Qyteti im ka ndryshuar shumë. Tani jo vetëm , që nuk i njoh
të gjithë VIP-at e tij, por nuk arrij as edhe të kuptoj ngjarjet, njerëzit dhe
marëdhëniet e reja mes tyre. Shpesh, kur të njohur të mij më tregojnë rreth
ndonjë ngjarjeje, ju bëj pyetje, për të cilat ata çuditen, ndaj kam vendosur
mos bëj më , që dhe ata mos mendojnë që jam “out fare”. (Këtë shprehje gjysëm
anglisht gjysëm shqip e kam dëgjuar disa herë në Tiranë para dhjetë vjetësh dhe
nuk di nëse e përdorin në Korçë, ku gjërat përgjithësisht shkojnë me vonesë).
Një nga ndodhitë e fundit, që më treguan dhe rreth të cilës
nuk bëra asnjë pyetje edhe pse më lindën qysh gjatë tregimit disa të tilla, është
shkurtimisht kjo:
Një simpatizante e së djathtës europiane, u kap duke kryer
dashuri gojore(ky përkthim nuk shkon, po doja të ishte sa më pak vulgar)me një
eksponent të së djathtës europiane, në makinën e tij, nga e shoqja e këtij të
fundit edhe kjo e të djathtës europiane, bashkë me disa të njohurës të saj po
simpatizantë të së djathtës europiane. E shoqja e eksponentit, në zjarr e sipër,
e ndihmuar nga të njohurit e saj, i hoqi një dru të mirë, simpatizantes së të
djathtës europiane, e cila në mënyrë të paautorizuar, po përdorte gojën e saj,
për të dëfryer eksponentin. Edhe pas drurit, simpatizantja deklaroi, që nuk do
hiqte dorë nga eksponenti “se kishte investuar shumë për të“.
Në kohën time, jo vetëm që nuk kishte ndodhi të tilla, por
po të t’i tregonte njeri do mendoje se ishte mitoman. Nuk kishte makina, nuk
kishte të djathtë europiane dhe goja përdorej më me kriter. Kishte edhe atë kohë
nga këto “kapjet me presh në dorë ose gjetkë“, por violenca ishte më e
kufizuar. Njerëzit kishin më shumë vetpërmbajtje dhe kishte edhe polici.
Ja këtë doja të pyesja në fillim. Ku ishte policia? Po nuk e bëra pyetjen se mund të më kujtonin që
isha i rrjedhur nga mendtë, se policia nuk ndërhyn në gjëra të thjeshta si
rrahje e sidomos kur rrahjet janë për çështje nderi dhe midis të njohurve.
Një pyetje tjetër, që më shkoi vetëtimthi ishte se si ka mundësi një eksponenti i të djathtës
tradhëton gruan? Kjo pyetje do më nxirrte komplet idiot, se askush nuk mund
të të kuptojë, që e Djathta në çdo vend perëndimor është e lidhur ngushtë me
konservatorizmin dhe me ruajtjen e vlerave morale. Nuk është se eksponentët e të
djathtës në këto vende e mbajnë fare të lidhur, por është shumë e vështirë t’I
gjesh jashtë, në makinën e tyre me “faktin” në një gojë që nuk është e gruas.
Pyetja e tretë ishte: si
ka mundësi që militantët dhe simpatizantët e të njëjtës partie të rrihen mes
tyre?
Këtë e gëlltita menjëherë, se e di që për të rritur vlerat e
dialogut, në Shqipëri njerëzit bëhen sefte peshk brenda partisë.
Pyetja e katërt, ishte më tepër me karakter ekonomik: C’farë kishte investuar simpatizantja tek
eksponenti? E skartova menjëherë se nuk e njoh natyrën e marëdhënieve
ekonomike brenda partisë, familjes dhe marëdhënieve dashurore në atdhe. Ndoshta
simpatizantja mund të kishte investuar në të ardhmen politike të eksponentit.
Pyetja që më mbeti gozhdë në kokë ishte: përse gruaja e Djathtë dhe të njohurit e
saj nuk bënë peshk Eksponentin por Simpatizanten?
Edhe pse nuk kam mundur ta heq ende nga mendja, kam vendosur
mos e bëj as edhe këtë pyetje, sepse e di që të njohurit dashamirës do çakarritin
sytë, ndërsa dashakeqët do nxitojnë t’ju shkruajnë SMS-e miqve, me tekstin: Naumi ka ikur për lesh! (Me shprehjet “normal”,“i
papam” dhe “fiks fare”, “ka ikur për lesh” është në më të përdorurat, kur
flitet për të tjerët në vatan.)
No comments:
Post a Comment