Saturday, 19 April 2014

E kishte fajin sistemi!

Sistemi, ky emër abstrakt ka një fuqi magjike.
Nuk e kujtoj se nga kush e kam dëgjuar shprehjen “E kishte fajin sistemi!”, por më ka pëlqyer që në çastin e parë dhe e bëra timen. Me të mund të shpëtoja nga gjithë gabimet që kisha bërë prej viti 1959 e deri më 1991. Kuptohet, është pak e ekzagjeruar shifra 1959, se atë vit unë bëra “uauaaa” për herë të parë dhe gabimet e mia foshnjarake kanë qënë “normal” dhe s’ka përse të mundohem t’i justifikoj. Por nga mesi I viteve ’60  e tutje, çdo gabim që bëra me dashje apo pa dashje mund t’ja ngjesh sistemit.
Më kujtohet, pak kohë pasi e kisha dëgjuar shprehjen, për varrimin e një të afërmi erdhi prifti i shoqëruar nga një psallt që kishte një zë të bukur baritoni dhe të cilin e njihja, por nuk e dija se ishte fetar i përkushtuar. Baritonsi kishte qënë i detyruar të ishte për shumë vjet komunist dhe kur e pyeta mënjanë “Sistemi?” më tundi kokën plot miratim e dhimbje. E pata të qartë se si e kishte detyruar Sistemi të ndrydhte thellë ndërgjegjes së tij përkushtimin ndaj fesë ortodokse.
Aq e bukur dhe e thjeshtë është kjo shprehje dhe njëkohësisht universale, sa që filloi të përdorej edhe për ngjarje që nuk ndodhnin në kohën e “Sistemit”, por në kohën post-sistem.  Më qëlloi njëherë të shkoja në një shkollë fshati, e cila ishte dëmtuar në mënyrë vandale dhe Kryeplaku i fshatit ja hodhi fajin sistemit. Kur këmbëngula duke e pyetur, se ç’lidhje kishte sistemi i kaluar me xhamat dhe bangot e thyera, pasi u mendua pak e gjeti zgjidhjen dhe tha “Këto janë nga Eksodi!”. Ishte gjetur një emër tjetër, gjysëm abstrakt e gjysëm konkret, të cilit Kryeplaku nuk ja dinte kuptimin, por që më mbylli gojën mua.
Më vonë, u gjetën të tjerë emra, fjalë, data apo togfjalsha, të cilët shpjegonin si me magji, shkaqet që diçka kishte ndodhur në mënyrë objektive. Për shembull përdorej shpesh “1997-ta”, “vrasja e Azem Hajdarit”, “Gërdeci”, “ statusi i pamiratuar i nëpunësit”, “ligji elektoral” dhe tashti së fundmi me siguri do përdoren “refuzimi i vendit kandidat” ose “ndarja e re territorial”. Gjithmonë kanë qënë e do jenë këto objektivet që nuk na lënë të ngremë kokë, se ne njerëzit me emra dhe mbiemra të caktuar nuk kemi as faj dhe as përgjegjësi. “C’ti bënim ne sistemit?!”
Këtë mendova edhe një ditë, kur i nervozuar, doja të zija për gryke, një ish- funksionar, që firmoste listat e familjeve që internoheshin, sepse kryesonte Komisionin e Dëbim-Internimeve. E dija që do ngrinte supet dhe me një buzëqeshje të pafajshme do më pëshpëriste:

“E kishte fajin Sistemi!”

No comments:

Post a Comment