Po mundohem të shkruaj
më me përgjegjësi vazhdimin e këtij shkrimi, sepse ka disa javë, që blogun e
lexon një arkitekt në Itali dhe duhet të pranoj që nuk është një koleg dosido
edhe pse është herët ta quaj Mario Bota shqiptar. Ndoshta shkrimi nuk i ngjall
ndonjë interes, por besoj se i sjell kujtime, se është shkolluar në atë, të
cilën e quajmë“shkolla fillore e Arkitekturës”, ose me fjalët e kohës, Dega
Arkitekturë e Fakultetit të Inxhinierisë të UT.
(vijim)
Duke ju rikthyer edhe njëherë dobësive “foshnjore” të
Programeve të arkitekturës dhe Katedrës, e përsëris që ishin të karakterit
objektiv më tepër se sa subjektiv. Nuk mund të pretendosh për një shkollë të
mirë, kur arkitektët e parë shqiptarë kanë filluar të punojnë vetëm në mesin e
dytë të viteve ’30. Deri në atë kohë, “perlat” e arkitekturës shqiptare ishin
krijuar nga mjeshtrat, të cilët nuk kishin studiuar nëpër universitetet
europiane, por falë përvojës dhe shijeve personale kanë lënë monumente të
papërsëritshme. Për vetë natyrën e qyteteve të asaj kohe, arkitektura shqiptare
nuk mori karakteristikat e arkitekturës Mesdhetare, sepse ndërtimet pranë detit
ishin shumë të pakta. Ajo mbeti një arkitekturë ballkanike-malore me tërë
elementët edhe të traditës së para hyrjes të Otomanëve por edhe ato Orientale.
Shembujt më të shquar mbeten Berati, Gjirokastra, Voskopoja etj Më e varfër
ishte arkitektura e zonave fushore, në qytete si Tirana, Shkodra, Elbasani por
edhe Korça. Kjo e fundit pati një zhvillim të madh ekomik në fillimin e shek të
XX-të dhe ndërtimet e saj morën një drejtim krejt tjetër.
Por le të ndalemi në raportet e Shkollës me Traditën. Për të
krijuar një shkollë me baza të shëndosha nuk mjafton vetëm dëshira. As është e
mundur që të kopjosh programet e një Universiteti tjetër dhe të pretendosh se
mund të gjesh lehtë pedagogë për të mësuar më të rinjtë. Thuajse të gjithë
pedagogët e Katedrës së arkitekturës në vitet , kur kam mësuar, nuk kishin
përvojë projektimi. Përjashtohej këtu Ilia Papanikolla, i cili njihte thellë
profesionin, kishte projektuar dhe kishte shumë ç’të të mësonte. Të tjerët
kishin studiuar në BS, Poloni, Ceki apo Tiranë dhe kishin filluar të jepnin
mësim thuajse pa asnjë vit praktike në projektim apo ndërtim. Studentët e
ndjenin këtë dobësi me të kaluar viti i parë, kur kishin filluar të kuptonin se
ç’ishte Arkitektura. Jo vetëm programi që ishte i dobët, por ndjehej mungesa e
thellë e njohurive edhe për arkitekturën tradicionale shqiptare. Asnjeri nuk
dinte të të spjegonte se përse ishte ndërtuar në atë mënyrë dhe në duhej të
përpiqeshim të “imitonim” duke kuptuar thellë, apo thjesht mund të gërmonim
revistat e huaja të Arkitekturës dhe të krijonim shijet apo konceptet tona mbi
të. Kishte një lloj përulje të heshtur të tyre, ndaj Arkitekturës Moderne, kur
bazat ishin hedhur nga Korbyzieja e të tjerë 60 vjet më parë dhe Arkitektura
Botërore po shkonte në të tjera shtigje. Shqetësimet tona(e ndoshta edhe të
studentëve më të rritur)ju ishin bërë present pedagogëve në bisedat me ta edhe
pse duhet të pranoj, që edhe ne na vinte pas hesapi niveli i ulët i programeve
apo kërkesat e pakta të tyre. Fundja ishim të rinj që donim të diplomoheshim pa
"vojtur” shumë.
Rreth asaj kohe, Katedra u përpoq të bënte një rifreskim të
programeve dhe për këtë organizoi një takim me arkitektët, urbanistët dhe
studiuesit më të njohur në Tiranë. Ishte një mbledhje, nga e cila pata
zhgënjimin më të madh, rreth të ardhmes së shkollës apo të ardhmes sime si
arkitekt. Nuk po përmend emrat e diskutantëve se një pjesë e tyre nuk jetojnë
më, por ishte nivel më se i ulët i njohurive apo i “qasjes" ndaj
problemeve komplekse të një shkolle që nxjerr arkitektë dhe urbanistë të
formuar. Dukej që në vitin 1981, asgjë nuk mund të përmirësohej për studentët
shiparë të arkitekturës, të cilët për fat të keq nuk mund të shkonin dhe të
shkolloheshin jashtë.
(vijon)
No comments:
Post a Comment