Në vitin 1991, filozofi shëtitës Gaqua i Mitit, ose si e
njihnin shumë Gaqkë inxhinieri, më njoftoi se një nocion me shumë rëndësi do
mbizotëronte jetën shqiptare në dekadat e ardhme. Edhe pse kishte aftësi
parashikuese, Gaqua nuk mburrej si Ben Blushi, që deklaron se di si do jetë
Shqipëria pas 100 vjetësh. Thjesht parashikoi që nocioni i Shqipërisë Etnike do
ishte në qarkullim për shumë e shumë vite. Shqipëria Socialiste kishte marrë
fund! Gaqua e shtjelloi idenë duke thënë “jo vetëm Kosovën e Camërinë, që do
marrim, por edhe Italinë e Jugut, fshatrat rreth Athinës dhe një pjesë të
Bostonit!” Unë e besova pjesërisht, se është cazë si e vështirë të marrim vende
që banohen nga shqiptarë, disi larg nga trungu mëmë, por ndonjëherë ëndrra duhet
të mbahet gjallë, si e mbajnë ende gjallë psh grekët, ëndrrën e Venizellosit
për Greqinë e Madhe (Megalidhea).
Duhet të jem i sinqertë, që ndonjë gjë të madhe nuk kam bërë
për bashkimin e trojeve shqiptare në një të vetëm dhe këtë e kam më shumë se
jam dembel dhe jo se nuk jam patriot apo nuk besoj në tezën e Shqipërisë
Etnike. Se në fund të fundit kjo tezë jo vetëm është e mbështetur në fakte
historike të pakundërshtueshëm, por edhe nëse nuk janë kaq të
pakundërshtueshme, kjo varet thjesht nga dëshira e popujve për vetvendosje.
Nëse shqiptarët që jetojnë në Plavë dhe Guci, vendosin me referendum t’I
bashkohen Mëmëdheut, nuk duhet të ketë asnjë Ligj ndërkombëtar t’I pengojë.
Kështu edhe për Arvanitasit e fshatrave rreth Athinës apo të Hidras dhe Speces.
Po qe se duan të rrijnë në atë shtet që janë, le të rrinë dhe aq më keq për ta!
(Më e vështirë do jetë të shpalin bashkimin korçarët e Masaçusetsit, ose më
mirë ata që i quajmë “qyngj pe Bostoni”, se shteti Totalitar amerikan nuk le
shpalljen e mëvetësisë të Kombeve të Para dhe jo më të emigrantëve nga lagjet
1, 2 dhe 3 të Korçës, por ky mund të jetë një problem i brezit që do vijë.)
E drejta për Vetvendosje, që ishte në pikat bazë të idesë së
Presidentit Uillson, për formimin e hartës së re të Botës, mbeten edhe sot të
vlefshme, edhe pse këmbëngulet në Europë, për mosndryshim të kufijve. Ndaj unë
jo vetëm jam për ndarjen e Maqedonisë mes nesh dhe Bullgarisë, por unë dua të
shkoj edhe më tej, drejt trojeve të banuara nga shqiptarë në Botën e Re dhe
sidomos në hapësirat stërmëdha të Kanadasë. E kam patur shumë bezdi kur mora
nënshtetësinë, se më duhej të betohesha për besnikëri ndaj Mbretëreshës
Lisavetë dhe duke qënë anti-ruajalist që në kohën e Kontit të Montekristos dhe
Nuartjesë, ende sot e kam të vështirë të mbj atë betim. Kur mendoj edhe që
duhet të përsëris betimin (largqoftë) edhe ndaj Karlit të XII, Vilit të V dhe
Xhoxhit t VIII, atëhere e ardhmja më duket tepër e zymtë. Ndaj shpëtimin e kam
vetëm në Etnikja dhe në një Etnike me degë edhe këtu, në vendin e lëkurëkuqve.
Kur këta anglo-saksonët ja u morën tokat pse mos marrim edhe ca ne, që jemi më
të vjetrit në këtë dynja!
Si hap të parë mendoj ta zhvilloj këtë ide ligjërisht me
Benin, që mund të ketë kundërshtimet e tij në çështje teknike, por jo në parim
dhe më pas, në fund të Nëntorit, të hidhemi në veprim. Të përfitojmë nga që në
Ontario të lejojnë, në Ditën Kombëtare të ngresh Flamurin në zemër të Torontos.
Ne e ngremë më 28, e mbajmë ngritur edhe më 29 në mbështetje të Kryeministrit
tonë dhe bëjmë brenda dy ditësh
Referendumin për Republikën Autonome Shqiptare të Ontarios. Nga 35 mijë
shqiptarë që ka në GTA(Toronto dhe fshatrat përreth) i kemi të sigurt 34. Me të
shpallur rezultatet e Referendumit kërkojmë mbështetjen e separatistëve të
Kebekut dhe njohjen nga Obama. Mbështetjen e Ramës, Thaçit e kemi të garantuar
dhe po u gjet në gjendje dejshëm arvanitasi Pangallos, mund të marrim edhe
mbështetjen e Greqisë.
(Nuk besoj të na dalin problem për Kryetarin e Gubernës, se
që tani i kam menduar disa kandidatura ish-Majtas dhe ish-Djathtas, si dhe
ndonjë të Pavarm.)
Ky është zjarri, që ndezi ajo shkëndijë filozofike e Gaqkë
Inxhinierit e vitit 1991.
Rroftë Republika Autonome Shqiptare e Ontarios!
Rroftë Shqipëria Etnike!
Lavdi Marksizëm-Leninizmit fitimtar!
No comments:
Post a Comment