Sunday, 13 April 2014

Po Devoll, i tille qenkam une...(2)

(vijim)
Petraq Zotoja ju bashkua dy shkrimtarëve të njohur me origjinë nga Devolli, Sotir Andonit nga Ziçishti dhe kunatit të tij Teodor Laço nga Dardha. Duhet thënë, që të dy ishin shkrimtarë pa ndihmën e M.Ziçishtit, vetëm që në atë periudhë patën një mbështetje më të mirë për krijimtarinë e tyre. Në fund të fundit edhe të talentuarit duan pakëz mbështetje nga autoritetet. Laçoja u bë i njohur në rrafshin kombëtar si prozator dhe filloi botimin e romaneve si dhe të shkruajë drama dhe komedi, të cilat viheshin në skenë në teatrin Cajupi, tashmë të drejtuar nga ish-mësuesi pedagogjiks Petraq Zoto. Periudha më e mirë e Teatrit Cajupi kishte marrë fund me largimin e Mihal Luarasit dhe më pas edhe të drejtorit Nidha Shkodrani. Teatri filloi të tatëpjetën, të cilën nuk mundi ta ndalë më kurrë.
Rastësisht, ato vite filluam me Benin, në Teatrin e Kukullave të Korçës, i cili varej nga Teatri Cajupi. Them rastësisht, se kishte qëlluar që në një periudhë të pranverës 1975, ishin larguar thuajse të gjithë aktorët meshkuj dhe regjisorja Drita Kallamata, i kishte thënë Benit, në se mund të shkonim e luanim ca kohë. Gjatë atyre viteve, deri më 1980, kur përfundimisht nuk luajtëm më në atë trupë, mësova disa gjëra më shumë rreth teatrit, skenave dhe prapaskenave të tij. Drita ishte një artiste e vërtetë, që punonte me shumë pasion dhe dëshëronte të bënte gjëra të reja. Më çudiste pasioni I saj për jetën dhe të bukurën. disa herë kishte qëlluar, që kur shkonim turne nëpër Shqipëri, të ndalonte makinën në pika me pamje piktoreske dhe të na “shkundte” edhe ne për t’i parë e për t’i shijuar. Ne qeshnim me vete, se ishim adoleshentë dhe i përkisnim edhe një brezi pakëz më “cinik”. Prej saj mësuam jo vetëm të interpretonim me logjikë, por edhe të mundoheshim të ishim krijues jo vetëm me “vokal”, por sidomos me zhdërvjelltësinë e lëvizjes së kukullave, për t’ju dhënë jetë.

Edhe pse regjisorja nuk fliste me hollësi rreth marëdhënieve me drejtorin apo mbledhjeve të Organizatës Bazë të Partisë të teatrit, kuptohej që ishte e pakënaqur nga niveli kulturor i Zotos, si dhe nga mënyra se si e drejtonte Teatrin. Në të “bënte ligjin” regjisori Orgocka, i cili kishte krijuar edhe një frymë të theksuar përçarjeje, ndaj të cilës nuk bënin asgjë njerëz si Zoto apo Karanxha(një tjetër devolli, që ishte Sekretari i Partisë). Aktorët më të talentuar po iknin një nga një drejt Tiranës, ose po kërkonin të bënin punë të tjera. Kështu bënë Minella Borova e Llazi Sërbo që shkuan në Tiranë, Jani Riza, që thuajse nuk luante më në teatër, por në Kinostudio, Petraq Marjani, që filloi një karrierë si regjisor jashtë tetarit, Sotiraq Cili e të tjerë. Rolet kryesore merreshin vetëm nga aktorët mediokër, që i vinin pas ujrave regjisorit. Mes tyre kishte nga ata, që kishin mbaruar ose jo Institutin e arteve. Mund të shihje në çdo shfaqje vetëm Marko Bitrakun, Guri Koçon, Fotaq Xhekën, Piro Andonin, Dhimitra Plasarin, Syrja Meçen dhe ndonjë ‘peqelepist” tjetër. Atmosfera krijuese dhe e punës së teatrit ishte krejtësisht “e helmuar”. Kam qëlluar disa herë, prapa kuintave në shfaqjet e Teatrit dhe shihja se si regjisori Orgocka nxiste një interpretim patetik dhe për efekte të jashtme dhe thërriste vazhdimisht ‘ritëm, ritëm, ritëm!”. Të gjitha shfaqjet që kam parë në atë kohë vuanin nga një lloj pllakatizmi dhe interpretimi të sipërfaqshëm, ku rëndësi nuk i kushtohej llogjikës apo zbërthimit psikologjik të personazheve, por teatralitetit të dukshëm, thirrjeve dhe klithmave. Teatri i drejtuar nga devolliu Zoto dhe regjisori i pashkollë Orgocka vuante thellësisht nga mungesa e Kulturës. Në atë kohë edhe Komiteti i partisë, pas një kontrolli kishte konstatuar, që asnjë nga aktorët e Teatrit nuk ishte anëtar i bibliotekës së qytetit! Megjithatë edhe Komitetit të Partisë pak i interesonte anëtarësia në Bibliotekë, se dhe ata vetë, me përjashtim të një instruktori studioz, Dhiogjen Nakes, me siguri që nuk mernin asnjë libër në bibliotekën e qytetit. Për ta kishte rëndësi që shfaqjet të ishin të partishme dhe të realizohej numuri i planifikuar i tyre si në qytet dhe në fshat. Për këtë përpiqej me gjithë zellin e tij, Shkrimtari për fëmijë Petraq Zoto, i cili mbante marëdhënie të shkëlqyera me gjithë sekretarët që mbulonin ideologjinë duke filluar me Vangjush Cerravën, Enver Halilin, Jani Balltën e të tjerë.
(vijon)

No comments:

Post a Comment