(vijim)
Orientimet për përshtatjen me jetën e studentit, i merrja
nga “mentori” im i përhershëm, të cilin e kisha ndjekur në sherret me Gaqo
Tashon dhe në notën e thyer në sjellje. Griga ishte në vitin e tretë të
Inxhinierisë të Minierave dhe në njohje të plotë të jetës së ditës e të natës
së Tiranës të asaj kohe. (Tirana e vjeshtës 1979 nuk kishte ndonjë jetë nate,
se edhe klubi i vetëm 24 orësh, sikur ishte mbyllur ose ishte drejt mbylljes.)
Ai më sugjeroi të blija latat e shtatorit(latat ishin biletat e ngr[nies n[
menc[) dhe më vonë të ndiqja shembullin e tij të të ngrënit në restorant
“Elbasani”. Sigurisht që ashtu bëra dhe
n[ n[ntor filluam t[ hanim n[ "Elbasani" bashkë me Rikun dhe
Benin.
Atë vjeshtë festohej 35 vjetori i Clirimit dhe i gjithë
Universiteti kishte një program në funksion të festimeve. Nj[ herë në 5 vjet
bëhej një paradë e madhe ushtarake më 29 Nëntor, ku demonstrohej jo vetëm
uniteti i Popullit me Partinë, po dhe fuqia ushtarake e Ushtrisë së popullit
ushtar.
Studentët më të gjetë i morën në provat për paradën, gjë të
cilës shumica donin t’i shmangeshin, por nuk ishte e lehtë. Duheshin raporte
pas raportesh, se në të kundërt mund edhe të të fusnin Në kallëpët” e
“mosdashjes të parakaloje para udhëheqjes". Më të shkurtrit dhe ata që
gjenin raport mjekësor, përfunduan në Ushtrimet e Manifestimit, të cilat ishin
tejet më të lehta se parada ushtarake. Provat e ushtrimeve bëheshin pasdite
vonë në Qytetin e Studentit dhe nuk harxhonja kohë, pas gjumit të pasdites të
shkoja avash avash dhe të zhgrryhesha në fushën e futbollit ngjitur me
konviktin tonë. Si çdo gjë në Shqipëri, provat fillonin me dy orë vonesë dhe
gjithnjë kishte ndërprerje të gjata dhe diskutime mes organizatorëve, të cilët
ishin pedagogë të fiskulturës dhe automatikisht kontigjenti më kokëtrashë i
pedagogëve të Universitetit.
Në tetor, ne të shkurtrit dhe raportsat na dërguan për punë
prodhuese në Rrilë të Lezhës për të korrur misrat në Ndërmarjen Bujqësore a
kooperativën e Rrilës. Të gjetët ndenjën në Tiranë për tu ushtruar sa më mirë
në kuadratet e paradës. Nga klasa isha vetëm unë me Gencin, se studentët e
tjerë ishin të gjithë kuadratsa. Pasditen e parë të tetorit përfunduam para një
kapanoni dykatësh, në mes të fushës, ndanë fshatit Rrilë. Ndërtesa ishte
ngritur enkas për aksionistët, që vinin çdo sezon për të bërë punë vullnetare
fushave. Nuk më kujtohet me ç’mjet na dërguan, porkujtoj fare mirë, që para
kapanonit kishte një si mal me kashtë dhe pasi na dhanë nga një këllëf gjysëm
të larë dysheku, na thanë që sejcili ta mbushte me kashtë, se do ta kishte dyshekun
e tij për një muaj të punës prodhuese. Kashta mbaroi dhe ne u ngjitëm në katin
e dytë, me dyshekun me kashtë në kurriz dhe çantën me rroba në dorë dhe zumë
nga një krevat metalik. Zgjodhëm të dy me Gencin dy shtrate lart dhe poshtë
kishim dy studentë të vitit të dytë. I kujtoj mirë edhe cilët ishin, se atë
natën e parë, mësova se cila ishte fjala parazitare në “modë“ në Tiranën e atij
viti. (Tirana ka pasur gjithnjë fjalë të tilla, që ndroheshin pas një viti ose
dy. Kishin qënë “grande”, më pas “king”,
“grejt”, “bota”, “qe palla”, ndërsa atë vit dhe ndonjë më pas ishte “tip”). Kur
ishte dhënë sinjali për gjumë, ai që flinte poshtë meje, kishte nisur t’i
tregonte shokut ngjitur, një film të cilin çuditërisht, televizioni jugosllav e
kishte transmetuar të premteve vonë, gjatë emisionit “Elektrik Blu”. E kuptova
që ishte fjala për “Deriverance” me Xhon Void dhe Bart Rejnëllds, kur
tregimtari po theshte”…ishin një tip grupi, me një tip barke, qi shkojshin në
një tip pylli kështu dhe ishte kupto nji tip lumi dhe nji tip katarakti…”. Tipi
ishte Aleksandër Braho, që më vonë do bëhej arkitekt i njohur në Institutin nr
1, kurse sot është ndër arkitektët më të kërkuar për interiere në Tiranë.
Sigurisht që Sandri nuk përdor më fjalën démodé ‘tip’ se nëse nuk ka dalë
ndonjë e re, ende në Tiranë përdoren “e papame” dhe”normal”.
Gjumi na zuri vonë, se kishte plot komente dhe gallatë, për
pedagogët, jetën e studentëve, vajzat dhe marrëzi të tjera të këtij lloji. Në
mëngjes mezi u zgjuam dhe nuk kujtoj ndonjë ditë tjetër në jetën time që të më
ketë dhembur trupi aq shumë. Duket që kashta nuk qënka aq e mirë për të fjetur,
e sidomos kur dyshekun e mbush vetë pa patur idenë se sit a ngjeshësh dhe se
ç’muskuj do të dhembin më shumë. Duket që të njëjtën gjë po ndjenin të gjithë
sse askush nuk e hapte gojën, veç kur u dëgjua “A ka nonjeni noi kalendar?” ja
plasëm së qeshurit se ishte vetëm dita e parë dhe kusuret sa kishin nisur.
Autori i batutës ishte Hazir Isufaj, një student tropojan i Arkitekturës dhe
një nga njerëzit me humorin më brilant, që kam njohur në Qytetin e Studentit.
(vijon)
No comments:
Post a Comment