Saturday, 12 April 2014

Marinë Lë Pen arriti!



2 vjet më parë pata shprehur frikën se “po vinte Marinë Lë Pen”, ndërsa tani nuk ka më nevojë të trembem se Lë Pen arriti. Korri fitore të papritura në zgjedhjet administrative në Francë dhe në zgjedhjet e Majit për Këshillin Europian mund të jetë edhe Partia me më shumë mbështetje.
Shënimit tim të dhjetorit 2011, dikush ju përgjegj, se s’ka përse të kemi frikë nga Lë Pen dhe se francezët i dinë vetë punët e tyre dhe s’ka pse t’ju japim mend ne! (Më duket pak e ngjashme me atë thënien e vjetër, që aq të shkolluar ishin francezët sa edhe fshatarët e tyre dinin frëngjisht!) Unë vërtet nuk kam ndërmend t’ju jap mend francezëve, se në të kundërt do kërkoja ndihmë nga avokati im dhe do e përktheja shënimin në frëngjisht për ta. Frika që shpreha ishte forcimi i Lëvizjeve të djathta ksenofobe(për most thënë fashiste) në shumicën e vendeve europiane. Franca është  një tregues shumë i rëndësishëm sepse atje ka zënë fill dhe është zhvilluar ideja për një Europë të Bashkuar.
Sigurisht, që me faj për suksesin e saj nuk mund të bëjmë Lë Pen-en, e cila duhet përgëzuar për këmbënguljen dhe shfrytëzimin e dobësive të mëdha të sistemit Paneuropian dhe atij të Euros. Kriza ekonomike tregoi se Sistemi politik i sotëm në Europë, si në rang europian por edhe kombëtar është në prag të dështimit.
Në rast se nuk do bëhen ndryshime të ngutshme në gjithë sistemet politike me Parti të Djathta të Majta e të Qendrës, me “përfaqësues të popullit” në Parlamente krahinore, kombëtare apo atë europian, rrezikohet e gjithë Paqja, që sundon në kontinent prej vitit 1945.
Sistemi i sotëm politik, ka sjellë një indiferencë të pakuptueshme të njerëzve për të vendosur për fatet e tyre dhe të fëmijëve të tyre. Shkaqet janë disa dhe ndryshojnë pak nga njëri vend tek tjetri, por ajo që në pamje duket si shprehje e Lirisë për të mos votuar, nuk është gjë tjetër veç zhgënjimi i njerëzve nga politikanët profesionistë dhe nga sistemi. Zaten ata që nuk shkojnë për të votuar, nuk janë pjesët më “analfabete” të këtyre shoqërive, por e kundërta. Njerëzit, të cilët kuptojnë dicka më shumë nga bota dhe janë jo militantë të partive, protestojnë në mënyrë pasive duke mos shkuar në qendrat e votimit. Nuk është edhe kjo mënyra për të ndalur të Keqen, e cila është shtruar këmbëkryq në Demokracitë perëndimore dhe rrezikon ringjalljen e Partive fashiste, por edhe atyre të Ekstremit të Majtë.
Edhe pse është e vështirë të sugjerosh se ç’mund të bëhet, sepse me këtë problem merren shumë njerëz me mend, të lidhur me sistemin apo të pavarur, dua të them që Piramida e përfaqësimit të shtetasve në Legjislativ, e cila pjell edhe Ekzekutivin duhet të ndryshojë, ose të paktën duhet dobësuar. Duhet fragmentarizuar çdo shtet dhe duhet rritur ndjeshëm autonomia e njësive të banimit, ku banorët mund të marrin drejtpërdrejt pjesë në vendimet që lidhen me jetën e tyre. Pushteti qëndror duhet të ketë sa më pak kompetenca dhe një pjesë të mirë të tyre, t’i marrë Parlamenti Europian dhe Këshilli i Europës. Nuk e kuptoj më se përse vendeve europiane, pjesa dërmuese e të cilëve janë anëtarë të BE ju duhen Ministra të Jashtëm e një dorë e madhe me ambasada e konsullata. Po kështu mund të flitet për dhjetra struktura të tjera paralele, të cilat shtojnë burokracinë, ngadalësojnë veprimet e Shtetit dhe shtojnë korrupsionin.
Europa kërkon një tronditje paqësore të themeleve të saj politike.
Në të kundërt atë do ta bëjnë me dhunë një ditë, Marinë Lë Pen dhe shokët e saj ekstremistë.



No comments:

Post a Comment