Më vjen vërtet keq për ta, se gjithë korbat, galat e sorrat
e globit nuk kanë bërë gjë tjetër veçse kanë jetuar në harmoni me natyrën.
Gjithë keqëbërjet e tyre janë sajesa të njerëzve, të cilët kujtojnë se kanë të
drejtë, meqë në tokën e të gjithëve, kanë mbjellë farat që ju përkasin të
gjithëve, gëzojnë të drejtën eskluzive(bobo sa e goditur kjo fjalë e huaj!) të
të korrave dhe mos lenë as edhe një kokërr të vetme në lëmë. Edhe sajesa më
dashakeqe ndaj korvorëve, filmi "Zogjtë" i Hiçkokut, është jo vetëm
fantazi e pastër dhe krejtësisht e pabazuar, por edhe nxirrje e realitetit të
botës së paqtë, drejtpeshuar e të gjithësishme të zogjve tanë të nënvleftësuar.
Kështu mendoja deri dy vjet më parë, kur nuk kisha ende një
llogari në fejsbook. FB-ja ndryshoi shumë pikpamje të mijat. Veç shikimit të jo
të idealizuar të më të rinjve, sidomos të shkolluarve në perëndim, zhgënjimit
nga shpresa për ndryshim e mbi 50-vjeçarëve që jetojnë në Atdhe FB-ja më bëri
të mësoja që edhe zëri i shpendëve nuk ndryshon kurrë. Sado të përpiqen ata që
këtej i quajnë "vocal coach" dhe ndoshta në Atdhe quhen ende mësues
kantoje. Nuk është fjala për videoklipe të mara në Youtube dhe të postuara në
faqen e tyre të FB. JO! Bëhet fjala për zërat e shpendëve të cilët jam në
gjendje t'i dëgjoj kur lexoj komentet në fejsbuk. (I paska ikur mendja fare, do
thonë ata që më njohin pak, ata - aspak dhe dashakeqësit me pak kulturë.) PO!
Unë jam në gjendje të dëgjoj zërat e zogjve në Fb. Mbase jo të të gjithëve, por
të zogjve që kam parë e dëgjuar çukave dhe korieve të atdheut. Nuk janë të
shumtë, se një pjesë u zhdukën nga insekticidet e përdorura me shumicë nga
Ministria e Antibujqësisë e Dullë-epokë. Po ato zëra që i kam dëgjuar nuk i
harroj.
Për ata që më njohin mirë dhe për dashamirësit, që më njohin
pak, po spjegoj pak se si "softi", që kam blerë, bën një transformim
të menjëhershëm të postimeve dhe komenteve në zëra zogjsh. Le të marrim shembull
një ditë dimri çfarëdo, kur posa hap FB dhe postimi i fundit(ose ai që shfaqet
i pari) është bërë nga një "miku" juaj dhe flet të themi rreth
raporteve prind-fëmijë. Me të klikuar në "programin" transformues do
dëgjohet kënga e trishtë e një pule të egër, e cila ankohet fisnikërisht për
zoggjelin e egër, që e la para kohe pemën ku kishin ngritur folenë. Të para
zëra që dëgjohen janë krrakaritjet e galave, të cilat pohojnë që shqetësimi i
pulegrës është i drejtë dhe i përgjithshëm dhe ato do e njoftojnë sa të shohin
zoggjelegrin në korien përtej. Pulegra e shqetësuar i falenderon dhe i pyet
nëse e njohin. Natyrisht, do jetë një gjelegër i ri si gjithë të tjerët
përgjigjet kompleksi i galave' por nëse ajo do verë një foto të tij në Avllinë
e saj, do e kenë më të lehtë.
Një tjetër rast është i një mikeje që komenton se e di mirë
se "ku fle lepuri" dhe programi e kthen në zërin e një struceje që
këlthet dhe shpupuris krahët para se të futë kokën në rërë. Struceja shpëton
dhe nuk arrin të dëgjojë zërat e gjeraqinave, turtujve dhe guakëve, sepse
veshët i janë mbushur me rërë, por e njëjta gjë më ndodh edhe mua që më mungon
rëra, sepse gjeraqinat, turtujt dhe guakët thjesht kanë heshtur dhe në pyllin
pranë plazhit ka qetësi të plotë.
(vijon)
No comments:
Post a Comment