Monday, 28 April 2014

Shkolla shqiptare e arkitektures (5)

(vijim)
Edhe me përmirësimet e vogla të viteve të fundit të viteve ’80, kur një pjesë e mirë e pedagogëve më të rinj bënë kurse specializimi jashtë shtetit, Katedra tashmë e ndarë në atë të Arkitekturës dhe Urbanistikës nuk bëri përpjekje për të sjellë profilin e Shkollës së arkitekturës më pranë atyre të shkollave të mira Perëndimore. Struktuara e lëndëve ndryshoi shumë pak. Jo vetëm nuk pati përmirësim në lëndët e vështira teorike(të cilat duhet thënë që kanë munguar gjithnjë) rreth raporteve të hapësirës me njeriun dhe shoqërinë, rolin e arkitekturës si pararendëse e ndryshimeve në shoqëri, apo edhe atë të raporteve mes ritmit, vëllimeve, ngjyrave, materialeve etj etj, por nuk pati përmirësime as në krahun më të domosdoshëm, atë të të mësuarit praktik se si të ndërtosh. Gjatë një vizite të shkurtër,që bëra në vitin 1993 në SHBA, shkova në disa shkolla arkitekture nga një e njohur si ajo e universitetit të Harvardit dhe deri në një dyvjeçare në Agasta të Mejn. Gjithashtu vizitova edhe një sërë studiosh arkitektësh dhe më ra në sy se sa larg ishte formimi i im professional(dhe jo vetëm i imi) nga ai i arkitektëve amerikanë. Edhe në një shkollë me një program të shkurtër, mësohej më shumë dhe më konkretisht, se sa kishim mësuar ne në më shumë se 4 vjet. Më bëri përshtypje në disa arkitektë, që kishin studio e tyre në të njëjtin kompleks me banesën e tyre, që ishin më krenarë të të tregonin pjesët e ndërtimit, që kishin bërë vetë, se sa të mburreshin rreth projekteve të tyre. Ishin të gjithë profesionistë, që dinin të ndërtonin dhe eksperimentonin në strukturat e tyre ndërtimore. Njëra prej tyre e quajtur Sarah Hollande dhe që nuk kishte shumë vite eksperience më tepër se unë, kishte projektuar dhe marë pjesë në ndërtimin e banesës-studio të saj, banesë që funksiononte e gjitha me panele diellore. Dhe kjo në një vend me temperatura shumë të ulëta si është Mejn.
Duhet përmendur, që në Katedrat filluan të punonin profesionistë më të kulturuar si Agim Myftiu e ndonjë tjetër, por ndryshimi i sistemit politik dhe mbyllja për disa kohë e universitetit, solli një çoroditje të re dhe të pashmangshme. Tashmë çdo gjë ose ishte e pasigurt ose mendoheshe jo më larg se çasti apo ndryshimet në sistem që do reflektoheshin edhe në programet universitare. Arkitektët dhe urbanistët që përfunduan studimet në fillimin e viteve ’90 reflektuan në formimin çoroditjen në të cilën kishte kaluar shkolla. Pak a shumë i njëjtë ishte formimi i të gjithë të rinjve, që mbaruan gjatë viteve ’90 dhe fillimit të viteve 2000. Në takime me arkitektë të rinj në vitin 2003 në Tiranë më ra në sy për mirë formimi i tyre në programet projektuese në kompjuter, por për keq kultura shumë e dobët profesionale. Kishte syresh që nuk kishin idenë e BAHAUS-it apo të arkitektëve më të mirë të Arkitekturës Moderne. Edhe pse mund të thuhet që kishin një orientim ndaj post-modernizmit apo ndaj Gehrit, Kalatravës apo Libeskind, asnjë profesionist nuk mund të kuptojë mirë bashkëkohësit nëse nuk njeh mirë pionierët e Arkitekturës moderne.

Në fillimin e viteve 2000, u hapën edhe të parat degë të arkitekturës në universitetet private në Tiranë.
(vijon)

No comments:

Post a Comment