Tuesday, 8 April 2014

Lagjistat

Kjo fjalë nuk ekziston. Eshtë e sajuar dhe për mua ka kuptimin e një specie njerëzore, që u shfaq për dy-tre dhjetëvjeçarë në Shqipëri d he më vonë u zhduk. Nuk është se ishte një lloj hybrid, se lagjistat jo vetëm çiftoheshin, por disa prej tyre bënin edhe një dorë me fëmijë, të cilët nuk ishte e thënë të ishin medoemos Lagjista.
Unë i gjeta Lagjistat nëpër këmbë dhe nuk mund të them me siguri, se ata u shfaqën në fund të viteve ’40 apo nga fillimi I atyre ’50, se në vitet ’60 ishin atje dhe ishin në lulëzim e sipër. Ata që nuk kanë jetuar atë kohë duhet të mos i ngatërrojnë Lagjistat me Degistat. Këta të fundit ishin punonjës të sektorit violent të Diktaturës dhe paguheshin për punën që bënin(e cila ishte birko violente), ndërsa Lagjistat, me përjashtime shumë të vogla, ishin vullnetarë dhe paqësorë. Vetëm që deshin punët e Partisë dhe Popullit të shkonin sa më mirë , si dhe të futnin pakëz hundët në punët e të tjerëve, por nga këta, që quhen “nosy neighbour” ka në çdo vend të botës.
Ne fillim unë nuk i njihja Lagjistat lagjista, ata që vërtet kontribuonin në punët e lagjes, se zyrat e saj ishin pak si larg nga pallati ku banoja. Të parët që njoha ishin Lagjistat bllokista, ata që drejtonin punët e bllokut nr 1 të lagjes nr 6. Disa e kishin fjalën lagjia të bashkëngjitur me emrin, se nuk mund ta quaje psh Ilua i Bllokut, se mund të merrej si I Bllokut të udhëheqsave ndaj thirrej thjesht Ilua i Lagjes dhe dihej për cilin Ilo bëhej fjalë.
Lagjistat e Bllokut(ata që njoha në fillim)kishin një seli të tyre, jo larg nga sheshi i pallatit tonë dhe me sa kujtoj quhej Këndi I Kuq I Bllokut. Atë kohë togfjalëshi Këndi i Kuq përdorej shpesh, se rreth e rrotull kishim Këndin e Kuq të NTLAP-it, atë të Riparim Shërbimeve dhe të Rrobave të Gatshme. Sepse i quanin Këndi I Kuq nuk e kam kuptuar ndonjëherë, se ato ishin zakonisht salla mbledhjesh që ktheheshin në salla mbrëmjesh vallëzimi, shfaqjesh amatorësh dhe ndonjëherë edhe salla gjyqesh me rëndësi.

Këndi i Kuq i Bllokut ishte një dyqan, ndoshta 5 metra me 7, me muret të mbushur me stenda emulacioni, një tavolinë presidium dhe 3-4 rradhë me stola të gjatë. Ndonjëherë atje bëheshin mbledhje, por kjo ndodhte shumë rrallë, se njerëzve sikur nuk ja u kishte qejfi, që pas mbledhjeve në punë të shkonin edhe në një tjetër në Bllok. Këndi i kuq ishte sin jë vend takimi I Lagjistave, të cilët me siguri që bënin llogje dhe dëgjonin radion që buçiste. Nuk di se si ishte përbërja e atyre që rrinin në Blloqet e tjera të lagjes 6-të apo në blloqet e lagjeve të tjera, por tek i joni ishte një burrë i gjatë serioz, që ma mer mendja ishte komunist, një mësues filloreje që e kishte patur të jatin hoxhë, dy gra që nuk dihej nëse punonin diku apo ishin në KEMP, një epileptik që jetonte atje afër dhe s’kishte ç’bënte në shtëpi, një mësues i një shkolle të mesme, që nuk kuptohej nëse rrinte atje për të rregulluar biografinë apo që mos i fusnin qiraxhinj të tjerë në shtëpi dhe doemos, një kapter i liruar nga reforma e fundit në ushtri. Këtai shin veprimtarët kryesorë të bllokut tonë(asokohe quheshin aktivistë). Burri i gjatë serioz, që duhej të ishte komunist, ishte më duket drejtuesi ose në kishte kryetar, ai duhet të qe Kryetar i Bllokut. Flitej që lagjistat ndihmonin si negociatorë, eleminimin e sherreve mes komshijve, si dhe ato mes anëtarëve të së njëjtës familje, po mua më dukej si çudi, që njerëzit t’ju besonin hallet e tyre burrit të gjatë serioz, dy grave në Kemp,të birit të hoxhës apo kapterit të liruar. Megjithatë dorën në zjarr nuk e ve se deri sa kishte Lagje dhe lagjista, si dhe nuk kishte nga këta “këshilltarët e familjeve” apo të “fqinjësisë“, që ka shpikur këtej Ekonomia e Tregut, dikush e bënte atë punë.
(vijon)

No comments:

Post a Comment