Monday, 21 April 2014

Po Devoll, i tille qenkam une... (fund)

Zelli devolli i Zotos vazhdoi deri rreth vitit 1986, kur u zëvendësua për një kohë të shkurtër si drejtor i teatrit, për tu rikthyer sërish. Para periudhës së  largimit të përkohshëm, në teatër ishte emëruar edhe një libretist, i cili ndoshta kishte meritën se i përshtatej udhëheqjes së Orgockës dhe drejtorit Zoto. Më vonë, libretisti u zëvendësua nga njëri nga poetët dhe shkrimtarët e shumtë që kishte nxjerrë Devolli gjatë viteve ’80. Quhej Skënder Rusi dhe duke patur problem të strehimit dhe të stabilizimit, që në përgjithësi kishin në atë kohë të ardhurit nga fshati, nuk mund të ishte kundërshtar i linjës tradicionale të prapambetur e të partishme të Teatrit. Nuk mund të flas për aftësitë dhe kulturën e tij se nuk më është dhënë rasti t’ja njoh dhe në përgjithësi është shumë i përmbajtur. Di thjesht, që atmosfera e injorancës dhe intrigave në Teatër u kthye në mbytëse për regjisorin e talentuar Emil Bibolli. Ishte një artist inteligjent i konsideruar me shumë të ardhme në rrethet e Institutit të Arteve dhe të tjerave kulturore në Tiranë, por që pas disa viteve u largua nga Korça në Greqi ku punoi si regjisor i një trupe teatri. Me vetvrasjen e tij në vitin 1992, teatri I Korçës humbi edhe njëherë mundësinë për të dalë në një të ardhme nga mediokriteti I zhytur prej gjysmës së dytë të viteve ’70.
Në vitet ’70, një tjetër poet nga Devolli ishte përpjekur të hynte vrullshëm në jetën kulturore të Korçës. Quhej Agim Isaku dhe pas studimeve ju "atashua" Grupit të famshëm të poetëve të Lezhës, nga të cilët pas viteve ’90 patëm shumë politikanë. Edhe karriera letrare e Isakut nuk pati jetë të gjatë, por si shërbëtor politikanësh u shqua dhe u shpërblye deri me poste ambasadori. Ka një proces gjyqësor ndaj devolliut Isaku, për fshehje të pasurive, por zakonisht të aftët sulmohen nga kundërshtarët. Isaku duhet të jetë i tillë përderisa ka pak libra të botuar, por shumë euro në llogaritë e tij bankare. Ndoshta ka qënë devolli punëtor dhe shërbëtor i zellshëm i Udhëheqësit të tij Nano.
Një tjetër poet dhe fabulist i trevave të Devollit, me sa më kujtohet ishte edhe Skënder Demolli, i cili vërtitej në vitet ’80 në qarqet lokale të gazetarisë. Firmën e tij nuk e kam parë më në Mediat shqiptare, që tani gëlojnë nga emra të rinj të ardhur nga gjithë qoshet e Atdheut. Duket që Demolli do ketë emigruar ose ka zgjedhur një tjetër profesion në këtë kohë të Ekonomisë së Tregut.
Traditën e krijuar në drejtimin e arsimit në Korçë nga Nexhdet Merua(rahmet pastë) e vazhduan disa Mero të fisit të tij pas vitit ’90. Më I suksesshmi quhet Gjergji Mero dhe është rektor i Universitetit të Korçës. Nuk jam i sigurt nëse ka mbaruar Agronomi po në Korçë dhe përtoj të gjej në internet Cv-në e tij. Nëse është agronom kjo e lidh më shumë me tokën dhe poezinë e Devollit. Ndaj duke spërdredhur pak vargjet e më të famshmit devolli mund të them për ta mbyllur.
“Po Devoll,
I tillë qënkam unë,
Kam marrë baltën tënde arave,
Në një trastë leshi nënë gunë,

T’ja hedh Korçës së Voskopojarëve!”

No comments:

Post a Comment