Këtë datë e kujtoj shpesh, disi me të qeshur, se është dita
e lindjes e një shoku të fëmijërisë. Nuk kam ndonjë kujtim me të qeshura të
mëdha gjatë festimit të ditlindjeve të tij, se në ato kohë jo të gjithë bënin
festa në ditët e lindjes. Një pjesë e mirë e familjeve bënin thjesht një drekë
të mirë vetëm për familjen.
Për të qeshur na vinte bashkë me shokët e tjerë, se ai
këmbëngulte që kishte lindur më 1 maj dhe jo më 30 prill. Nuk e di se kush ja
kishte shtënë në kokë, që kishte lindur Ditën e Solidaritetit Ndërkombëtar të
punonjësve dhe jo në vigjiljen e saj. Cdo fund prilli e bënim këtë diskutim, se
na pëlqente kur nervozohej. Ai në përgjithësi ishte (dhe është) shumë i qeshur
dhe i gatshëm për qyfyre në çdo kohë dhe çdo situateë. (Kur u rritëm psh, i
shmangesha të shkoja në ngushëllime me të, se më bënte për të qeshur.) Nuk
besoj se spostimin e ditës së lindjes e kishte për të mos mbetur pas një shokut
tjetër tonë, që mburrej se kishte lindur në një ditë me Leninin. Nuk e kishte
aspak ndienjën e zilisë për moshatarët e tij, por edhe për të tjerët.
Ka shumë vite që jam larg qytetit tim dhe nuk di nëse
vazhdon me “kokëfortësi” ta festojë ditën e lindjes më 1 maj edhe pse në
dokumenta ka 30 prillin. Eshtë më komode të festosh në një ditë pushimi edhe
pse kjo është Dita e Puntorëve dhe Gjergj,i si të gjithë ne shokët e tij, nuk
shquhej për punëtor të madh.
Gjithsesi(kjo fjalë ka kohë që përdoret në stil të gjerë në
atdhe):
Edhe 100 të tjera Gjeku!
No comments:
Post a Comment