Disa ditë më parë, u largua nga jeta Gabriel Garsia Markez,
apo si njihet në këtë kontinent me shkurtimin GGM. Një në shkrimtarët më të
mirë të shekullit që shkoi, për të cilin duhet pranuar, se ndoshta e kalon
Shekullin e Artë, për gjenijtë e letërsisë.
AP nuk është “Associated Press”, por janë inicialet e
përkthyesit shqiptar Aurel Plasari.
Po i shkruaj këto rrjeshta më shumë për të falenderuar
Plasarin, se sa për t’i bërë homazh Markezit. Interneti i këtyre ditëve është i
mbushur me shkrime të shkëlqyera për shkrimtarin e madh kolumbian.
Falenderimi për Plasarin ka të bëjë me përkthimin e tij të
“Kronikë e një vdekjeje të paralajmëruar”("të shpallur" e ka cilësuar
përkthyesi në botimin e parë)në verën e vitit 1982. Deri sot, për një “palosje”
të keqe të kujtesës, kam menduar se ai përkthim i shkëlqyer ka qënë vepër e
Mira Meksit.
E kujtoj si sot, leximin brenda një nate vere të pjesës së
parë të veprës të botuar në Nëntori. Ka qënë korrik edhe pse pjesa e parë mund
të jetë botuar në muaj të mëparshëm, sepse në korrik kthehesha nga Tirana me
pushime dhe numurat e fundit të Nëntorit rrinin për tu lexuar në tavolinën e
ngrënies, që ishte edhe tavolina e punës të babajt. Deri atë kohë nuk kisha
lexuar ndonjë vepër të gjatë në prozë në original, sepse gjuhët e huaja i
njihja cekët dhe kisha edhe një mënyrë të lexuari gati diagonale. (Ti lexon si
misroku më qesëndiste im atë vazhdimisht. Nuk i përtyp kurrë.) Markezi i
përkthyer nga Plasari ishte një prozë e rrallë. I shkrojta që atë natë një
shoqes sime, se “kot na ka gënjyer mendja që Kadareja mund të fitojë çmimin
Nobël. Kam lexuar përkthimin e një kolumbiani, para të cilit Ismaili duket
zero.” Nuk ishte vetëm ritmi dhe dhe dinamika e ngjarjes, që e bënte veprën aq
të veçantë në sytë e mij. Kishte edhe shumë ngjyrë, figura, poezi dhe një
shqipe mjaft të lëvruar.
Deri atë kohë kisha lexuar disa vepra të autorëve
latinë(Asturias e ndonjë tjetër) të përkthyera në shqip, por Markezi i Plasarit
ishte shumë më lart ga ç’ka kisha lexuar në atë kohë. Ishte një periudhë, kur
vërtet kishte çensurë, por të paktën kishte cilësi në përkthime. Nuk ndodh si
sot, kur para se të blesh një libër të një autori të huaj duhet të kontrollosh
emrin e përkthyesit, se ndryshe që në faqet e para të duket sikur ha
"pilaf me guriçka”. Përkthimi i “Kronikës” ishte i niveleve më të mira të
Kutelit, Shvarcit, Evangjelit dhe shqipëruesve të tjerë të shkëlqyer. Kuptohet,
meqë ishte Markez, leximi nuk mund të ndërpritej pa arritur në faqen e fundit.
Më pas vazhdoi përkthimi i mirë I GGM si dhe shumë
prozatorëve të mëdhenj të Amerikës Latine, një pjesë të veprave të të cilëve i
lexova sa dilnin në shitoret e librave. Midis tyre edhe kryeveprat e Markezit.
E megjithatë nuk harroj mbresat e pashlyeshme të “Kronikës”, që hapi një tjetër
botë letrare para meje. Botën e letërsisë më të mirë të gjysmës së dytë të
shekullit të XX-të.
No comments:
Post a Comment