Friday, 11 April 2014

“Disidenca” e Tiranës (Shtojcë për 11 prillin)

11 prillin e 1985-ës nuk kam qënë në Tiranë dhe pranë nuk kisha jo vetëm shokët tiranas të Kursit, por as Rikun dhe Benin. I pari ishte prej një viti në Metalurgji ndërsa i dyti sa kishte filluar redaktor në gazetën “Drita”. Kam përmendur diku, që Beni më ka shtënë në mendje dyshimin e parë për Komandantin, por dyshime të atij lloji ishin të cekëta dhe shpëlahëshin shpejt nga propaganda e përditshme si dhe bisedat në familje apo mes të njohurve. Edhe kur ime më, i theshte babajt në mënyrë të llogjikshme “Po ai i Madhi, si si kupton këta tradhëtarët, që i ka pranë ditë e natë për vite të tëra?”, ai tundte kokën në shenjë mohuese dhe theshte “Nuk është aq e lehtë, se i fshehin këmbët,” Nuk di se sa rol kishte besimi i time ti tek Udhëheqësi, apo thjesht e detyronte veten të mendonte ashtu nga frika dhe dëshira për të na mbrojtur ne. Nuk kisha dalluar kurrë, që aim und të gënjente për Komandantin Legjendar edhe pse kurrë nuk fliste me superlative për të.
Gjatë viti të fundit të gjimnazit, pashë një emision nga Jugosllavi, ku flitej për Shqipërinë e kohës së luftës dhe ishin intervistuar disa nga ata që sot quhen emisarët e Titos. Atë ditë mësova për Autokritikën e Hoxhës në Berat, dokumentin e së cilës, tv jugosllav e nxorri ne ekran. Ishte pasdite dhe isha vetëm dhe nuk besoj se e përmenda në shtëpi dhe nuk jam i sigurt nëse e bisedova me shokët e ngusht[, me të cilët i tregonim të gjitha. Ishin episode, që të ngjallnin dyshime për vërtetësinë e atyre që shkruante dhe thoshte Enveri ynë. Mes tyre ishte edhe episodi i kasolles të Galigatit, i trumbetuar në shtyp, si sakrifica më e fundit që bënte populli për Partinë dh eUdhëheqësin gjatë Luftës. Beni më tregonte, se atë natë në kasollen e Zyrhasë kishte qënë edhe Miçoja bashkë me shumë të tjerë dhe kishte qëlluar jashtë të pinte cigare, kur nënë Zyrhaja zihej me të birin për mos e lënë ta therrte dhinë e vetme. I biri, që nuk donte të ndjehej i turpëruar para miqve, ja shkëputi më në fund të jëmës, e cila vazhdonte të mallkonte me të drejtë. E gjora humbi jo vetëm dhinë, por pak kohë më pas edhe djalin për Atdheun e Komandantit. Kishte plot episode, që nuk përputheshin me ato që tregonte Enveri apo Historia e Partisë. Një tjetër, e lexonim në shtëpinë e Rikut nga një libër i kongresit të III-të, ku stalinisti Hoxha nuk linte gjë pa thënë kundër Baba Stalinit, nën shembullin e raportit të Krushovit kundër kultiti të individit.
Por, njeriu që e ka sharë në sytë e mij për herë të parë Enver Hoxhën, ka qënë Bin Xoxi. Me Binin flisnim mbarë e prapë për politikë dhe për lapangjozët e Bllokut, edhe pas thirrjes së tij në drejtorinë e Tiranës, për ta paralajmëruar se do e arrestonin, po të mos e mblidhte mendjen. Një shok i tij e kishte denoncuar se kishte kërkuar të gjente një revolver dhe se kishte shprehur pakënaqësi për udhëheqjen.
Një mëngjes të vitit 1981, duke ecur për në Korpusi I universitetit dhe po flisnim kundër Mehmet Shehut e të tjerëve, Bini më tha “Ai i Madhi është më muti nga të gjithë o Nume!” U ndalëm dhe u çudita se nuk kisha dëgjuar të flitej ndonjëherë në atë gjuhë për Udhëheqësin dhe i thashë “Mos e ke gabim o Bin?”. Bini vazhdoi e shtjelloi  edhe pak, por e pamë të udhës ta mbyllnim atë muhabet. Vetë mendova, se “persekutimi”, që i kishin bërë familjes së tij për ta hequr nga Tirana, kishte ndikuar në atë mllef. Gjithsesi, figura e udhëheqësit-aktor, kishte marrë atë ditë në mendjen time një të plasur të madhe.
4 vjet më vonë zemra e udhëheqësit pushoi së rrahuri dhe disa muaj pas saj, një shok më tregonte “që i kishte dalë shpirti nga b…!” Nuk di se sa është e vërtetë se shpesh Diktatorët vdesin të qetë dhe pa asnjë brerje ndërgjegje. E dinë edhe që Ferri nuk ekziston!

No comments:

Post a Comment