e mbushur me “dylbera” dhe një pjesë të ngarkesës do e lëshonte në Shqipëri.
Një gjë më bën të çuditem në këtë këngë para Oskar Wilde dhe Froidit. Këta dylberat i sillnin nga Veriu i Adriatikut apo nga jugu se një gjë është e qartë, që Shqipëria ishte një “port” ndërmjetës. Edhe tjetër; dylberat bënin edhe ndonjë punë tjetër për ashikët e Shqipërisë së Mesme apo thjesht plotësonin fantazitë e tyre epshore? Edhe një e tretë; Po kur moshoheshin dylberat e huaj, ju lejohej të krijonin familje, apo mbeteshin “kafazë“(truproja) të Lalëve?
Sa gomar që je! (Do hidhet miku im që më dërgoi këngën e Dashit të Hikes.) Po thelbi i këngës dhe gjithë filozofia e saj, ka të bëjë pikërisht me çastin e ngrirë haluçinant dhe me mosvrarjen e mendjes!
Kështu e lëntë!

Po shëllehemi e presim të na bjerë ndonjë gjë nga lart. E në mos qoftë nga ato për “rehat”, do bëjmë si të bëjmë me ndonjë për “evlat”!

No comments:

Post a Comment