Thursday, 10 April 2014

Po Devoll, i tillë qënkam unë…

Shkrimi i mëposhtëm ka shumë pak të bëjë(ose të themi aspak) me autorin e këtij vargu, poetin dhe shkrimtarin devolli, Dritëro Agolli. Lidhet me një numur të madh krijuesish e drejtuesish të kulturës në Korçë, të cilët rastësisht, origjinën e tyre e kishin nga ‘baltrat” përreth Lumit më të madh të asaj treve.
Ideja për një shkrim të tillë ka qënë shumë e hershme. Në fund të viteve ’80, kur ishin lindur të dy bijat time dhe në shtëpi kishin humbur edhe “100 përrallat” si dhe “Na ishte njëherë“ të Vëllezërve Grim, e ndjeja të nevojshme t’ju tregoja përralla të reja, të sajuara nga unë, sepse nuk besoja se ato që mbushnin revistat “Fatosi” dhe “Pionieri” kishin ndonjë vlerë. Kështu nisa ciklin me përralla të Rosakut Dum Dum, i cili vërtitej nëpër botë. Në njërën nga aventurat e tij, Dum Dumi shkonte në një ishull nga balta e të cilit dilnin disa lloj kafshësh këngëtare. Nuk e kujtoj as se ç’lloj kafshësh kisha përshkruar, se të gjitha dorëshkrimet kanë humbur, por e kujtoj mirë, që aludohej për ‘baltën e Devollit”, e cila pillte pambarim shkrimtarë dhe poetë.
Në Shqipërinë e viteve ’80, kishte tre qendra të fuqishme që nxirrnin krijues pareshtur, jashtë Tiranës. E para ishte Tropoja, e cila kishte prodhuar rreth 25 copë Buçpapaj dhe disa krijues të tjerë me mbiemra jo Buçpapaj, e dyta Lezha, që duke filluar me Rudolf Markun dhe Preç Zogajn, kishte edhe një numur tjetër jo të vogël krijuesish dhe i treti Devolli, që nxirrte shkrimtarë, të cilët transferoheshin në Korçë.
Unë nuk e di se si krijohen tradita të tilla, sepse ka pak shembuj në Historinë e Letërsisë Botërore, por them që në Korçë, kjo traditë fillon nga fundi i viteve ’60, kur Sekretari i Parë ishte famëkeqi Mihallaq Ziçishti. Diktatura kishte krijuar një ngurtësim të lëvizjes së njerëzve, ndaj për të shpëtuar nga fshati me kushtet e tij jo shumë komode, shumë të rinj ëndërronin të transferoheshin në qytetet e mëdhenj. Mënyra më e thjeshtë, nëse nuk kishe problem biografie, ishte të mësoje në shkollë dhe të ndiqje studimet në Tiranë, për degë, të cilat të garantonin një vend pune në qytet. Jo të gjithë mund të shkëlqenin në shkollë, për më tepër, kur shumë prej tyre duhet të bënin shkollën e mesme në Bilisht, ku duhet të shkonin për orë të tëra më këmbë. Një mënyrë e garantuar ishte të filloje karrierën ushtarake që në shkollën “Skënderbeg” e më pas të bëheshe oficer në Shkollën e Bashkuar, karrierë, të cilën e ndoqën shumë të rinj nga fshati. Të tjera mënyra mbeteshin të bëheshin sportistë të shquar ose artistë të shquar, gjëra që kërkonin talent dhe shumë punë. Këto ama të bënin edhe një lloj VIP-i jo vetëm në sytë e bashkëfshatarëve, por po të kishe fat edhe në sytë e gjithë Kombit.
Ja të tilla ëndrra thurrnin edhe devollinjtë e Devollit të Sipërm dhe ata të Devollit të Poshtëm në vitet ’50, ’60 e më vonë. Një prej tyre ishte edhe letrari i ri Petraq Zoto, nga fshati Ziçisht, i cili kur bënte ushtrinë, I tregonte një letrari tjetër korçar, Rafail Stavres, që një ditë do bëhej ministër! Duhet të kishte mbaruar shkollën pedagogjike dhe mund të mbetej tërë jetën mësues filloreje në një fshat ndaj i duhej një shkollë me korrepondencë si dhe shumë krijimtari, për të ikur nga Ziçishti dhe për të kontribuar sa më shumë për Atdheun. Endrrën ja plotësoi bashkëfshatari i tij, sekretar i Parë i rrethit, i cili e vuri drejtor të Shtëpisë së Kulturës “Ali Kelmendi” të Korçës. Krijuesi Petraq Zoto kisht ebotuar disa vjersha dhe tregime për fëmijë dhe po punonte edhe për romanin e tij “Verka”, që do ishte në  romanet e parë shqiptarë për fëmijë. Mihallaqi nuk merte vesh nga letërsia, por kuptonte mirë Devollin, devollinjtë dhe sidomos politikën për të vënë në krye njerëz të njohur, që do të thonë “peqe lepe” dhe që do të jenë gjithë jetën mirënjohës. Të njëjtën gjë bëri në seksionin e arsim-kulturës, ku pas daljes në pension të njeriut vërtet të arsimuar, Kristaq Cepa, u vu një mësues nga Bilishti, i quajtur Nexhdet Mero. Filloi periudha e ‘artë“ e kontrollit të kulturës dhe artit në Korçë nga devollinjtë, jo dhe aq të “gramatepsur”.

Dikush mund të hidhet e thotë, që të dy të sipërpërmendurit ishin të diplomuar edhe pse me korrespondencë. Sigurisht që ishin. Në kohën kur shkrimtari dhe drejtuesi Petraq Zoto mbaronte arsimin e mesëm, edhe ‘preshtë“ i dërgonin në Universitet se kishte nevojë të pafund për të diplomuar. E megjithatë, drejtori i  Pallatit të Kulturës e më vonë i Teatrit, nuk hynte dot as në kategorinë “presh”. (Harrova të përmend, që të dy të emëruarit ishin anëtarë partie. Për të hyrë në të mjaftonte pak talent dhe shumë devotshmëri.)
(vijon)

No comments:

Post a Comment