Friday, 25 April 2014

Shkolla Shqiptare e Arkitektures (4)

(vijim)
Shkollimi qoftë i individëve që spikasnin ishte tabu për Arkitekturën, sepse konsiderohej më shumë si një degë Arti se sa Inxhinierike, ndaj dhe ndryshe nga Inxhinieritë e tjera, prej të cilave herë herë dërgoheshin në Perëndim studentë pasi përfundonin vitin e dytë, për degën e Arkitekturë-Urbanistikës nuk bëhej fjalë. Sot e gjykoj, që ishte vërtet fatkeqësi për brezat e arkitektëve të viteve ’90 e më tej, që nuk patën pedagogë të studiuar në Perëndim. Edhe pedagogët e Katedrës e kishin shumë të vështirë të shkonin për ndonjë specializim disa mujor edhe pse gati të gjithë ishin të “pastër” ideologjikisht dhe me lidhje të mira me Nomenklaturën. Më kujtohet, që pas një vizite dy javore në Suedi, shefi i Katedrës ark.Besim Daja, që mbase kishte mbi 10 vjetë, që nuk e kishte kaluar kufirin, erdhi i mrekulluar nga thjeshtësia dhe bukuria e ndërtimeve në Skandinavi. Kuptohet, që prirja e të gjithë pedagogëve ishte për një arkitekturë racionale dhe njëkohësisht moderne, por thjesht ju mungonte arsimimi i duhur, për ta përcjellë tek ne studentët.
Në fundin e viteve ’80, pati specializime të tyre, por asgjë nuk mund të arrihet me kurse disa mujore apo edhe njëvjeçare, të dikujt , që është formuar në një shkollë të prapambetur të Arkitekturës (Europën Lindore) apo në një shkollë shumë të dobët, si shkolla jonë.
Dobësitë rrënjësore të formimit të arkitektëve shqiptarë, ranë në sy që në vitet e para, kur liria e projektimit ishte e garantuar nga ndryshimi i sistemit. Nuk dua të ndalem në problemet shumë të mëdha që u krijuan në Arkitekturën dhe Urbanistikën e qyteteve Shqiptarë, sepse është një temë shumë e gjerë edhe pse e lidhur ngushtë me atë rreth të cilës po shkruaj. Do mundohem të përqëndrohem në ato që quaj “faktorë subjektivë“ e që kanë të bëjnë me “dembelizmin intelektual” të pedagogëve dhe ndoshta deri edhe në “dashakeqësinë“ e tyre të shprehur në mënyrën se si i përcillnin dijet.
Nuk di se sa nga pedagogët e mij janë ende gjallë, por do mundohem të ruaj një lloj etike “për të mos folur keq për të vdekurit”.
Diku kam përmendur, se i vetmi pedagog me shumë njohuri dhe që dinte edhe të na mësonte ishte ing. Ilia Papanikolla. Brezat e arkitektëve, që kanë mësuar prej tij i detyrohen shumë punës së tij këmbëngulëse, njohurive dhe dëshirës së madhe “për të futur në kokën e studentëve ato që kishte në kokën e tij”. Ilia njihte thellësisht atë që është në bazën e formimit të një arkitekti – detajin Arkitekturor. Ato ç’ka mësuam në Lëndën e tij dhe nga Librat e tij shkollore, i përdorëm për kohë të gjatë se nuk ishin pas edhe nga detajet apo materialet, që përdoreshin në vitet ’90.
Pedagogu tjetër prej të cilit mund të mësoje ishte ing.Agron Lufi, i cili, për fatin tonë të keq, jepte vetëm Godina Industriale në ato vite. Gon Lufi mbeti edhe më vonë një profesionist serioz si në mësimdhënie por edhe në projektim. Megjithatë edhe ai ka më vonë përgjegjësitë e tij për nivelin e shkollës shqiptare të arkitekturës, sepse drejtoi për shumë vjet Katedrën apo edhe Fakultetin.
Ndikimin më negativ në Shkollën e Arkitekturës e ka pasur ing. Tamara Gjoka. Në vitet tona, ajo nuk jepte lëndë të një rëndësie të dorës së parë, por dukej që kishte ndikim në Katedër në mënyrën se si n dërtoheshin apo si pengoheshin programet. Ing. Gjoka apo Eftimi ishte prototipi i pedagogut në një Shkollë në Lindje, që pretendon se tregohet “mendjehapur”, Por jo vetëm nuk është i tillë, por ka edhe zilinë e një profesionisti mediokër e meskin, që nuk do të dëgjojë mirë, jo vetëm për kolegët projektues, por nuk do as studentët të kalojnë nivelin e tij. Ishte tipikja, që dëshëronte që studentët mos kërkonin ‘linja të reja’, qoftë në ide por edhe thjesht në mënyrat grafike të paraqitjes së projekteve. Kam ndjerë keqardhje për brezat e ardhshëm të arkitektëve, kur kam mësuar se roli i Tamaras në katedër rritej dhe arriti deri sa të bëhej edhe Rektore e Universitetit Politeknik. Duket që ne kemi qënë më me fat, që mësuam me të vetëm në dy vitet e para, dhe u zhgënjyem që në mbylljen e vitit të parë.
Ndryshimin e madh midis pedagogëve të katedrës dhetë atyre të jashtëm, që punonin në Institutin e Projektimeve e dalluam në vitin e fundit, kur lëndën e kompozicionit, e cila përfshinte dy projekte me rëndësi e bëmë me ark. Valentina Pistoli. Fryma që sillte arkitektja e nderuar ishte fryma e projektimit të vërtetë, të llogjikshëm dhe me liri për të kërkuar gjëra të reja, kuptohet brenda kufizimeve në material apo edhe atyre estetike. Edhe pse vinte nga një shkollë e Lindjes, përvoja mbi 20-vjeçare në projektim dhe vullneti i saj e kishin bërë ndër projektueset më të mira në Shqipëri dhe pedagogen tonë më të mirë të projektimit arkitekturor. Valentina kishte një njohje shumë të mirë të konstruksionit si edhe të elementëve të tjar të infrastrukturës të një godine.

Nuk di nëse arkitektët e tjerë të Institutit 1, të cilët punuan më vonë si pedaogë të jashtëm, kishin të njëjtin nivel apo edhe më të mirë se ark.Pistoli. Ne kishim pasur vetëm për një semestër ark. Klement Kolanecin, i cili na jepte Historinë e arkitekturës Moderne, e cila për vetë natyrën ishte një lëndë delikate për kohën. Nuk mësuam ndonjë gjë të madhe dhe edhe sot kujtoj vetëm faktin që na gënjeu vazhdimisht se do na jepte leksionet e shaptiluara. Ndoshta edhe vetë Kolaneci edhe pse dhëndri i E.hoxhës, kishte frikë të linte material të shkruara për arkitekturën e shek. të XX-të.
(vijon)

No comments:

Post a Comment