Monday, 14 April 2014

“Parisi i vogël”…i kërnackave.

Më ka bezdisur që kur isha adoleshent, shprehja që stërpërdorej kur flitej për Korçën e paraluftës- “Parisi i vogël”. Jo se ja kisha idenë Parisit dhe e krahasoja me të, apo se nuk e doja qytetin tim, por se thuhej me mburrje në vitet kur kultura e Korçës në pçrgjithësi, por edhe ajo qytetare, po shkonte teposhtë. Korça e rinisë sime mbante  një në vendet e fundit në shitjen e librave mes qyteteve të Shqipërisë dhe gjurmët e Liceut francez apo dhe kulturës frënge, që kishte nisur në kohën e Republikës Autonome të vitit 1916 ishin drejt shuarjes. Ish studentët e Liceut ose ishin moshuar, ose në një mënyrë a tjetrën ishin mënjanuar nga jeta e qytetit.
Edhe nëse Korça e viteve ’20, viteve më të arta të saj, nuk ishte vërtet një “Paris i vogël” ishte sipas të shquarit Montanelli, qyteti më perëndimor i Shqipërisë edhe pse gjeografikisht më në lindje të saj. Ishte i tillë sepse njerëzit bënin një jetë qytetare, e cila edhe nëse nuk ishte e njëjte me atë të qyteteve europiane avanguardiste, ishte e ngjashme me më të mirën e qyteteve të Ballkanit. Në ato vite kishte dy kinema të mira, bibliotekë, disa shkolla dansi dhe instrumentash muzikore, disa dyqane librash dhe shumë shoqata. Kishte filluar edhe jeta artistike e një niveli të mirë edhe pse në hapat e para  të saj. Qytetarët dinin të organizoheshin si dhe të mbronin interest e tyre. Liceu Francez kishte ndikim të madh në rritjen e nivelit kulturor dhe qytetar edhe pse duhet thënë, që shumica e popullsisë ishte me origjinë fshatare.
Për fat të keq, e tatëpjeta kulturore e dhjetëvjeçarëve të fundit të diktaturës, nuk u frenua as pas ndryshimit të sistemit dhe hapjes së kufijve. Në këtë shënim të shkurtër, nuk kam qëllim të analizoj shkaqet apo faktorët, por veç të përsërit me keqardhje, që qyteti po i largohet çdo ditë e më shumë atij të paraluftës. Nuk e kam fjalën për ndërtimet dhe rrugët (edhe pse ka problem të mëdha edhe në to), por për kulturën dhe frymën e qytetarisë. E kam konstatuar dhe përmendur disa herë, për reagimet më se vulgare në stadiumin “Skënderbeu”, të turpshme edhe për nivelin e Vlorës apo Kavajës të kohës së Diktaturës. E kam përmendur për shitjen e pakët të librave dhe frekuentimin minimal të Bibliotekës. E kam përmendur edhe për mungesën e shtypit lokal si dhe për gjendjen jo të mirë të teatrit dhe trupave të tjera artistike.
Por mbi të gjitha sot dua ta përmend për nivelin shumë të ulët të solidaritetit qytetar. Eshtë në gjendjen më të mjerë se kurrë.
Qytetarë të Korçës ngriheni kokën dhe përqafoni njëri tjetrin. Eshtë shenja e parë e qytetarisë.
Artistë të Korçës, mundohuni të jini në pararojë të lëvizjeve qytetare dhe mos u bëni "lepitka” të pushtetarëve të çdo ngjyre. Eshtë shenja e qytetarisë të kulturuar.
Mësues të Korçës, ringjallni frymën e viteve më të mira të gjyshërve tuaj. Nuk është e vështirë. Eshtë shenjë e vazhdimit të qytetarisë korçare.
Mos harroni se nëse bjerret përfundimisht qytetaria e Korçës nuk ka më shpresë të rikthehet qytetaria në Shqipëri.

Mos e lini qytetin, që nesër të quhet “Korça e kërnackave”.

No comments:

Post a Comment