Thursday, 24 April 2014

Pse nuk mund të ketë për një dhjetvjeçar përmirësime në Drejtësi

Edhe pse një jurist, me një praktikë rreth 25 vjeçare, ka sugjeruar, që ata që janë “jashtë valles” dhe “jashtë Shqipërisë“ bëjnë mirë të mos shprehen për këto probleme, unë po marr kurajën e po shpreh disa ide të cekta, se pse drejtësia jonë do vuajë edhe të paktën një dekadë nga sëmundja e “mosdhënies drejtësi”. Janë thjesht hamendësime të cekta duke krahasuar sistemin anglo-sakson të vendit ku jetoj, me ato ç’kam parë dhe ç’kam dëgjuar për Sistemin Juridik Shqiptar gjatë 25 vjetëve të fundit , por edhe dy dekada më parë.
Në mars të vitit 1994, një miku im avokat nga Mejni vizitoi Korçën dhe ishte shumë kureshtar të mësonte se ç’ndodhte në çdo sektor të jetës shqiptare. Mes shumë vizitash bëmë edhe një në Gjykatën e Rrethit dhe na u dha mundësia edhe të takonim një gjykatës, I cili fliste anglisht dhe mund t’I përgjigjej vetë pyetjeve të avokatit amerikan. Korridoret ishin shumë rrëmujë, por e njëjta gjë ishte edhe në zyrën e gjykatësit, ku hynin e dilnin sekretare, avokatë, të njohur, ish të dënuar e të tjerë njerëz. Miku im u bë kureshtar dhe më pyeti se ç’janë këta që hyjnë e dalin dhe pasi e mësoi qeshi nën buzë. Zyra e gjykatësit ishte pak ta quajmë “han me dy porta”. Më vonë më spjegoi se sa e pamundur ishte të takoje një gjykatës në Amerikë dhe sidomos kur kishe një çështje me të.
Sigurisht që gjendja sot, pas 20 vitesh nuk i ngjet aspak asaj, që pashë atë vit bashkë me avokatin amerikan. Ka vetëm diçka të njëjtë. Gjykaësit që nuk kanë dalë në pension. Ata tani janë në zyra të tjera, me roje dhe makina metaldalluese në hyrje të gjykatës dhe në zyrat e tyre apo në korridore nuk ka më rrëmujë. A dinë më shumë se dinin 20 vjet më parë edhe pse e kam me dyshim po them se- PO. Kushdo pas një periudhë shtesë prej 20 vitesh diçka mëson më shumë rreth profesionit.
Niveli intelektual i gjykatësve edhe pse mund të jetë i përmirësuar, ka një kusur shumë të madh, të cilin e kam përmendur edhe në shkrime të tjera më parë.

Juristët shqiptarë që janë diplomuar prej vitit 1974 e deri më 1989, me përjashtime të rralla kanë qënë ndër nxënësit më të dobët të gjimnazeve, që mund të shkonin në Universitet. Sidomos ata të diplomuar deri në vitin 1985-86, që kanë qënë të brezave që i kam njohur. Arsyeja ka qënë e thjeshtë. Diktatura e goditi deri në rrënjë Sistemin e Drejtësisë sepse nuk i duhej të mbrohej e Drejta. Thjesht i duhej të mbrohej Vija e Partisë, që ishte një vijë dredharake, që e përcaktonte Komandanti. Gjykatësit e Prokurorët duhet të dinin sa më pak e të ishin të aftë të bënin sa më pak pyetje rreth Drejtësisë dhe Moralit. Të ishin të verbër(si e kërkon drejtësia me peshore dhe shpatë) dhe të vinin nga familje që ishin të çimentuara rreth Partisë. Në gjykatë shpesh favorizoheshin karrierat e sekretarëve, të cilët ishin të rinj që nuk kishin fituar dot të drejtat e studimit për shkak të notave shumë të ulëta, por që eksperienca në mbajtjen e proces-verbaleve gjatë gjyqeve i ndihmonte që me korrespondencë të bëshin juristë dhe më tej gjykatësa. Mendoni pak të dashur miq se ç’farë sensi të drejtësisë mund të kishte psh gjyqtari faqekuq Stavri Kallço, që nuk mund të shkonte dot në shkollë se kishte një kokë pak dembele(kërcente shumë mirë valle në grupin e Pallatit të Kulturës), por ishte në gjendje që jo vetëm të gjykonte njerëz më vonë, por edhe të drejtonte Gjykatën e Apelit në Korçë.
(vijon)

No comments:

Post a Comment