Tuesday, 8 April 2014

“Disidenca” e Tiranës

Nuk di se ,kur e kam pranuar për të parën herë, që shumë “mësime” kundër sistemit komunist, i kam marrë në kryeqytetin tonë të dashur, pikërisht atje ku jetonte Komandanti me bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë.  Që në Tiranë ndjehej gjithnjë një frymë liberale, këtë e kuptoja nga shokët e shoqet e klasës, të cilët vinin në klasën tonë, kur prindërit e tyre transferoheshin në Korçë. Atmosfera në Korçë ishte më e ngurtë, kur bëhej fjala për politikë dhe sidomos pas vitit 1973-74, gjërat po shtrëngoheshin gjithnjë e më shumë. Tregoheshin anekdota “me zarar” nën zë, por në rrethet e mija shoqërore nuk kishte më shumë se kaq. Sigurisht, që shikonim gjithë kohën televizionin jugosllav dhe shfaqjet më të përparuara të tij, si dhe i diskutonim mbarë e prapë, por edhe propaganda e tyre edhe pse nuk ishte “e komunizmit të ashpër” ishte e një të majte ekstreme. Lajmet dhe komentet e RAI-t në vitet ’70 nuk kishin gjithashtu ndonjë objektiviet të dukshëm, se dhe atje kishte një përplasje të ashpër mes ekstremit të majtë dh etë djathtë, që nuk sillte asnjë dobi në orientimin e adoleshentëve të moshës sime. Sporti ishte streha jonë e sigurt dhe bënim tifo për hollandezët, jugosllavët, gjermanët ose anglezët në futboll. Thuajse nuk kishte asnjë tifoz të Italianëve në Korçë.
Edhe pse ishin vitet më të ashpra të diktaturës, në Tiranë ndjemë një liri të plotë(kuptohet në se mund të flitet për Liri nën Diktaturë). Gjatë verës së një viti më parë, kishim qënë të pranishëm në një marrëzi, e cila mund të ndodhë vetëm në qytete provincial, ndaj indiferenca e Kryeqytetit na bëri të ndjehemi të lirshëm që në fillim. (Episodi i verës në Korçë, ishte një thirrja nga veprimtarët e Rinisë e të rinjve që zdërhalleshin sofateve të qendrës së qytetit, në një mbledhje në Pallatin e Kulturës, ku Sekretari i Parë i Rinisë, Jani Ballta, na lexoi Letrën e KQ, në përgjigje të Letrës së Partisë Komuniste të Kinës, e cila shënonte prishjen e marëdhënieve me Kinën. Asnjerit nuk i bëhej vonë për Kinën apo për Letrën e KQ, por ishim të detyruar të dëgjonim, e në fund të mërmëritnim të detyruar “Enver Hoxha Tungjatjeta” për t’i mbajtur avazin Jani Balltës të entusiazmuar nga qëndrimi i Partisë sonë.)
Në shtatorin e 1979-ës unë dhe Riku përfunduam në qytetin e Studentit, ku u sistemuam në dhomat, që na ishin caktuar. Beni u bashkua me ne rreth dy muaj më vonë, se Komiteti Ekzekutiv nuk i kishte dhënë të drejtë studimi dhe Miçua ishte detyruar të trokiste në shumë dyer në Tiranë për ta zgjidhur atë problem aq të rëndësishëm. Mua më kishin caktuar në një dhomë me disa studentë nga Vlora, mes të cilëve vetëm njëri ishte në një degë me mua. Për vlonjatët kisha simpati, se më dukeshin njerëz të besës, kur shkoja verës në Vlorë për plazh, veç që kishin një dialekt të rëndë dhe përdornin shumë të sharra gjatë bisedës. Atë muaj dallova edhe një cilësit tjetër të tyre. Ishin gjithashtu shumë të lidhur me Partinë, por edhe të ndjeshëm. Më duket se ishte një ditë pushimi, kur u zgjova nga një e qarë e përmbajtur. Njëri syresh qante dhe dy të tjerët ishin të përlotur. Kishte vdekur shoku Hysni Kapo. Mua mu duk shumë e çuditshme që qanin për sho Hysni, se le që më vinte pas hesapi, se do bënim edhe goxha orë bosh me të bijën, që do na jepte Histori të Arkitekturës, po se kuptoja se si mund të qaje, kur kishim gjallë shokun Enver dhe shokun Mehmet. (Nuk dija atë kohë ndikimin e madh, që kishte në Vlorë Kapoja dhe mbështetjen pa kufi që ju kishte dhënë vazhdimisht lebërve.) Si u kryen gjithë ceremonitë e përcjelljes të sho Hysni(duhet thënë që sho Enver ka interpretuar ato ditë në mënyrë të shkëlqyer një udhëheqës që përcjell bashkëluftëtarin) u binda që ishte më mirë të rrija me Rikun në dhomë, se atje ishin edhe dy tre shokë të tjerë nga Korça, me të cilët mund të kaloja më mirë. Duhet ta pranoj që lëvizja nuk ishte për arsye politike.

Në klasë që në fillim nisa të rrij dy djem nga Tirana, me të cilët “më ngjiti” shpejt muhabeti. Ishim vetëm 9 studentë dhe prej tyre 6 ishim djem. Të dy tiranasit vinin nga shkolla “Petro Nini”, që ka qënë gjithnjë në pararojë të ‘disidencës” kryeqytetase edhe pse atje kanë qënë nxënës vazhdimisht fëmijë nga të Bllokut apo të funksionarëve të lartë të Nomenklaturës. Të dy shokët (Genc Barbullushin dhe Robin Xoxin), i kujtoja nga konkursi për të hyrë në degën e arkitekturës. Bini, qeshte me mua senacën e parë duke më treguar dikë nga ndonjë qytet i vogël shqiptar, që e mprihte lapsin sikur e latonte me sëpatë, ndërsa Gencin e mbaja mend të përqëndruar kur vizatonim Kinoklubin Studenti. Ishte séanca e dytë e vizatimit dhe bëhej në natyrë në këndin sportive të Qytetit Studenti. Kisha kujtuar se katedra do na jepte telajo ku të mbështesnim fletët e vizatimit dhe pata shkuar me duar në xhepa. Të njëjtën gjë kishte bërë edhe Bini dhe në vendngjarje u kapëm keq se nuk kishim ku të mbështesnim fletët, që ishin jo të vogla. Bini gjeti një copë kompesato në Palestrën e Studentëve ndërsa mua më gjeti një biçikletë të shkoja në hotel të merja dosjen. Ishte një pasdite korriku në Tiranë, ku djersët të kullonin pa patur siket dhe pa ngarë biçikletën.  U ktheva pas një ore dhe zura vend pranë një djali biond të veshur me një këmishë të bardhë të hekurosur mirë dhe shumë të pastër. E pyeta se sa ndarje kishte ‘brisoleja” se ai kishte ecur në vizatim, dhe ai mu përgjigj “kush ka nenj m ei numuru!”. I hoqa një të sharë me mendje, se e kisha në majë të hundës, po më pas e pashë, që kishte pasur të drejtë. Ishte Genc Barbullushi. Kështu e kujtoj njohjen me shokët e mij, të cilët do kontribuonin në “formimin tim disedentar”.
(vijon)

No comments:

Post a Comment