Monday, 7 April 2014

Frika

Treni pat ikur.
Me të dhe ngazëllimi i udhëtimit,
Ajo ndienjë fëminore e hyrjes në një botë tjetër.
Unë vetëm.
Me një ndienjë pasigurie duarve
Të rrasura në xhep,
Në stacionin e vjetër.
Pata frikë
Të merrja të panjohurën rrugë
Mes buzëve të mbledhura që do pëshpërisnin pa pushim,
Të thashë
“Kjo ndienjë s’ka si të humbë;
Do të arrij;
Bashkë do jemi deri në amëshim!”
Ti më puthe lehtë
Ndoshta e kuptove,
Që ato po prekeshin për të fundit herë.
Në xham më pas pështete flokët e verdhë,
Nuk tunde dorën
(Përreth kishte të tjerë.)
Edhe unë
I mbajta thellë në xhepat
Astarëshpuar të pardesysë së vjetër.
Të doja shumë,
Por kisha frikë.

Shumë frikë të nisesha drejt një bote tjetër.

No comments:

Post a Comment