Unë nuk jam i sigurt nëse Sinodi i Shenjtë Shqiptar duhet të
ketë 12 peshkopë(zakonisht ky është numuri për analogji me numurin e
apostujve)apo mjafton edhe të ketë 6 të tillë. Nuk kam bërë përpjekje të
kontrolloj web site të KOASH, për të qënë sa më tepër që mundet i imunizuar nga
një shikim pro-Janullatos. Qoftë edhe për të përgatitur vetëm 6 peshkopë duhet
një numur i madh studentësh si dhe vite të tëra për të patur peshkopë që t’i
afrohen disi ‘standarteve” të Kishës Ortodokse. Nëse greku Janullatos do donte
që këtë process ta kontrollonte deri sa gjithë peshkopët të zgjidheshin mes
pasuesve të tij filogrekë mund të ndiqte shembullin e grekes së famshme
Penellopë dhe “të prishte natën atë që bënte ditën” duke qënë vetëm Eksark.
Dërgimi në shkollë, shugurimi prift dhe karriera e mëpasme e çdo kandidati
ishte plotësisht në dorën e tij.
Po le të kthehem në tregimi i Xoxës, të cilin unë nuk e ve
aspak në dyshim. Sipas tij, “punën e nëndheshme” të Janullatosit për një vit të
tërë e kundërshtuan ortodoksët patriotë me Bidoshin në krye. Le të pranoj që
Bidoshi, Xoxa dhe gjithë të tjerët pas tyre kanë qënë besimtarë idealistë, që
donin vetëm mbarëvajtjen e Kishës shqiptare dhe ecjen e saj në gjurmët e Kishës
si e donte Fan Noli. Megjithë kundërshtimet e tyre të vazhdueshme, Janullatosi
arriti të realizonte “planin e tij mafioz” dhe më 2 gusht të vitit 1992(atëhere
kur atdhetarët më idealistë shkojnë në plazh)të kurorëzohet Kryepeshkop. Xoxa
tregon se një ditë më parë, Petro Bidoshi, vetë Xoxa si dhe disa besimtarë të
tjerë(intelektualë ose jo) i kërkuan deputetit Uran Butka, Kryetar I Komisionit
të Kulturës në Kuvend, t’i mbështeste si përfaqësues i shtetit shqiptar të
ndalonin kurorëzimin e Janullatosit dhe Butka premtoi se do e bënte. Të
nesërmen Butka dhe disa besimtarë me Bidoshin në krye u takuan me Sali
Berishën, i cili ju konfirmoi se Janullatos ishte pranuar si eksark sa të
krijoheshin kushtet për tu bërë peshkopët shqiptarë!
Ka diçka që nuk “kuadron” në raportet e shtetarëve të
atëhershëm me KOASH-in me besimtaret ortodoksë anti-Janullatos. Të bie në sy,
që Bidoshi e Xoxa nuk kërkojnë të takohen me Kryeministrin Meksi, por me Uran
Butkën, që deri diku, në atë kohë kishte ‘kyçet e kashtës”. Butka si patriot i
kulluar ju premton mbështetje dhe takimin me Berishën, që vërtet ishte autoriteti
më i madh shtetëror në atë kohë, por duke anashkaluar Qeverinë e cila kishte
edhe mundësitë reale për të ndërhyrë në ndalimin e kurorëzimit të Janullatosit.
A ka patur një korrespondencë zyrtare ndërmjet KOASH dhe Qeverisë, në lidhje me
kurorëzimin, këtë nuk e gjen në shkrimin e Xoxës. Të mendosh se gjithshka u bë
në fshehtësi deri në ardhjen e autoriteteve të larta nga Patriarkana e Stambollit
e deri në ftesat për ambasadorët e huaj, pa dijeninë e Meksit dhe të Berishës
është e pabesueshme. Kisha Ortodokse dhe Janullatosi kanë qënë në survejim të
vazhdueshëm nga SHIK-u(sot SHISH), që ditën e parë kur Eksarku vuri këmbë në
tokën shqiptare.
Por po i le rehat edhe Berishën edhe Meksin, sepse si kanë
gënjyer edhe për shumë gjëra të tjera mund të kenë gënjyer atë kohë Bidoshin,
Xoxën dhe Butkën, për ato që kishin lejuar me gojë apo me shkrim. Eshtë
interesant pjesa e tregimit të Xoxës, kur tregon se në Kishë, procesi i kurorëzimit
u ndërpre nga që disa besimtare ortodokse thërrisnin “Anaksos”(kundër) ndërsa i
dërguari i Patriarkanës së Stambollit pyeste “A e pranoni Janullatosin si
Kryepeshkop të Shqipërisë?” Skena është tipike ballkanike dhe duhet t’i ketë
gajasur ambassadorët e huaj që ishin të pranishëm. Sipas Xoxës, është rregull
që edhe një besimtar ta kundërshtojë, Kryepeshkopi nuk duhet të kurorëzohet dhe
më 2 gusht 1992 ishin një tufë me besimtarë(kryesisht gra) që thërrisnin
“anaksos”. (Të më ndjeni, se tema është vërtet serioze, por nuk rri dot pa
qeshur se më kujtohet një mesele të vjetër, që tregonin për Priftin e
Roskovecit të Fierit, kur pas një deklarate jo serioze të tij gjatë meshimit,
gratë thërrisnin “Nuk na duhet gjë! Nuk na duhet gjë!”)
(vijon)
No comments:
Post a Comment