Tuesday, 22 April 2014

Janullatosi "Uzurpator" (fund)

(vijim)
Më tej Xoxa vazhdon me përjetimin e tij se si ishte zhdukur kurora e Kryepeshkopit dhe me aktin e dyshimtë të kurorëzimit në 15 katëshi. Përsëri nuk e ve në dyshim Intelektualin Ortodoks anti-Janullatos, kur thotë se thirrjet “anaksos” nuk u bënë nga elementë myslymanë, që kishin infiltruar në turmën në Kishë, por nga besimtare ortodokse. Nuk është e vështirë, që njerëz që nuk donin Janullatosin(qoftë për qëllime patriotike) të thërrisnin, që ishin kundër kurorëzimit. Megjithatë më mbetet e errët përse këtë nuk e bënte vetë Xoxa me Bidoshin. Për më tepër nuk kuptoj se ç’kërkonte Uran Butka në Kishë kur nuk ishte i ftuar. Si nip i patriotit Sali Butka, me një emër jo të mirë në rrethet e ortodoksëve korçarë, vetë deputeti duhet ta kishte parë të udhës  të rrinte larg “mafiozllëkut” të Janullatosit dhe të Kishës greke apo Patriarkanës së Stambollit.
Manifestimi patriotik në Kishë atë 2 Gusht ka qënë po aq i verbër(nuk po e quaj të orkestruar), sa ç’ka qënë e verbër propaganda anti-Janullatos e 22 viteve të fundit. Pakkush ka kurajon të shkruajë se ç’ka bërë në të vërtetë Kryepeshkopi për Kishën Ortodokse Autoqefale Shqiptare. Edhe shëndoshja e saj ekonomike quhet nga “patriotë“ si Fatos Klosi një e keqe dhe rrjedhim i kthimit të Kishës Shqiptare në një bisht të Kishës Greke. Askund nuk përmenden funksionimi i mirëiI kishave, përpjekjet për rikthimin e pronave të saj, ruajtja e vlerave të pallogaritshme të ikonave dhe të tjera objekteve të artit të Mesjetës e të mëvonshëm. Askush nuk përmend se brenda KOASH-it nuk ka arritur dora e biznesmenëve mafiozë të Djathtë e të Majtë që bëjnë kërdinë me fondet publike tej përtej Shqipërisë. Vetëm flitet me një pasion të verbër kundër dhe përmenden Papa Kristo Negovani, Petro Nini e dëshmorë të tjerë shqiptarë të vrarë nga Kisha Greke.
Me sa kam dëgjuar e lexuar më parë dhe me sa kam lexuar këto ditë, teoria e “uzurpimit” apo e “vetshpalljes” është në rastin më të mirë foshnjarake. Në ka gjëra që janë të uzurpuara, janë mendjet e shumë prej nesh, të uzurpuara nga idetë patriotike dhe antifetare të Komandantit Legjendar. Ishin ato dekada kur Kishat në përgjithësi u paraqitën me ngjyrat më të zeza dhe Vatikani dhe Kisha Greke në veçanti si më të zezat syresh. Propaganda se grekët duan dhe nuk e kanë të vështirë të kthejnë ortodoksët në grekë funksionon shumë mirë në zonat larg Shqipërisë Juglindore, ku ka pak besimtarë ortodoksë dhe ku shumë njerëz kujtojnë se të krishterët i kanë sytë nga Greqia.
JO të dashur bashkëatdhetarë injorantë në çështjet e Ortodoksisë dhe patriotizmit të besimtarëve ortodoksë.
Kemi qënë ne të parët dhe më shumë se të gjithë që kemi kundërshtuar Helenizimin duke derdhur edhe gjak.
Kemi qënë ne të parët në kolonitë e Stambollit, Bukureshtit e Sofjes që përkundëm ndienjën e Shqipërisë Mëvetëse.
Kemi qënë ne të parët që krijuam Kishën Autoqefale dhe këmbëngulëm tek Presidenti Uillson të njihte Shqipërinë.
Kemi qënë ne që krijuam Republikën Autonome të Korçës për të mos lejuar përparimin e grekëve.

Jemi po NE, që e vlerësojmë punën e Kryepeshkopit dhe nuk e quajmë Uzurpator.

No comments:

Post a Comment