Monday, 21 April 2014

Lagjistat (2)

(vijim)
Ngarkesa e lagjistave lagjista, si dhe e atyre Lagjista bllokista, u shtua shumë, kur Republika jonë Popullore doli nga Traktati i Varshavës. Në atë kohë , mbi shpatullat e tyre të pastërvitura, rra barra e strehimit të popullsisë në Vend Strehime, për tu mbrojtur nga sulmet e mundshme ajrore të agresorëve sovjetikë, se rreziku i sulmeve anglo-amerikane kishte q[n[ gjithnj[ i pranish[m. Deri atë kohë, Partia nuk e kishte parë të arsyeshme të kishte vendstrehime ajrore, se duket që Traktati i Varshavës do na mbronte, por kur mbetëm jashtë çdo Aleance Ushtarake, sigurisht që ata që na kishin halë në sy do mundoheshin të na gjunjëzonin dhe si kishte treguar përvoja e Luftës së Dytë. Përpjekjet për gjunjëzim fillonin me sulme ajrore. Gjatë luftës së Dytë, në Korçë kishte bombarduar një herë një avion englez, që don’te të hidhte një bombë në kazermat e Italianëve, por bomba kishte përfunduar vetëm 300 metra larg në një shtëpi pranë Lumit. Shtëpia kishte mbetur e shkatërruar, se duket që englezët me preteksin e incidentit të Korfuzit mbanin jo vetëm arin shqiptar, po nuk paguanin as dëmshpërblime për viktimat. Shtëpia e shkatërruar ishte një shembull i qartë se ç’mund të bënin aviatorët revizionistë, nëse do donin të bombardonin të themi fushën e avionave në Lumalas. Bombat me siguri do binin në lagjen 3, ose si e quante një professor i nderuar i rusishtes në “pellgu Tropolia”.
Detyra e Lagjistave nuk ishte të përcaktonte pikat më të nxehta ku mund të bombardonin gabimisht revisionistët dhe imperialist[t e të gjitha ngjyrave, por të organizonin, stërvitnin popullsinë për një evakuim sa më të shpejtë dhe efikas në çastin kur do binte sirena e Alarmit Ajror. Dhe kjo mund të isht e një punë e lehtë për kapterin në lirim, por jo për gratë në Kemp apo për të birin e hoxhës. Sidoqoftë, ata e përballuan me sukses dhe në disa prova reale , që u bënë, e gjithë popullsia, që nuk mund të merrte armët(pleq, fëmijë, gra) lëvizi me shpejtësi, drejt v/strehimit, i cili për ne ishte bodrumi i thellë i Hotel “Krimesë“(sot Pallas). Njëra pjesë e v/strehimit kishte ujra, të cilat nuk e di në ishin nëntokësore apo nga ndonjë plasje tubi, por më kujtohet mirë, që ajo pjesë pa dritë gëlonte edhe nga ca minj topolakë e të zinj, që nuk afroheshin në pjesën ku dëgjoheshin zëra njerëzish dhe dallohej dritë elektrike.

Në të njëjtën kohë, filloi edhe ndërtimi i v/strehimeve të reja, të cilat sipas fjalëve të lagjistave do ishin në gjendje t’i rezistonin edhe një sulmi të mundshëm me bombë atomike! Vendstrehimet hapeshin rreth tre metra nëntokë me punë vullnetare nga banorët e bllokut. Zaten atë gjë duhet ta bënin baballarët tanë se ishte për të shpëtuar kokat e familjeve të tyre. Vendi jonë i ardhshëm i strehimit do ishte jo më shumë se 200 metra larg Pallatit. Ishte llogaritur që edhe më i moshuari të arrinte nga kati i 5-të e deri në qoshen e tij të v/strehimit në më pak se 12 minuta. Kuptohet, po qe se sistemi radar i Ushtris[ Popullore do vepronte me përpikmëri, nga hyrja e një avioni në hapësirën tonë ajrore e deri në hedhjen e bombës(largqoftë atomike)mbi Pallatin  tonë i duheshin  jo më shumë se 3 minuta, por ne mbështeteshim shumë edhe në cilësitë e Sigurimit tonë të kryesuar nga “dhelpra’ Kadri Hazbiu, që do mësonte në kohë jo vetëm kohën kur avionët do niseshin nga aerodromi i Kosturit, por edhe pikat që do bombardoheshin dhe llojin e bombave që do përdoreshin. Ndaj që të gjithë ishim të qetë se edhe e moshuara Thomaidhë, që çalonte nga njëra këmbë, do arrinte si kokrra e mollës në vendstrehimin e ri.
(vijon)

No comments:

Post a Comment