Monday, 21 April 2014

Janullatos "Uzurpatori"

E nisa këtë shkrim për të sqaruar më shumë veten rreth një problemi për të cilin ka vite që diskutohet në Mediat shqiptare dhe jo vetëm në to. A i takon Anastas Janullatosit të jetë në krye të Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare?
Nxitje u bënë edhe disa reagime të Benit, që e quante Janullatosin Pinokio(për të mos e rënduar me cilësorin gënjeshtar), cilësim që është ku e ku më i butë se uzurpator,mafioz, shovinist, kolonel i Asfalias, kryezagar e sa e sa të tjera më të rënda, të cilat nuk mund t’i shkruaj këtu.
Po le të supozoj se vërtet në fillimet e rivendosjes së ushtrimit të së drejtës për besim fetar në Shqipëri, qarqe të caktuara të Kishës Greke menduan të përfitojnë nga rasti dhe të shtinin në dorë Kishën Shqiptare me qëllimin final të helenizonin Shqipërinë e Jugut e për t’ja bashkëngjitur përfundimisht Greqisë. Për këtë patën mundësinë, që krijohet një herë në njëmijë vjet, që shteti të ndalojë ushtrimin e fesë dhe si rrjedhojë mos ketë peshkopë shqiptarë të lindur në Shqipëri, që të vendosen në krye të Kishës. Pra ëndrrën për të realizuar Megalidhenë(e cila nuk është më shumë se 120 vjeçare, se vetë shteti grek nuk ka mbushur dot 200 akoma), ja u serviri në pjatë të argjendtë sho Enver me sho Ramiz, kur në vitin 1967 mbyllën kishat ortodokse dhe ca dhespotë e priftërinj i futën në burg.
Po le të mos shkoj aq larg sa 1967-ta se vërtet sho Enver ishte largpamës, por nuk mund të shihte që Ramizi i Vazhdimësisë do e tradhëtonte në vitin 1990. Le t’i referohem një shkrimi të sotëm të një dëshmitari të rifillimit të Kishës Ortodokse, i quajtur Kostaq Xoxa. Shkrimi është pjesë e një debati që ka hapur gazeta “Panorama” rreth çështjes Janullatos.
Kostaq Xoxa ka qënë pjesëtar i një shoqate të Intelektualëve Ortodoksë, të cilët përpiqeshin që në fund të vitit 1990 të ringrinin Kishën Ortodokse Shqiptare dhe që krijuan Këshillin e Kishës. Ai dëshmon se në janar 1991 Patriarkana e Stambollit (jo Kisha Greke, që nuk varet nga ajo Patriarkanë) e caktoi peshkopin Janullatos si Eksark patriarkal(të përkohshëm) deri sa të përgatiteshin kushtet e zgjedhjes së Hierarkisë së Kishës. Në korrik të atij viti Janullatos arriti nëShqipëri me një grup priftërinjsh dhe murgjish për të nisur punën për rimëkëmbjen e Kishës. Ardhja ishte mundësuar  me një vendim të Qeverisë së Stabilitetit. Sipas Xoxës, Janullatosi injoroi Këshillin e kryesuar nga Bidoshi(ku bënte pjesë edhe vetë Xoxa) dhe krijoi një strukturë tjetër me elementë filogrekë, me qëllimin e vetëm të zgjidhej Kryepeshkop!
Për ta kuptuar edhe vetë më mirë këtë skenar bëj pyetjen se ç’synime mund të arrijë greku Janullatos duke u bërë Kryepeshkop, të cilat nuk mund t’i arrijë duke qënë Eksark Patriarkal (po shtoj I përkohshëm.)? Në shkrimin e Intelektualit Ortodoks Xoxa nuk e gjej këtë përgjigje, por le të supozojmë, që në këtë mënyrë, Anastas Janullatos, garantonte qënien e tij në krye të Kishës  deri sa të mos jetë më i aftë fizikisht apo mendërisht.

Për të kuptuar më thellë se sa afatgjatë ishte plani i Janullatosit, duhet të përmendim se Kryepeshkopi i Kishës Ortodkse zgjidhet nga Sinodi i Shenjtë i përbërë nga peshkopë shqiptarë. Në atë kohë nuk kishte asnjë të tillë. Që të jesh peshkop i kishës ortodokse duhet të kesh mbarur një shkollë fetare, të kesh një përvojë si prift i një bashkësie(dhioqeze) dhe të mos jesh i martuar. Për të arritur në një peshkop shqiptar në vitin 1991, duhet të pritej të paktën 7-8 vjet, që të rinj të devotshëm të kryenin studimet fetare dhe t’I përkushtoheshin kishës duke vendosur të mos martoheshin. Në të njëjtën kohë, gjatë praktikës së tyre si priftërinj ata duhet të tregonin pjekuri, urtësi, përkushtim, aftësi udhëheqëse dhe të tjera cilësi të nevojshme për tu bërë peshkop. Edhe pse në nevoja urgjente, Kisha Ortodokse Shqiptare nuk mund të ndiqte praktikën e Qeverisë shqiptare për të bërë juristë në 6 muaj në Shkollën e Plepave.
(vijon)

No comments:

Post a Comment