Sunday, 27 April 2014

Ismaili dhe vitet ‘60

Kam pritur shumë vjet të dëgjoj nga shkrimtarët dhe artistët, të cilët kanë jetuar në ato vite, të tregojnë të vërtetat e viteve ’60 dhe fillimit të viteve ’70 rreth Ismailit dhe raporteve të tij me kolegët, me udhëheqjen, sigurimin e shtetit, Lidhjen e Shkrimtarëve dhe lexuesit. Për fat të keq Dritëroi dhe jo vetëm ai, heshtin rreth interpretimeve jo të sakta që bën Ismaili dhe sidomos ndaj përfundimeve që arrijnë rreth ngjarjeve të asaj kohe, Elena Kadare dhe Ndriçim Kulla në librat e tyre rreth tij.
Vërtet si shkrimtar, Ismailit i lejohet në një roman  të ‘bëjë një “palosje të kohës dhe vitet nga 1963 e deri më 1973 t’i paraqesë të njëjta me ato 1973 deri 1982, por e vërteta historike nuk është e tillë. Dhjetvjeçari i parë, në të cilin zenë vend edhe ngjarjet që lidhen me Dhora Lekën, për të cilat flet Ismaili në intervistën e djeshme, ka qënë dhjetvjeçari me më pak represion ndaj intelektualëve dhe krijuesve. Vazhdonte fryma e zbutjes që kisht enisur prej periudhës të Kongresit të XX-të të Partisë Komuniste të BS dhe edhe pse më 1964 Hrushovi u zevëndësua nga një udhëheqës më dogmatik si Brezhnjevi, E. Hoxha nuk filloi të “shtrëngonte vidat”  në letërsi dhe arte, apo të ndiqte shembullin e Revolucionit Kulturor Kinez. Ishte periudha kur u lejuan përkthimet e autorëve si Heminguej, Remark, Lorka, Frans, Man e plot të tjerë, libra të cilat u hoqën nga qarkullimi pas vitit 1973.
Vetë Ismaili gëzonte jo vetëm statusin e poetit më të mirë, por edhe të prozatorit me një të ardhme të shkëlqyer. Kudo recitoheshin pjesë nga poemat “Përse mendohen këto male”, “Endërr industriale’ dhe më vonë të “Shqiponja fluturojnë lart”. Edhe orientimet për të krijuar vepra për heronjtë e rinj “tip Lej Fen” u kufizuan me disa vjersha e këngë për shkurte Pal Vatën, një film për Adem Rekën e të tjera krijime modeste. Vetë Ismaili shkruajti vetëm një poezi për Fuat Celën, sepse edhe trysnia për vepra të mëdha për heronjtë e rinj nuk ishte e madhe. Prej vitit 1966 kishte filluar të frynte era e  luftës kundër së vjetrës, që më vonë shpuri në të ashtuquajturin “liberalizëm në letërsi dhe arte”.
Sot, kur një pjesë e mirë e personazheve të asaj kohe kanë vdekur mund të shkruhet dhe abuzohet për ‘komplote” të sigurimit me bashkëpuntoren e tij Dhora Leka, ose përpjekjet e saj për të fshehur ose nxjerrë “emrat e rëndësishëm”, por kjo në rastin më të mirë duhet konsideruar si një ‘lajthitje” e Kadaresë. Eshtë fakt , që jo vetëm numuri i shkrimtarëve dhe të artistëve të dënuar në atë dhjetvjeçar ka qënë minimal, por edhe numuri i të dënuarve politikë në përgjithësi ka qënë minimal. Në Shqipëri jo vetëm nuk pati skena të tilla, si ato të mjekëve që tregon Kadareja për në Kinë, por intelektualët nuk ndjenë asnjë lloj shtrëngimi në atë kohë. Ata që u prekën ishin vetëm avokatët, veprimtaria e të cilëve u quajt e panevojshme, por as ata nuk u internuan apo u çuan në burg. Pati cënime në të ardhurat dhe privilegjet e ushtarakëve, si dhe në honoraret e shkrimtarëve, artistëve dhe gazetarëve, por këtu ndalej kufizimi. Nga ana tjetër, shkrimtarët e artistët u inkurajuan më shumë me leje krijuese, nxjerrje në profesion të lirë, studio etj., doemos për të qënë "ndihmës të Partisë në edukimin e brezit të ri”.
Nëse ju hihet në sy i shpejtë, gazetave “Drita”, “Zëri i rinisë“, por edhe “Zëri i Popullit”, në atë dhjetëvjeçar sundon emri i Ismailit më shumë edhe se i Jakov Xoxës, Petro Markos, Dhimitër Shuteriqit, Llazar Siliqit, Sterio Spasses të marë së bashku. Sa për emrat e Kutelit dhe Poradecit ato nuk dukeshin gjëkundi. Ishte periudha e artë e “letërsisë të pas viteve ‘60”, e cila trumbetohej si letërsia e kohës dhe e vërteta. Kadareja, për vetë talentin e tij ishte në krye të listës.
Unë nuk di hollësi për jetëne Dhora Lekës dhe lidhjet e saj me qarqet krijuese apo edhe ato të errëta të Diktaturës. Di që ka qënë një figurë komplekse e njohur herçt me funksionarët më të lartë të Partisë. E besoj edhe vërtetësinë e letrave të saj anonime apo jo anonime, por më duket se përpjekja për t’i lidhur me një komplot të Sigurimit është jo vetëm e zmadhuar, por në mënyrë të ndërgjegjshme e qëllimtë. Tani që ajo nuk është më e gjallë nuk mund të zbulohen as arsyet e vërteta pse i ka bërë letrat.
Vetë reagimi i organeve të Partisë së Beratit, të udhëzuara prej KQ, dëshmojnë se jo vetëm kohët ishin të tjera, por  se mbrojtja që i bënte talentit të Kadaresë Partia në atë kohë ishte e pakufi. Nuk përjashtohet mundësia, që të ishte hapur një dosje për Ismailin si për të gjithë ata që kishin studiuar jashtë e sidomos në Bashkimin Sovjetik. Për më tepër, Ismaili kishte dhënë shenja të një njeriu që kishte prirje disi pro-Perëndimore. Në librin e saj Elena kujton, që Ismaili kishte sjellë nga Moska një aparat projektimi filmash, gjë jo e zakontë dhe e mjaftueshme për të hyrë në listat e atyre që survejohen.

E megjithatë, po e përsëris, që ato kohë ishin krejt të ndryshme nga ato të pas Pleniumit të IV, kur Kadareja vërtet pati periudha të vështira dhe ndoshta vetëm njohja në Europë e shpëtoi nga dyert e burgut. Ishin kohë kur edhe vetë Dhora Leka shpresonte të rehabilitohej dhe kompozonte një opera për Komandantin. A e shpuri në kurthin ndaj Kadaresë zilia për shkrimtarin, inati se nuk kishte pranuar ta ndihmonte për libretin a ndonjë arsye tjetër, këtë të vërtetë kompozitorja e ka marrë me vete në varr. Eshtë fakt, që ajo ka dëshmuar edhe në gjyqin kundër Kadri Hazbiut dhe Fiqret Shehut, gjë që dëshmon për mbetjen e saj si bashkëpuntore e Sigurimit të Shtetit. Në ç’rrethana është rekrutuar, kjo mund të gjendet në arkivat shqiptare, por letra e zbuluar nga “Shqiptarja” nuk është aspak një dëshmi e një komploti të Sigurimit kundër Kadaresë. Përkundrazi dëshmon për cinizmin e tij, kur i preket qoftë edhe një fije interesi. Eshtë interesante se ai nuk dëshmon aspak rreth rrethanave të takimit me Lekën – Lindita në shtëpinë e saj. Nuk është një gjë e çuditshme, që ka shkuar por është një dëshmi më shumë, që 30 vjeçari nuk i trembej një kurthi dhe nuk ndjehej i survejuar. Në vitet ’70 sigurisht nuk do e bënte atë gabim.

No comments:

Post a Comment