Monday, 30 March 2026

Xhepistët dhe e Majta dhe e Djathta europiane.


Unë nuk i kam përbuzur ndonjëherë xhepistët. Madje sa më shumë kam nisur të kuptoj nga kjo botë, më është shtuar edhe respekti për ta. Sigurisht që në shkallën e hajdutëve nuk i ve më lart se ata që vjedhin pa dhunë bankat apo koleksionistët e artit, por i ve më lart se gjithë hajdutët e dhunshëm.

Se po ta marrim hollë hollë ç’farë bën një xhepist?

Ai zhvendos disa të mira materiale nga një xhep i tjetërkujt në xhepin e tij. Por ne këtë gjë na e bëjnë për ditë, dhe kanë nisur që në kohën kur veshëm rrobat e para me xhepa dhe kishim në to disa gjëra me vlerë. Na i kanë bërë dhe bëjnë qeveritarët dhe njerëzit e pasur. I vetmi ndryshim i tyre me xhepistët, është se ata kanë krijuar rregulla se si të na i marrin dhe këto rregulla i mbrojnë me gjithë institucionet e dhunës dhe të ligjit.

Por le të përqëndrohemi në xhepistët e thjeshtë dhe të lemë mënjanë të ndërlikuarit.

Në fëmininë dhe adoleshencën time, një hajdut xhepash shihej me përbuzje. Shoqëria shqiptare nuk i vlerësonte dhe ata që unë i dija si të tillë nuk kishin emër të mirë. Unë i shihja me çudi se pyesja veten se si janë në gjendje të gërmojnë në xhepat e tjetrit. Unë vetë kisha vështirësi të gjeja gjërat me vlerë në xhepat e mija. Kjo nuk më bënte t’i admiroja, se kisha parë edhe disa rreth moshës sime që hynin në burg, por gjithsesi për mua ishin një specie e veçantë njerëzore. Deri sa pashë në televizionin jugosllav një film francez të Rober Breson të quajtur “Xhepisti”. Filmi mçë ndryshoi plotësisht idenë që kisha pasur rreth xhepistëve. Si vjedhin, përse vjedhin, si i përzgjedhin “viktimat” dhe se sa mundohen që të vjedhin. Eshtë një film i shkëlqyer psikologjik edhe pse i realizuar në një kohë të largët, sikundër është viti, kur jam lindur.

E kuptoja dhe që Faqekuqi dhe Raqi Kubani, nuk ishin si xhepisti i Bresonit, por gjithsesi, disa pjesë të karakterit të tij duhet të kishin.

Në vitin 1980, bashkë me dy shokët e mij, pamë një fragment të “filmit francez”, në pistën Iliria. Ishim me pushime dhe në një nga lokalet, kur shitej diçka që pëlqehej (nuk e kujtoj në shiteshin akullore apo birra) një xhepist, në shoqërinë e një tjetri, nuk ju la xhep pa kontrolluar disave nga klientët. Ne e ndiqnim skenën gjithë admirim, se njëkohësisht nuk donim të konfrontoheshim me ndihmës xhepistin, që na shihte me inat. Edhe sot nuk e harroj burrin rreth të 40-ve, të shkurtër e tullac, që gjithë mjeshtëri mundohej të zhvendoste kartmonedha apo portofole nga xhepat apo çantat e klientëve. Ishte vërtet i aftë, por na u duk se e mbylli i pakënaqur atë 20 minutësh kontrolli të akulloreblerësve.

Për vite të tëra nuk kisha parë më skena të ngjashme, se në Korçë nuk qarkulloja me “urban”, që zakonisht është një vend i preferuar për profesionistët e xhepave. Ndonjë xhepist shumë të njohur e dinim se kush ishte dhe i qëndronim larg. Nuk na pëlqente inspektimi i xhepave edhe sikur mos kishim para në to.

Kjo deri në vitin 1996, kur për herë të parë dhe të fundit, pata si klient një xhepist të njohur. Th. kishte qënë xhepist profesionist, me disa burgosje në cv-në e tij, por ishte larguar drejt Greqisë, ndoshta edhe para se të ndërrohej sistemi. Atje ishte bërë biznesmen, bashkëjetonte me një ruse dhe kishte mbledhur para për të ndërtuar një shtëpi të madhe, në vend të shtëpisë së prindërve. Kishte ngritur një kompani pa liçencë, në biznesin që njihte më mirë- atë të inspektimit të xhepave dhe të transferimit të të mirave materiale. Nuk punonte vetë në terren, por stërviste fëmijë që sa kishin hyrë në adoleshencë dhe kishte krijuar me ta marëdhënie kontraktuale. Biznesi i kishte ecur.

Hyri në zyrën time në orarin që ishte lënë takimi dhe më befasoi me veshjen. Jo vetëm që mbante kostum dhe këmishë, por kishte edhe një papijon të kuq. Me shumë politesë më kërkoi që të konceptoja një vilë të madhe, aq sa mund të lejonte parcela e vogël e shtëpisë së prindërve. Më pas, gjithë mirësjellje më bëri të njohur, se do ishte në Greqi për arsye pune dhe për vilën do interesohej e jëma.

Ajo erdhi disa herë dhe projektin e mbaruam, por nuk jam i sigurt nëse e morri apo jo lejen e ndërtimit. Pas shumë vitesh, kur kam kaluar pranë shtëpisë së tij, pashë që ishte ndërtuar një vilë e vogël, por pa asnjë lidhje me projektin tim.

Ishte aq i ndershëm, sa as nuk “vodhi” idenë time të projektit!

Por u përqëndrova shumë tek e kaluara dhe nuk preka aspak se çka të bëjë e Majta dhe e Djathta europiane me veprimtarinë e xhepistave. Ata i kanë programet shumë të ndryshme ideologjikisht dhe shumë rrallë i vjedhin ide politike njëri tjetrit.

(vijon)

Sorry Gaudi!


Sikundër më paralajmëroi një miku im në Detroit më ndodhi. Ndërsa ecja në kryqëzimin e rrugës Paralel me rrugën Ovido, një makinë e zezë me xhama me ngjyrë të errët ndali pranë meje dhe prej saj zbritën dy persona të maskuar. Me një anglishte të çalë më thanë të hyja në ndenjëset e pasme të makinës dhe pasi nisa të kërkoja shpjegime më shtynë me forcë dhe më futën brenda saj. Nuk arrita të klithja “help!” dhe të thesha që po rrëmbehej një qytetar kanadez, se më kishin vënë në kokë një qese letre dhe makina u nis. Të maskuarit më mbanin duart ndërsa shoferi na shpinte diku, që sigurisht nuk kishte si ta kuptoja.

Më hoqën qesen dhe e pashë veten brenda një garazhi të madh dhe të errët. Ku ishin parkuar dy makina të mëdha transporti dhe dy vetura pa targa. Dy të maskuarit ishin më këmbë dhe gjithë mirësjellje mu drejtuan në të njëjtë anglishte të çalë:

-Na vjen keq...po duhej ta bënim se e kishe kaluar të kuqen!

-Të kuqen?! – pyeta unë duke u dridhur, duke menduar se sa do alarmoheshin të afërmet e mija. Në njerëzit më të afërm unë kam katër femra dhe dy prej tyre alarmohen menjëherë. Më e qeta është Rory, të cilën nuk e kap paniku se i thotë vetes: “Merr frymë thellë!”

-Po po të kuqen. Gaudi është i paprekshëm!- tha njëri syresh dhe e kuptova që çështja ishte shumë serioze , por dhe profesionale njëkohësisht. “Mbase ka derman!”- mendova

Më thanë se ishin pjestarë të organizatës “Defendemos Gaudi!” dhe edhe pse nuk ishin kundërshtarë të fjalës së lirë, ishin të vendosur të mbronin me çdo çmim emrin e arkitektit katalanas.

U mundova të shpjegoja se unë nuk kisha ndonjë gjë kundër Gaudit, dhe se shpërthimi im i pakontrolluar nuk kishte qëllim denigrimi të figurës së tij gjeniale dhe as të reputacionit të Sagrada Familia, por ata nuk bindeshin. Më përmendën argumentat tepër të dobëta dhe sigurisht titullin e shkrimit, gjë që i kishte bërë të binin në gjurmët time. Se po të kisha shkruar “Ik o pirdhu me gjithë Gaudi!” as do e kishte marrë vesh njeri. Por shprehja ndërkombëtare tepër “e ndyrë“ më kishte krijuar këtë situatë të pashpresë dhe pikërisht një ditë para se të ikja nga Barcelona.

Nisa t’ju bëja një zbërthim psikologjik të situatës sime , si arkitekt me një karrierë të dështuar dhe të shtoja se Gaudi nuk ishte i pari që kisha sharë, se të njëjtën gjë kisha bërë edhe me Korbyzjenë dhe arkitektin australian Pite Uilson, por më i shkurtri prej tyre mu përgjigj: “Blah blah blah...” dhe shtoi se në celulari që më kishin marrë kishin gjetur kontakte me disa arkitektë të shquar shqiptarë, madje këmbime të shpeshta me shefen e arkitektëve shqiptarë. Sipas tyre, kjo hidhte poshtë mbrojtjen me dështim karriere.

Duke mos ditur nëse organizata kishte ndonjë nuancë fetare apo politike veç asaj profesionale, nisa të thurrja lavde për qytetin e Barcelonës. klimën dhe lëvizjen shumë të lehtë të këmbësorëve të moshuar. Nuk doja të prekja çështjen e Pavarësisë nga Madridi apo hapësirat për homoseksualët dhe transgjinorët, sepse nuk dija nëse ishin shumë të majtë apo shumë të djathtë. Se këta që rrëmbejnë të huaj në ditë me diell nuk mund të jenë gjë tjetër veç ekstremistë.

E pashë që duhej pranuar gabimi dhe të deklaroja se do bëja çdo gjë për ta shlyer. Të parën do bëja fshirjen e tre postimeve “Fuck Gaudi!”

- Jo, jo skipëtari dinaku...më tha në gjuhën time amtare më i gjati dhe vazhdoi në anglishten e belbët: “Ti do qëndrosh sonte këtu dhe do rrish në gjunë për 8 orë para fotos së Sagradas. Lutju kujt të duash! Nesër, kur ta gjykojmë se do lejohesh të kthehesh atje ku jeton, do shkruash që je shumë shumë SORRY!”

E pranova menjëherë dhe shkova pas kamionit të madh, ku më shpunë rrëmbyesit. Atje ishte fotoja e Madhe e Sagradas, para të cilës rrashë menjëherë në gjunjë pa përdorur gjunjëza, siç përdorin ata që lyejnë parketet.

Nëne, nëne, sa të gjata ato 8 orë!

Sot në mëngjes më shpunë në hotelin ku duhet të mblidhja rraqet dhe më porositën, që nëse nuk bëja shkrimin do kisha edhe më shumë pasoja. Celularin e mbajtën si provë të shkeljes së rëndë, po kush pyeste për të. Vetëm të ikja një orë e më parë, sa më larg Sagradas. Dhe të shkruaja shumë shumë sorry!

Sorry Antonio!

Ishte një lajthitje e moshës.

Sunday, 29 March 2026

Pashkë dhe Paqe


Një miku im, që banon në Massachusets, më kritikon se unë përmend përgjithësisht emra ortodoksësh dhe pak ndalem tek shqiptarët muhamedanë dhe ata katolikë. Budistët nuk i ka përmendur.

Ndaj dhe unë sot, që është e Diela e Palmave e katolikëve, po shkruaj këtë mesazh universal për Paqe dhe Dashuri, ashtu si më ka mësuar Papa Spiroja, që është një prift tejet mendjehapur, si dhe këngëtar dhe poet.

Për dy javë me rradhë, do përcjell vetëm mesazhe Dashurie, Mirësie dhe Drite, kuptohet brenda mundësive të mija që janë ato të një 67 vjeçari të thjeshtë, që banon në një qytet të vogël të Kebekut.

Më duhet të pranoj se edhe pse kam agjëruar për katër javë rrjesht, unë nuk kam pasur lartësimin e duhur shpirtëror, se jo vetëm që kam qënë kritikues, cinik , nihilist, por në disa raste edhe e kam tepruar me një fjalor të rëndë, si ka qënë rasti i Gaudit, Ramës dhe Elisa Spiropalit.

Për këtë katharsis, që po nis sot, më ndihmoi edhe rileximi i një mesazhi që kam marrë rreth dy javë më parë nga një mik tjet[r i imi, të cilin do e përcjell të plotë më poshtë. Eshtë një mesazh i rrallë, por shumë i ndryshëm, nga ata që marr shpesh nga avokati im, që tashmë e ka mbyllur zyrën e tij në Lion. Mesazhet e këtij të fundit kanë qënë kryesisht me fjalën MOS, dhe më tërheqin veshin për tejkalime të së drejtës penale shqiptare, për rrezikun e një gjyqi për fyerje dhe më keq akoma, rrezikun e një ndëshkimi fizik, kur të kem rastin të vizitoj Atdheun.

Në të kundërt, mesazhi i mikut tim, është nxitës, vlerësues dhe që më shtyn të shkruaj, por njëkohësisht edhe të përcjell ide sa më të plota dhe të dobishme:

Po i lexoj dhe jam shumë i intriguar t’i lexoj...Realisht më pëlqejnë shkrimet e tua për çështje të ditës, analizat apo komentet, më pëlqen informacioni, kultura e të shkruarit, narracioni, stili gjithashtu...

I kam ndjekur gjithashtu postimet e tua në blogu yt. i cili vazhdon prej shumë vitesh...

Ke inkurajimin timtë vazhdosh këtë punë, që besoj të është bërë obligim i brendshëm i të komunikuarit me të tjerët nëpërmjet temave që trajton...

Nuk di çfarë ndjekje ka blogu, por është një punë që ja vlen në vështrimin tim, sepse je ti, si në ditaret e dikurshme, por tashmë me një vlerë sociale...”

Me të vërtetë një mesazh vlerësimi dhe dashurie, që më nxit drejt Paqes edhe më shumë se predikimet e Papa Spiro Ravonikut. Për më tepër, kur ju rikthehem postimeve të mija, në të cilat nuk pëlqej thuajse asgjë, dhe i krahasoj me mesazhin e mikut tim, që i pëlqen të gjitha, ndjehem bosh dhe i paplotësuar.

Ndoshta më shumë se mbajtjen e kreshmës, unë duhet të kisha nisur katër javë më parë, këtë çka po nis sot. Po më mirë vonë se kurrë!

E kuptoj që miku im ka edhe vërejtjet e tij, por duke qënë tepër dashamirës, i ka lënë të fshehur pas tre pikave. Sa shumë dashuri!

Nuk ka kuptim të kërkoj ndjesë për kritikat e ashpra dhe ndonjëherë edhe degrinimet, si dhe do i le postimet e pafshira, sepse edhe lexuesi që më ndjek, duhet të shohë ndryshimin dhe pastrimin tim shpirtëror.

Do duhej të vinte kjo e Djelë e Palmave dhe njëkohësisht të rilexoja mesazhin e Paqes, Shpresës dhe Inkurajimit , që më ka dërguar gjatë javëve të Kreshmës, miku im.

Paqe mbi të gjithë mëkatarët e mëdhenj dhe të vegjël, kudo që ndodhen!

Saturday, 28 March 2026

Elisa nuk ka ç’të humbasë...veç tangave!


Në Partinë Socialiste, vazhduesen e drejtpërdrejtë të Partisë së Punës (komuniste), po zhvillohet një përplasje e fortë dhe e ashpër mes ish Kryetares së Kuvendit, ish Ministres së Jashtme dhe në legjislacionin e ardhshëm ish deputete, Elisa Spiropali dhe Edi Ramës.

Për arsye tejet parimore, Rama e pat shkarkuar nga posti i ministres jo shumë kohë më parë dhe për arsye tejet parimore, Spiropali po vazhdon betejën për të vënë në vend nderin e saj si një nga figurat më kryesore të Partisë Socialiste.

Unë jam i një brezi “gërxhosh” që mund të dijë diçka rreth karrierës politike të Edi Ramës, por thuajse asgjë nga karriera politike e Spiropalit. Nuk di as se ku ka studiuar, as se ç’farë ka studiuar dhe se si e ka nisur ambicien e saj politike për të bërë gjithshka që i kërkohet një intelektualeje të re për ta shpënë Shqipërinë në Europë dhe më la!

Di dhe që e ka krahasuar Ramën me Skënderbeun, dhe ndonjëherë e kam përmendur në shkrimet që bëj kundër tij, sepse nuk më dukej krahasim i goditur. Berisha e ka hundën si të Skënderbeut , ndërsa për Ramën mund them se ka nisur të ngjajë më shumë me Plakun e Vlorës. Po këto punë Skënderi apo Enveri, Ismaili apo Kadareja, janë muhabete jo me shumë vlerë, që mund t’i thuash dhe t’i tërheqësh dhe nuk prishin asnjë punë. Se për shembull Tahirin e krahasonin me Qemal Stafën, por ai është shumë larg Varrit të Bamit, sikundër dhe Ilir Meta, të cilin e krahasonin me Mehmet Shehun. Me një llaf muhabete kot.

(Nuk di se me kë krahasonin Erion Veliajn, por ndoshta në Historinë e Shqipërisë nuk ka pasur figurë aq zvarranike sa bashkëshorti i Ajolas, për ta krahasuar.)

Elisa Spiropali.

Elisa është shumë e re për të qënë një lexuese serioze e veprës të klasikëve të marksizëm- leninizmit Marks, Engels, Lenin dhe Stalin. Ndoshta nuk ka patur fat as të lexojë ndonjë nga veprat e sho Enver, të cilat edhe sot duhet të na ndriçojnë në rrugën që kemi nisur për ndërtimin e Kapitalizmit fitimtar.

Kështu që nuk ka dhe si ta ketë lexuar “Manifestin Komunist” të vitit 1848 të shkruar nga Marksi dhe Engelsi, dhe veçanërisht kapitullin 4, ku është edhe shprehja legjendare: Proletarë nuk kini ç’humbisni veç prangave!”

Ishte një shprehje tepër e logjikshme (thuhet se klasikët e kanë kopjuar nga një femër komuniste), sepse në mezin e shekullit të XIX, proletarët ishin vërtet si mos më keq. Punonin tërë ditën dhe paguheshin sa për të mbajtur shpirtin gjallë, në mënyrë që të kishin mjaftueshëm fuqi për të punuar edhe të nesërmen. Kushtet e punës dhe jetesës ishin të tmerrshme. Ishte kjo arsyeja përse ideologjia komuniste u përqafua shpejt kudo në Europë.

Po a është Elisa jonë një proletare në kuptimin e vërtetë të kësaj fjale?

Jo. Dhe si çdo lloj krahasimi edhe përfshirja e Spiropalit në këtë shprehje është e gabuar.

Por në kazermën që quhet Parti Socialiste. ish Kryetarja e Kuvendit e di që nuk është më kërkushi. Të gjithë i largohen si një lebrozeje. Eshtë veç dikush që do fshihet shpejt nga çdo lloj liste, nga zemërimi i Zeusit. Ndaj dhe nuk i ka mbetur asgjë për të humbur...veç tangave! Ndaj dhe po “lufton” me të Madhin!

Se pranga nuk ka dhe nuk di nëse i ka përdorur ndonjëherë në ndonjë lojë erotike në shtratin e saj bashkëshortor!

Shteti-Rama, Rama-Shteti

 





Videot e mësipërme nuk janë realizuar nga Inteligjenca Artificiale. Janë pjesë të miratimit formal të emërimit të ambasadores shqiptare në Katar, nga Naltgjatësia i Tij Edvin Kristaq Rama, Udhëheqës i shqiptarëve trima dhe liridashës.


Friday, 27 March 2026

I afërmi nuk duhet prekur!


Një kushërirë, e cila u indinjua disa javë më parë për shkrimin ku i quaja studiuesit dhe restauratorët e Muzeut Mesjetar, bujkrobër, më kritikoi rëndë për një shkrim ku kisha prekur një të afërm. Më shkrojti me gërma kapitale : I AFERMI NUK DUHET PREKUR! Mua kapitalet më tronditën, por nuk e humba plotësisht dhe si mbrojtje pyeta se deri në cilën gradë janë të paprekshmit, (Kisha parasysh politikën e ndjekur nga Partia gjatë luftës së klasave, ku përcaktoheshin saktësisht se cilët të afërm duht të persekutoheshin për fajin e të afërmit antiparti.) Kushërira më shkrojti :Pa diskutim që të paktën deri në kushëriri i dytë! Kjo më lehtësoi, se po të kishte shkuar një gradë më larg, atëhere i binte që të përfshihej e gjithë Korça ortodokse, një pjesë e Tiranës , Selanikut dhe e Bostonit. Kë të shaja dhe demaskoja pastaj?!

Po edhe kushërinj të dytë, që ishin ende gjallë (të vdekurit nuk i hanë as arinjtë) ishin mbi 186 dhe po t’ju shtonje edhe gratë e fëmijët (ndonjë kishte edhe ilegalë) bëheshin shumë. Kuptohet që këtu nuk hynin kushërinjtë e parë, që sipas kriterit ishin nga të parët “të paprekshëm”. Ndaj duke parë se duhet të bëj dy shkrime në ditë për blogun, edhe ky numur “i të paprekshmëve” më dukej i madh, Sepse rreth 70% të shkrimeve të mija janë për Korçën dhe më të shumtët e kushërinjve të dytë janë në Korçë.

Ndaj “mora zemër dhe i thashë“ se pse nuk duhet ta kisha prekur të afërmin në fjalë. Ajo më tha se unë nuk kisha idenë e jetës së tij, se ç’kishte hequr nga Diktatura dhe përfaqësuesit më të këqij të saj, dhe se ndërsa unë studioja në Universitet në sajë të Enver Hoxhës, ai vuante në internim. Ndaj dhe çdo gjë që mund të ndodhte sot ishte e justifikuar nga e kaluara e hidhur.

Të kaluar të hidhur kemi pasur të gjithë dhe unë jam pakëz i metë, por jo aq sa të mos kuptoj se e imja ishte “mjaltë“ krahasuar me të hidhurën e tij. Vetëm që nuk jam në gjendje të lidh dy gjëra, që më duken tejet të ndryshme dhe që janë karakteri dhe vuajtjet. Ose më shumë se të ndryshme, të tilla që mund të ndikohen nga njëri tjetri. Për shembulll që vuajtjet nën një Diktaturë, të të bëjnë njeri pa shtyllë kurrizore. Sepse ato mund të kenë ndikuar tek njerëz të caktuar për të marrë vendime jo të pranueshme, mbase edhe të bëhen bashkëpuntorë të Diktaturës, por kjo nuk është çështje karakteri. Njeriu nuk arrin dot të përballojë presionin dhe mund të pranojë të bëhet spiun. Madje edhe mund të dëshmojë në mënyrë të rremë ndaj dikujt tjetër i detyruar. I detyruar nga instikti i Mbijetesës. Por kjo sërish nuk lidhet me karakterin. Dikush që di se çështë e Mira dhe e Keqja, di që edhe pasi të ketë bërë një gabim ose dy nën një trysni të paimagjinueshme, në një kohë tjetër, kohë lirie, të dëshmojë karakterin e tij të vërtetë.

Të gjitha këto janë diskutime në teori, sepse i afërmi im as ka qënë bashkëpunëtor i Sigurimit dhe as ka dëshmuar kundër diku tjetër. Madje sikundër ka treguar vetë, është tallur keq me sigurimsat kur ja kërkuan bashkëpunimin. Edhe në një gjyq politik në kohën e terrorit, edhe pse i internuar, kishte pasur kurajën të ngrihej dhe në sy të xhelatëve të mbronte kolegun që dënohej me 25 vjet burg.

Ato për të cilat unë e “prekja” ishin sjellje tepër të dyshimta të një kohe të lirë, kur askush nuk të detyron as të “lëpish by... pushtetarësh dhe njerëzish të pasur” dhe as tregosh histori dhe përralla të së kaluarës, që nuk kanë ndodhur ndonjëherë. Këto kanë të bëjnë me karakterin dhe nuk kanë asnjë lidhje me vuajtjet dhe as janë të diktuara nga vuajtjet.

“Po kush je ti që të gjykosh njerëzit në përgjithësi dhe të afërmin në veçanti” më tha kushërira dhe më zuri gafil. Se vërtet të drejtën për të gjykuar të tjerët e ka vetëm “Ai që i paçim uratën!”. Madje shtoi se a e kisha parë veten në pasqyrë. Dhe unë i mundur, ju drejtova pasqyrës dhe pashë në të, të njëjtën fytyrë idiote, të cilën e kisha parë në mëngjes ndërsa “ujdisja” pak mjekrën. E pyeta fytyrën idiote që më shihte:

Ke surrat ti të demaskosh të tjerët dhe veçanërisht të afërmit?”

Përgjigjen e mora nga vetë objekti i qelqtë që tha:

“Ti nuk ke asnjë të drejtë të gjykosh njeri, por ke të drejtën që ka edhe më i thjeshti mes njerëzve, që Pasqyrën t’ja u vesh para të gjithëve për ta parë veten. Sepse kjo nuk është as pabesi dhe as mungesë karakteri. Eshtë një veprim i thjeshtë dhe i domosdoshëm në këtë jetë. Nëse fytyra që ata shohin në Pasqyrë është e shtrembër, sërish nuk është faji jot por i Pasqyrës!”

Dhe pasi dëgjova këto fjalë unë u ktheva në anën tjetër të shtratit dhe lëshova disa gazra për tu lehtësuar.


Thursday, 26 March 2026

Mos ha m.., mos ha m..!


Kjo shprehje më ka bërë të gajasem, kur një shoku im më tregonte një histori qesharake me një mjekun tonë në Jena, gjatë një incidenti në ndeshjen e futbollit Karl Zais Jena – Dinamo, ndërsa ishte dëmtuar sulmuesi ynë i njohur Ilir Përnaska! Nuk dua të zgjatem me të gjithë historinë, se do marrë më shumë se gjysmën e shkrimit, por këto fjalë më shkuan ndërmend, kur lexova intervistën e kryeministrit Rama, dhënë një gazetareje franceze.

Të gjithë e dinë se Edi Rama është në hall të madh me administratën e sotme amerikane dhe po bën ç’është e mundur, që ta “ujdisë“ me presidentin Trump. Por unë nuk kuptoj, se përse ky gjoja “burr i qut” i duhet të japë një intervistë ndaj një gazetareje të huaj, që dihet se do bëjë pyetje shumë të sikletshme, që do të ta nxjerrin “by... zbuluar” faqe opinionit europian. Nuk ka një këshilltar të afërt dhe të besuar t’i thotë: “Mos ha m.., mos ha m..!”

Vërtet Ramës nuk i bëhet vonë për opinionin e brendshëm, se e ka vënë këtë popull “në zap” pothuajse sa e kishte vënë edhe Dulla. Por Dulla kishte një avantazh të madh, që vendin e kishte izoluar plotësisht dhe nuk i bëhej vonë se ç’mund të thonin të huajt. Madje dhe intervista mund t’ju jepte dhe “t’i dërmonte kapitalistët dhe revizionistët”, por kishte hall se ndonjë kopje gazete do hynte në Shqipëri dhe njerëzit do lexonin që gazetari/ja i huaj do e pyeste për njerëzit që kishte vrarë.

Për të mirën tonë, “diktatoruci” Rama është në krye të vendit në një kohë kur kemi të bëjmë me të huajt dhe varemi shumë prej tyre. Ndaj edhe pse ata mund të kenë mbyllur sy e veshë ndaj korrupsionit të tij, do vijë një çast, kur t’i thonë : “Ik se jo vetëm e ke bërë baltë, por po vepron kundër interesave tona dhe po të llap edhe goja!”

Edvini ynë nuk ka vënë mend nga deklaratat idiote që bëri në CNN në vitin 2016 kundër Trump. Vazhdon të “lehë“ edhe tani, kur pozita e tij është shumë e vështirë si me SHBA dhe me EB, për shkak të ndryshimeve rrënjësore të tij në politikën e jashtme. Por një egomaniak narcisist nuk do t’ja dijë, por i mjafton që të flasë dhe t’ju japë mend të gjithëve.

Ne shqiptarët e kemi këtë “hyq” të keq që na duket vetja si shumë të zgjuar dhe duam t’ju tregojmë të tjerëve se sa dimë dhe t’ju tregojmë edhe zgjidhjet për problemet që kanë. Por nëse kjo nuk i prish punë një shoferi nga Vlora, që i jep mend komshiut të tij në Florida se si duhet ta kuptojë politikën ndërkombëtare, në rastin e një kryeministri apo ministri të jashtëm sjellja është idiotësi. Ne duhet të pranojmë që jemi një vend i vogë dhe si përfaqësues i një vendi të tillë, kryeministri duhet të jetë i përmbajtur dhe të llogarisë mirë hapat që hedh në politikën e jashtme.

Unë nuk kujtoj mirë se çka bërë Rama para vitit 2016, por pas tij, thuajse çdo lëvizje dhe deklaratë ka qënë e gabuar.

  • Rama nuk e bëri marëveshjen për ardhjen e muxhahedinëve iranianë në Tiranë, por nuk ka treguar asnjë prirje që të kërkonte një vendosje afati për qëndrimin e tyre. Ne nuk kemi këllqe të armiqësohemi me një vend të madh si Irani.

  • Rama mban në vite marëdhënie të shkëlqyera me Vuçiç edhe pse shpesh bien ndesh me interesat e Kosovës dhe Shqipërisë.

  • Rama i shpuri marëdhëniet me fqinjët grekë në gjendjen më të keqe që kanë qënë, prej kohës së ndryshimit të sistemit në Shqipëri.

  • Rama bëri gafa të njëpasnjëshme në sjelljen me Melonin, pa i sjellë Shqipërisë ndonjë përfitim të dukshëm nga marëdhëniet me të.

  • Rama u soll si kundërshtari më i ashpër i Putinit në konfliktin me Ukrainën (edhe pse ka simpati për të si autokrat) pa menduar aspak që një vend si joni nuk ka pse të nxjerrë gjoksin kundër një fuqie si Rusia. Për më tepër, problemet e krahinave rusofile në Ukrainë janë të ngjashme me ato të Kosovës dhe qëndrimi më i mirë i joni duhet të kishte qënë - përkrahës të moderuar të popullit ukrainas.

  • Rama bëri lëvizjet më të poshtra, që nuk i sjellin asnjë të mirë Shqipërisë, me vizitën në Izrael dhe me pjesëmarrjen zulmëmadhe në Bordin e Paqes.

Dhe pas gjithë këtyre poshtërsive në kurriz të Shqipërisë, ka edhe paturpësinë që t’i japë edhe intervistë një gazetareje të huaj, e cila dihet që do jetë e drejtpërdrejtë dhe e paanshme. Një intervistë që e nxjerr gollomesh para europianëve, por edhe pa syzet e diellit që kishte në foton në plazhin nudist francez.

Mos ha m.., mos ha m.. çuni i Kristaqit!

Banjot e Mesdheut


U bë një kohë e gjatë, që kur nuk udhëtuar në Europën veriore, ndaj edhe shkrimin për banjot (WC-të)europiane po e kufizoj vetëm tek ato të Mesdheut, që për shkak të “udhëtimeve të punës” i vizitoj më shpesh.

Edhe kjo të kishte mbetur!” do hidhet menjëherë një i njohuri im, që dikur më pat sugjeruar të bëja një shkrim edhe për Ditën e Minatorit. Po unë mund të përgjigjem tak-fak, që me banjot kemi punë disa herë në ditë dhe si një ish-arkitekt më takon të shtjelloj mendimet e mia modeste për këtë hapësirë kaq të nevojshme në çdo lloj ndërtimi. Madje “hale” (po përdor këtë turqizëm se tingëllon më mirë se e jona nevojtore) ka edhe si njësi më vete në parqe, rrugë dhe në kantiere ndërtimi.

Tani që po bëj këtë shkrim kaq të veçantë, më vjen ndërmend një ministër i Ministrisë së Punëve Komunale, i kohës së Diktaturës, që kur u kthye nga një vizitë në Kairo deklaroi se “Do e boj Tironën pllom e hale!” Ministri që quhej Xhemal, ose Xhaferr ose Xhevat, nuk e pati këtë mundësi ose për mungesë fondesh ose sepse për marksizëm leninizmin, zhvillimi i tepruar i objekteve ku jashtëqitet, mund të ishte edhe një deformim i filozofisë që përshkonte si një fill i kuq gjithshka që krijohej në Shqipëri. Se ku mund t’ja u shkoje fillin e kuq gjithë haleve që kishte ndërmend të ndërtonte ministri Xhemal, Xhaferr ose Xhevat?!

Por le të përqëndrohemi në ditët e sotme, kur një njeri që vjen nga Amerika e Veriut përballet pashmangërisht me mjedisin ku duhet të kryejë ato punë aq të papëlqyeshme, por që janë të domosdoshme. (Sokrati theshte se ndjehej i lumtur, kur ngjitej në mëngjez në një kodër plot blerim dhe i rikthente natyrës, ato që i kishte marrë një ditë më parë. Po edhe qasja e Sokratit ishte tepër primitive dhe nuk do ndalem këtu nëse ai mund të arrinte apo jo një higjenë perfekte në kushtet e dimrit në Athinë.)

Amerikanoveriori, i njohur ose jo me Europën Jugore, habitet nga fantazia e arkitektëve të Mesdheut. Veçanërisht me banjat e lokaleve. Ato përgjithësisht janë në vendin më të vështirë për tu gjetur. Po Mesdhetarët janë të sjellshëm dhe të tregojnë menjëherë një skutë diku nga fundi i lokalit, ose shkallë që shkojnë në bodrum. Në këto të fundit ndjehesh edhe më mirë, se të krijojnë intimitet të plotë. Se askush nuk do që ta shohin se po shkon në hale. Edhe pse mund të mos dyshojnë se po shkon per të marrë me hundë pak “miell” ose të shiringohesh me heroinë.

Dhe menjëherë sa gëzohesh nga mjedisi intim, përballesh me vështirësitë e para. Tualeti i burrave (nuk kam hyrë në ato të grave) është tejet i vogël dhe ke edhe vështirësi për të hyrë. E para nuk di nëse dera hapet brenda, jashtë apo është rrëshqitëse. Se vetë i kam hasur të gjitha këto variante. Asnjëherë ndonjë që hapet si punë qepeni. Vështirësia e hapjes së derës, të sjell atë shtrëngimin e bezdisshëm të zorrëve, që tashmë janë të lodhura nga një funksionim tepër i gjatë udhëve të jetës. Por po arrite që të ndalosh lëshimin e gazrave, je i sigurt që nuk i ke mbushur dhe mund të ulesh i qetë në hidrosanitaren e vogël, por që është e mjaftë që të lirohesh. Dhe këtu nis problemi i dytë, që është fikja e dritës. Të ndodh kudo, sepse në Mesdhe enrgjia elektrike kushton dhe janë gjetur mënyra për fikje automatike të dritës. Por është shumë e thjeshtë rindezja. Mjaft të ngresh dorën lart dhe gjithshka bëhet më e ndritur se kurrë. Puna është që dy tre herë më ka ndodhur në atë procesin e fundit, më të ndyrin, por të pashmangshmin dhe duke i pasur të dy duart e zëna, nuk bën dot rindezjen. Atëhere mendon se sa e vështirë është për një të verbër që të dalë jashtë. Nuk gjen dot copën e rradhës të letrës higjenike dhe je në gjendje të pashpresë. C’farë të tundësh?! Dhe sidomos në një sipërfaqe minimale, ku njëra shpatull cik njërin mur dhe tjetra është nën lavoman.

Unë nuk di nëse Homeri do kishte shkruar Odisenë, po qe se do kishte pasur më parë përvojën e banjove të Mesdheut. Edhe pse një herë në ditë dhe jo më shumë se 15 minuta, vuajtjet janë të paimagjinueshme. Përvojat individuale, shpesh herë tepër tepër të dhimshme. Vetëm banjat e zboreve të Mamurrasit, që më dalin edhe sot në ëndërr, mund të konkurojnë me këto përvoja.

Ata që më quajnë me të drejtë kritizer, do thonë “E shikoni si e nxivi dhe këtë!”

Të them të drejtën këto rrjeshta i shkrojta me shumë droje dhe me frikën se do moskeqkuptohem, por unë po shkoj tek të 70-tat dhe në këtë moshë, njeriu vlerëson dy gjëra më shumë se çdo gjë tjetër; dyshekun dhe WC-në. Se shkon vend e pavend, se muskujt e fundit të kurrizit i ka më të dobësuara dhe se është edhe më i trashë edhe me ndonjë sakatllëk.

Ndaj dhe dua t’ju dhj... mu në projektet e lokaleve luksoze arkitektëve të dashur mesdhetarë!

Fuck Gaudi! (fund)

 


(vijim)

Po duke dashur ta ndal pak turravrapin kritikues, edhe për konceptimin bazë të një vepre duhet gjykuar në kohën kur është projektuar dhe jo me mendësitë rreth arkitekturës të vitit 2026.

Sagrada është konceptuar jo në tërësi që në krye të herës. Madje themelet janë hedhur mbi bazën e projektit fillestar të një arkitekti tjetër. Më tej, pasi e mori përsipër, Gaudi e rikonceptoi, por dhe ai jo të kompletuar, po si një projekt që duhet të vazhdonte t ndryshohej dhe ripasurohej herë pas here. Në këtë lloj vendimi mbase ka ndikuar edhe fakti që arkitekti ishte besimtari devotshëm dhe e shihte Katedralen jo thjesht si një vend ku do grumbulloheshin njerëzit për të ndjekut meshën, por si një institucion që edukonte brezat me frymën fetare edhe ndërsa shihnin fasadat dhe bukurinë e veprave të artit në to.

Pikërisht kjo qasje tërësisht e veçantë e njç arkitekti e bën edhe Sagradan kaq të veçantë.

Por le të shkojmë në gjendja ekonomike dhe shoqërore e Barcelonës, si dhe ajo europiane bashkëkohore, sepse pa to nuk mund të kuptohet një vepër e madhe. Edhe pse në ndonjë rast edhe mund të ketë shkëputje (stakim) nga to.

Kur u vendos të ngrihej Katedralja, Barcelona ishte qyteti më i madh dhe më i fuqishëm ekonomikisht i Europës mesdhetare. Dhe ndër më të mëdhenjtë në gjithë Europën. Kështu që mund të pritej që me dhurime të vazhdueshme të plotësohej një vepër tejet ambicioze dhe me një buxhet të papërcaktuar. Nuk është e thënë që këto kushte të ndikojnë në konceptimin arkitektural, por e bëjnë të veçohet nga veprat arkitekturore europiane dhe të përtej oqeanit të së njëjtës kohë.

Nëse qiellgërvishtet e Amerikës, kanë investitorë biznesmenë, që duan të dijnë sa do kushtojë objekti, Sagrada, që është gjithashtu “qiellgërvishtëse” nuk ka asgjë të tillë. Ka vetëm modele pas modelesh dhe makete pas maketesh, të shtuara dhe të rishtuara nga një arkitekt gjeni. Por që në të njëjtën kohë është jashtë rrethit të arkitektëve avangardë të të dy anëve të oqeanit. Eshtë edhe kjo një arsye e fortë pse qasja e tij ndaj arkitekturës nuk është ndjekur dhe nuk duhet ndjekur.

Luis Sallivën (Louis Sullivan) është përpikmërisht bashkëkohës i Gaudit, por nga punët e tij mund të mësosh edhe sot. Dhe i gjen moderne dhe racionale. Frenk Lloid Rajt ka lindur vetëm 15 vjet më vonë se Gaudi, por arkitektura e tij mund të ripërsëritet po aq bashkëkohore edhe sot. August Perre dhe Garnje ishin gjithashtu bashkëkohës të Gaudit.

Në historinë e arkitekturës botërore ka disa raste, kur kostoja e një objekti shkon jashtë çdo logjike, por kjo ka ndodhur e imponuar nga ata që e kanë porositur veprën dhe në të kanë dashur të përjetësohen. Tipike janë piramidat e Egjiptit, por kanë qënë faraonët ata që kanë shpenzuar partë, ose që kanë shfrytëzuar punën e skëllevërve. Rasti i Sagradas është ndoshta i vetmi, kur arkitekti arrin t’ju mbushë mendjen dhuruesve dhe kishës, se vepra jo vetëëm do kushtojë por duhet vazhduar, por edhe të vazhdojë të ndërtohet për më se 140 vjet! Në një kohë që objektet edhe më të mëdhatë, përfundohen brenda dy ose tridhjetvjeçarësh. Nga kjo pikpamje Gaudi nuk i përket shekujve ku jetoi, por më e afërta ka qënë Mesjeta e hershme.

Ka shumë studiues të arkitekturës, që e quajnë Sagradan një vepër të Eklektizmit në arkitekturë. Unë do isha më i rezervuar dhe do përfshija gjithë veprat e tij në Eklektizëm, duke i dhënë të drejtë Antonit që përpiqej t’i largohej sa më shumë neoklasiçizmit, që po i kthente në identike qytetet europiane. Por do veçoja Sagradan. Mendoj se ajo, në klasifikimin e “specieve” arkitekturore, kërkon një kollonë të veçantë. Eshtë një lloj Eklektizmi dinamik, por ku mbizotëron Neogotiku. Elementët e tjerë të arkitekturës të arkitekturës islamike, asaj afrikane apo të Amerikës Latine, mund të pastrohen me lehtësi, pa i ndryshuar ndonjë gjë të madhe veprës. Madje janë disa syresh që të turbullojnë kur i sheh.

Por klasifikimi i një vepre arkitekturore ka rëndësi vetëm për lehtësi studimi dhe nuk është ai që përcakton reagimin tonë mendor dhe emocional. Kur sheh një krokodil apo një rinoceront, nuk mendon se hyn apo jo në gjitarët. Mendon se sa i bukur është dhe ndjen se duhet t’ja mbathësh me vrap për të shpëtuar lëkurën.

Diçka e ngjashme të ndodh me Sagradan. Të josh edhe të tremb, të fton të hysh brenda saj, por edhe ndjen se është më mirë tas htysh për një herë tjetër, se mund të përfundosh ‘i gëlltitur” në “barkun” e saj po aq të çuditshëm sa edhe eksterieri.

Këtu gërshetohen mrekullimi dhe bezdia, se mendon “si ja ka arritur bir i Barças!”, por njëkohësisht ndjen se” nuk ishte e nevojshme “të ndërlikohej dhe të kushtonte kaq shumë“.

Dhe këtu vijmë në pikën se a është e drejtë të quhet Gaudi “një poet i arkitekturës”.

Për t’i rënë shkurt, unë mendoj se poetë kanë qënë arkitektët që krijuan tempujt grekë dhe më pas ata të gotikut dhe modernët Frenk Lloid, Frenk Gehri dhe Zaha Hadid. Do lija jashtë duke i quajtur prozatorë të shkëlqyer Van Der Rohen. Korbyzjenë, Gropiusin. Renco Pianon dhe shumë të tjerë.

Për Gaudin, ashtu si dhe për Sagradan duhet një kollonë më vete. Mbase tragji-komiku i arkitekturës. Por mund të jetë një përcaktim idiot ky i imi.

Për ta mbyllur, shumë lexues profesionistë ose jo mund të thonë me të drejtë: “Koburen që nxorre të qëlloje Gaudin, fute aty ku duhet ta futësh!”

Si i pacipë dhe kokëfortë unë do ju përgjigjem:

“Fuck you too!”



Wednesday, 25 March 2026

Fuck Gaudi! (2)


 (vijim)

Të njohurit e mij anglishtfolës, që lexuan pjesën e parë, më kritikuan se e kisha nisur keq, me një të sharë të rëndë për Gaudin. Më duhet të sqaroj se ajo që mendova në çastin, kur u ndjeva jo mirë nga Sagrada ishte “Ik o pirdhu me gjithë Gaudi!”, por nuk tingëllonte mirë, ishte tepër vulgare dhe jo e përshtatshme për një shkrim serioz rreth një vepre dhe autori tejet serioz. “Fuck” i imi nuk ka kuptimin e vërtetë të asaj fjale, por është më shumë një ngjyrim i stërnxirë i shprehjes “Arkitektura e Gaudit nuk duhet ndjekur!” Ka të bëjë më tepër me ata që aspirojnë të bëhen arkitektë në të ardhmen, ose janë në hapat e para të profesionit.

Nëse do isha pedagog në një shkollë arkitekture do ju mbaja një leksion të gjatë studentëve të mij se përse nuk duhet ta imitojnë arkitekturën e Modernizmit Katalanas dhe veçanërisht Katedralen e Familia Sagrada. Qysh në konceptim dhe më tej edhe në qasjen vëllimore, të detajeve arkitekturore dhe të kombinimit me vepra të arteve pamore, Por për fatin e mirë të studentëve imagjinarë, unë nuk kam kredencialet e duhura për të qënë pedagog arkitekture jo vetëm tek Politekniku apo Polisi, por as në një Universitet fshati të Shqipërisë, i cili mund të tentojë të hapë një degë “prodhimi arkitektësh”.

Në këtë blog veçanërisht personal unë mund të shkruaj turli marrëzish dhe avantazhi i atyre që e hapin është ta mbyllin menjëherë faqen dhe të vazhdojnë me punët e tyre të përditshme.

Po e nënvizoj edhe njëherë, që edhe pse e njihja fort mirë, nga qindra e qindra pamje fotografike, prej shumë këndesh, si edhe video që janë marrë duke ardhur rrotull Sagradës, përshtypja e parë “e gjallë“ ishte e një kombinimi të jashtëzakonshëm të kullave prej rëre që bëjnë në breg të detit fëmijë dhe adoleshentë të talentuar me pjesë veprash të gotikut, rokokosë dhe të arkitekturës islamike. Ndoshta edhe shumë të tjera, për të cilat do më duhen dhjetra e dhjetra shikime nga afër të hollësishme. Më la pa gojë jo aq nga fantazia e atij kombinimi, por nga saktësia e realizimit. Objekti duhet të ketë qënë tejet i vështirë të realizohet dhe unë nuk kam idenë se si është punuar nga ana ndërtimore në kohën kur ka nisur ndërtimi i Katedrales. Gjithashtu nuk kam ndërmend të ble ndonjë libër që dëshmon me hollësi fazat e projektim zbatimit.

Objekti mund të kishte qënë i shkëlqyer për mendimin tim, vetëm me kullat ngjyrë kafe, dhe të krijonte një stilizim të mrekullueshëm të arritjeve më të mira të Gotikut europian. Edhe pse ndonjëherë edhe kullat kafe të duken si kallëpë misri të posazhveshur. Por ndoshta edhe synimi i Antonit ai ka qënë.

Por Gaudi nuk mjaftohet me to dhe një ndërlidhje të tyre me hapësirat e brendëshme që realizojnë interiere befasuese të një katedraleje katolike. Dhe këtu, pëtr mendimin tim tepër modest, ze fill gabimi i madh konceptual i një Katedraleje nga Gaudi.

Ku ka dashur të arrijë?

Të krijojë një monument të madhështisë së Perëndisë, që krijoi këtë botë të bukur në të gjithë larminë e saj? Për kët i duheshin edhe dhjetra tufa me banane, mango dhe fruta të tjera ekzotike që ka vendosur në majat e shumë elementëve vertikalë arkitekturorë, që duhet thënë se janë proporcionuar në mënyrë gati perfekte. Të krijohet përshtypja e gabuar, se ka ndjekur shprehjen e njohur në rrethet e të krishterëve ortodoksë shqiptarë : Perëndia është bakall! C’ti kërkosh të jep! Dhe në rastin e sipërpërmendur, ka një larmi frutash, sikur të jesh në një dyqan frutëshitësi. Frutat me ngjyrat e tyre të vërteta nuk kanë vend në asnjë lloj arkitekture, qoftë kjo klasike, neoklasike, art-deko, moderne etj. Arkitektura nuk ka qënë dhe nuk është një art pamor edhe pse me sukses në shumë vepra nga më të mirat janë “inkorporuar” skulptura, basorelieve, mozaikë, aplikime në qeramikë, qelq, hekur të rrahur etj etj.

Duke mbetur tek konceptimi bazë, që duhet të ketë qënë dhënia e madhështisë të Zotit tonë, unë mendoj se fjala e fundit arkitekturore për një Katedrale ishte dhënë me veprat më të mira të Gotikut dhe asgjë nuk mund t’ja u kalonte. Ka më se 700 vjet nga Katedralja e Shartr (mund të merrja edhe të tjerë shembuj të Gotikut) që nuk ndërtohet dot më një kishë që t’i afrohet asaj. E njëjta gjë ka ndodhur edhe me Sagradën edhe pse në të mund të jenë shpenzuar edhe më shumë para se sa janë paguar për Katedralen e Notre Damë të Shartr.

Dhe këtu hymë në një tjetër aspekt të konceptimit të një vepre arkitekturore dhe që nuk është aq i parëndësishëm. Fondet e logjikshme që duhen përdorur për një vepër publike apo private.

Për studentët e arkitekturës dhe për arkitektët e rinj, duhet që në kokë të jetë i ngulitur një parim:

edhe në rast se investitori shtetëror apo privat të thotë “Më bëj një gjë që nuk është bërë kurrë, se buxhetin e ke të pakufizuar!”, ruajtja e një logjike të pranueshme hapësinore, të trajtimit vëllimoro-dekorativ, futjes së veprave të arteve pamore dhe të materialeve që do përdoren.

(vijon)

Tuesday, 24 March 2026

Fuck Gaudi!


Një koleg i mirë i imi (me një hotel dhe disa apartamente të vëna me punë, pa qënë asnjë ditë në pushtet)më ka sugjeruar të kem më shumë shkrime rreth arkitekturës në blog. Unë jo se nuk dua të shkruaj më shumë rreth arkitekturës, por e kam të vështirë se nuk di. Ose për të qënë më i saktë di pak. E kam më të lehtë të shkruaj rreth gjërave që nuk i di fare, si janë politika ndërkombëtare apo problemet e shoqërisë shqiptare, sepse edhe nëse gaboj rëndë në to mund të justifikohem se “nuk jam i fushës”.

Por rreth arkitekturës druhem, se kolegët mund të më thonë, si para 12 vjetësh një koleg i ri, që punonte për australianin Pite, “ti ke bërë projekte vetëm përbërësit që hidhje mbi picat atje ku punoje”. (Unë vërtet kam punuar edhe në një piceri, por si shofer dhe paguhesha më pak se një picabërës.)

Sot e kam vendosur të hidhem në sulm kundër më të mëdhenjve të arkitekturës dhe pikërisht ndaj Antoni Gaudit.

Kam vënë re pas viteve ‘90, që emrin e Gaudit e dinin edhe shumë shqiptarë, që kishin mundësi të udhëtonin nëpër Europë se kishin biznese ose poste në administratë. Edhe pse nuk kishin idenë se cilët ishin Korbyzjeja, Gropiusi apo Rajti. Se nuk kishin ç’ju duheshin dhe ndoshta do i mësonin ndonjë ditë nga ciceronët kur të vizitonin veprat e tyre sikundër kishin vizituar Sagradën.

Edhe pse e studionim në shkollë dhe format dhe skrupuloziteti në punët e tij ishin vërtet mbresëlënëse, unë nuk kam qënë kurrë një simpatizues i Gaudit. Ndoshta edhe nga një lloj “dembelizmi” që kam pasur në realizimin e projekteve të shkollës. Nëse do frymëzoheshe nga stili i tij (e quajnë Modernizmi katalonas, por unë gjej në të super të ndërlikuarën por jo Modernizmin) duhet të gdhiheshe mbi projekte dhe nuk kishte “kanonka” dhe kurbalinja që mund të të ndihnin. Ndaj më “voliste” të frymëzohesha nga Rajti (Frank Lloyd Wright), Gropiusi dhe Oskar Nimajer. Si edhe nga arkitektura japoneze. Me një fjalë të isha disi Minimalist në konceptimin e projekteve të mija, që i mendoja se duhet në rradhë të parë të ishin racionale.

Më vonë kam kuptuar se ky lloj “minimalizmi” nuk ishte i shkaktuar vetëm nga “dembelizmi”, por ishte një qasje ndaj çdo gjëje të krijuar, qoftë në art, por edhe në të tjera gjëra, deri në kulinari. Edhe femrat më pëlqejnë më shumë si i ka krijuar natura, pa shtuar as gjënë më të vogël. As edhe një tatuazh apo një unazë të vogël në kërthizë.

(Përsëri dola nga tema, se e kam më të thjeshtë t’ja fus kot, se sa të shpjegoj se pse e nisa këtë shkrim me dyfjalëshin klithës “Fuck Gaudi!”)

Klithja mu krijua në çastin e parë, kur duke ecur i udhëhequr nga gps drejt vendit ku është Sagrada (ma ço i çik lokacionin të thonë në kryeqytetin tonë të shumëdashur), ktheva një qoshe blloku dhe u përballa me të. Veprën e njihja mirë, por nuk e kisha parë “të gjallë“. Më ndodhi e kundërta e asaj që më kishte ndodhur 20 vjet më parë, ndërsa ktheja qoshen e një blloku në Rivë Gosh dhe mu shfaq Kulla Eifel. Atëhere shtanga. Me të vërtetë u mrekullova. Pasi u ngjita në të dhe mora të ikja, rrashë në gjunjë. Nuk di nëse ju përkula Kullës apo Gustavit që e kishte krijuar. Një mrekulli e arkitekturës e krijuar nga një inxhinier dhe e realizuar prej tij. Botova edhe një poezi për atë ëast magjik.

Tek Sagrada, befasimi profesional të vjen nga kompleksiteti i veprës dhe nga vështirësia e realizimit të saj. Të mahnit, por në këtë drejtim dhe jo se të mrekullon si diçka e krijuar nga një vizionar i arkitekturës në fundin e Shekullit të Artë dhe në fillimin e shekullit të XX, pikërisht kur janë krijuar kryeveprat më të shumta të artit botëror dhe janë harlisur thuajse të gjitha rrymat moderne. (Po përmend vetëm disa emra, për të lehtësuar lexuesin që nuk është ndjekës fanatik i arteve. Vagner, Van Gog, Dostojevski, Edgar Alan Poe, Rajt, Oskar Uaild, Puçini, Dega, Renuar, Bodler, Rodën. Po shtoj këtu edhe katalanasin Miro, që ka krijuar kryevepra në të njëjtin qytet, madje edhe kur Gaudi jetonte dhe punonte.)

Telk një shkrim tjetër i këtij blogu, kam thënë që “Gjenijtë nuk gjykohen!” Unë nuk kam marrë përsipër të “gjykoj” Gaudin edhe pse e kam “sharë rëndë“. Dua të shpreh mendime kritike rreth një qasjeje tërësisht të veçantë ndaj arkitekturës. Dhe një qasje që nuk mund të kishte shumë ndjekës për të gjitha arsyet që do rendis më poshtë. 

(vijon)

3 miqtë e mij të “kishave”


Si më të shumtit e turistëve, që ditën e parë në Barcelonë, ja mbathatë shikoja Familia Sagrada të Gaudit. Nuk jam i sigurt nëse e studionim si objekt të vetëm në kohën e “studentllikut”, por ashtu si Gaudi, vepra më e famshme e tij, ishte e njohur për studentët e arkitekturës. Megjithatë nuk mund të krahasohen përshtypjet nga fotot dhe planet, me atë çka ndjen kur je pranë një vepre të rëndësishme të arkitekturës botërore.

Cuditërisht, unë në vend të përqëndrohesha në mendime rreth Zotit tonë dhe Gaudit, mendja më shkoi tek tre miq-kolegë të mij që ndërtojnë kisha. Si do e lexoni më poshtë, ka qënë pikërisht prania e Djallit që ndikoi në mendimet e mija dhe jo ajo e Krishtit. Por nuk është faji im, por i Luçiferrit, që qëllimisht sillet rreth objekteve të rëndësishme të kultit, ku shkojnë shumë turistë dhe besimtarë. Dhe sikundër mund të ketë turbulluar shumë mendje japonezësh dhe gjermanësh turbulloi edhe mendjen time.

Fillimisht mendova se cili nga tre miqtë e mij të “kishave” mund të ndërtonte Katedralen e Madhe të Barcelonës. Prej tyre, njëri meret vetëm me ndërtim kishash, i dyti kryesisht me ndërtime dhe rikonstruksione kishash dhe i treti edhe me ndërtime dhe rikonstruksione kishash. Të tre me origjinë nga qyteti im, të tre me siguri të pagëzuar (janë më të mëdhenj se unë) dhe të tre besimtarë të kulluar. Njëri përdor gjithnjë shprehjen “Lavdi Zotit”, i dyti përdor dëndur “me ndihmën e Zotit” ndërsa i treti edhe pse nuk i përdor shprehjet që lidhen me Perëndinë thotë jo rallë “Do Zoti dhe kapim ndonjë llokmë të mirë“.

Duke qënë më i ri se të tre, dhe rrjedhimisht me një mendje “më të shpëlarë“ (kishat u prishën kur unë isha 7 vjeç) unë i shoh me dyshim dhe them sa mirë e patën fshehur besimin e fortë tek Perëndia gjatë 23 viteve të gjata të përndjekjes ndaj besimtarëve.

Por ata e kanë pasur të fortë dhe më shumë do ju jetë forcuar pas ndryshimit të sistemit, kur feja mund të ushtrohej në gjithë liritë dhe dimensionet e saj. Një ndikim të madh duhet të kenë pasur edhe kontaktet me Kryepeshkopin Anastas, se dy të parët e përmendin shpesh kur flasin për karrierat e tyre në shërbim të ringritjes së kishave, kurse i treti e përmend më shumë me një lloj dëshpërimi, kur thotë: “Si se futa dot në rodhan dhe atë Janullatosin!”

Kryepeshkopi i ndjerë, vërtet duhet të jetë përpjekur të ndikojë në shpirtrat e tyre, jo vetëm për të pasur sa më shumë punë cilësore ndërtimore, por edhe për të qetësuar ndërgjegjet e tyre të turbulluara, të cilat me siguri i ka parë me mënçurinë e tij. Se harrova të përmend që në krye. se të tre edhe pse ndërtojnë objekte kulti, nuk flasin mirë për njëri tjetrin. Kuptohet që nuk kanë pasur as edhe një bashkëpunim. Se kur i thonë llafit” Kishë më vete, varr më vete!” Dhe ndonëse nga i njëjti qytet, nga e njëjta fe, dhe duke punuar për të njëjtën Kishë Autoqefale, edhe kokat e tyre duhet të jenë shumë “autoqefale”. Parime të ndryshme arkitekturore dhe ndërtimore.

Kështu që Hirësia e tij, fatkeqsiaht ka dështuar në futjen e këtyre deleve të humbura të Zotit në Udhën e Drejtë. (Më ngjan se po njëlloj ka dështuar edhe tek një i afërmi im, që nuk e heq Hirësinë nga goja, nga njëra e djelë në kishë tek e djela tjetër.)

Por të kthehemi tek Sagrada, që në vend të më shtynte të mendoja drejt, unë mendova “dreq”. Se fundi i fundit ç’punë kam unë se si veprojnë në ndërtimin e kishave tre miqtë e mij. Ose edhe i afërmi im, që mund të jetë edhe mik i miqve të mij. Zoti ynë na ka mësuar të falim, të mos shtyhemi në ngasje nga i Paudhi( si u shtyva unë sot) dhe të përpiqemi të jemi sa më të pasur e sa më praktikë.

Se e rëndësishme është të ndërtojmë Shtëpitë e Zotit, ku të mblidhen besimtarët. Më pas edhe ai na i shpërblen!

(Edhe kjo Sagrada nuk do ishte bërë po mos kishte parë një ëndërr Kryepeshkopi i Barcelonës, që projektin duhet ta bënte një arkitekt me sybojëqielli. Këta të mijtë i kanë Kafe!)

Monday, 23 March 2026

Berisha s’mund dhe nuk duhet të kthehet “grata” për shqiptarët


Mes protestave të mëdha dhe të drejta në Tiranë, ka diçka që nuk shkon dhe që i frenon njerëzit të shkojnë në to. Flas për ata njerëz që nuk i tremben humbjes së vendit të punës, ose edhe mund ta pranojnë humbjen e rrogës, vetëm Rama dhe banda e tij me hajdutë të ‘qërrohet”.

Por për ta dhe shumë njerëz që nuk duan t’ja dijnë pr politikë, ka një pengesë të madhe për të lënë divanin dhe të dalin në protestat e opozitës.

Ky njeri është Berisha me bandën e tij.

Nëse njerëzit kërkojnë largimin e menjëhershëm të Ramës dhe Blendi Klosit dhe Ballukeve, nuk mund të pranojnë zëvendësimin me Berishën, Flamur Nokën dhe Albana Vokshin. Edhe pse mund të jetë një e keqe më e vogël, shqiptarët janë aq të zgjuar sa mos zëvendësojnë një Autokrat Pallosh, me një Autokrat Hundëshqiponjë.

Berisha duhet të ikë bashkë me Ramën nga skena politike. Madje për të qënë i saktë “duhet të qërrohen”. I kanë sjellë shumë e shumë dëme atij populli. Më kryesorja edhe se vjedhjet janë shtrëmbërimi i Demokracisë.

Por dëshira e ime dhe e shumë shqiptarëve të tjerë nuk mund të realizohet nëse ne nuk jemi në shumicë. Nëse shumë shqiptarë do votojnë verbërisht për Ramën për njëmijë e një arsye dhe nëse shumë të tjerë do ndjekin Berishën se janë antikomunistë atëhere vendi do mbetet në të njëjtën situatë, që ka prej vitit 1994.

Unë problemin kryesor e shoh tek “mpirja” e të rinjve. E brezit që në natyrën e tij është idealist dhe do të ndryshojë për mirë botën që ka gjetur. Nëse të rinjtë e ndjejnë veten mirë në situatën që është Shqipëria atëhere Rama ka për të mbetur gjatë në fuqi. Nëse “militantët” që e quajnë PS-në një “lule plot petale” apo që thonë “Berisha je njësh!” janë të shumtë, atëhere Shqipërisë do i duhet të presë ndihmë nga Perëndia.

Nuk ndjehem as pesimist, por as optimist. Shenjat e zhvillimeve politike në Shqipëri nuk janë inkurajuese, për shumicën e njerëzve punëtorë dhe të ndershëm. Duhet t’i mbajnë sytë tek administrata e ardhme (e cilësdo ngjyrë), se mbi ç’parime do operojë, se ç’synime do ketë për zhvillimin e vendit dhe a do jetë e përqëndruar në parim “haj t’kapim noi lek!’ sikundër ka qënë prej 30 viteve të fundit.

Para tre vjetësh, kam takuar vetëm për një kafe, tre vetë të afërt me udhëheqjen e PD-së. Të tre poshtë të 45-ve. Jo vetëm që ishin “berishistë“ (dhe ndoshta ende janë), por edhe se të papërlyer dhe në opozitë, me shaka ngacmonin njëri tjetrin, se a kishin pasur ndonjë fat të përfshiheshin në projekte dhe leja ndërtimore. Ata ndoshta nuk kanë për ta bërë këtë gjë edhe kur të vinë në pushtet (nëse vijnë), por ajo që më trembi ishte koncepti i pasurimit të shpejtë me “leje ndërtimi”edhe pse ata vetë nuk kishin asnjë lidhje me ndërtimet. Pra idea ishte “nëse kemi në dorë“, të parën punë do bëjmë “futjen” në biznesin që sjell fitime të mëdha dhe që ushqehet nga paratë e pista të drogës.

“Po normal!” mund të hidhet menjëherë lexuesi im më marrok dhe që mund të jetë me parti, pa parti ose partiak i ndryshueshëm.

Dhe pikërisht kjo “Po normal!” është ajo që më tremb më shumë. Sepse u normalizua abuzimi me pushtetin, u normalizua të fitosh pa pyetur se nga është burimi i parave, u normalizua të merresh me gjithshka që sjell fitim, jo sepse je një biznesmen i talentuar, por se je pranë “zyrave të mëdha” ku merren vendimet. Dhe kështu historia e dhimshme e rrjepjes së të tjerëve dhe e Shqipërisë do vazhdojë edhe nëse ndryshon Rama, Berisha apo nëse nuk do jenë më Maneja dhe Kastrati.

Do vazhdojë të jetë Shqipëria e shqiptarëve që e kanë ‘by... e shitur’ sepse kjo është e vetmja mënyrë për të mbijetuar dhe për të mbijetuar “bajagi mirë.”

Sunday, 22 March 2026

Sa më shumë “bonistë“ aq më mirë!


Nuk jam i sigurt nëse jeta në një qytet, ku njoh pak njerëz, apo udhëtimet e gjata me makinë më kanë krijuar mundësinë të mendoj më shumë. Jo se më parë nuk kam pasur mundësi të mendoj, por një pjesë e atyre që më shkonin në mendje ishin për gjëra nga më të zakonshmet, që nisnin me projektet për të cilat punoja dhe bitisnin me pyetjet e kota “përse ma tha këtë x-i apo y-greku?”. Tani e kam jetën shumë të lehtë dhe pasi kam kryer “adetet e mëngjesit”, zakonisht shkoj në “Starbucks-n” e preferuar “ku më njohin banakierët”. Me ta shkëmbej një “si je” dhe një buzëqeshje dhe ze vendin tim, po mos e ketë zënë dikush para meje. Pa folur me njeri, pa vështruar kënd. (Prever e ka përdorur dendur tek “Ngrënia e mëngjesit”, por unë betohem që nuk e kam kopjuar nga simbolisti i mrekullueshëm.)

Herë herë, dikush kalon para tavolinës sime dhe më thotë pa u ndalur “hi” dhe unë i përgjigjem në shqip “përshëndetje!” që ta ngatërroj dhe njëkohësisht të futem në atmosferën e një kafeneje shqiptare.

Më pas filloj dhe mendoj se nuk kam se ç’të bëj tjetër dhe pres kalimtarin e rradhës të më thotë “hi” duke buzëqeshur. E di që janë “bonistë“ me mua, sikundër jam unë me ta, sepse nuk ka asgjë që mund të “ndajmë“ dhe nuk ka asnjë arsye t’i themi njëri tjetrit “plaç!”

Por duke qënë një ballkanas tipik, kokëshkretë dhe torolloz, kur këmbej me bashkëatdhetarët, qoftë në telefon, në mediat sociale, apo edhe kur vizitoj Shqipërinë, më pëlqen më shumë të më thonë “Plaç!” Nuk e di pse, por ndjehem më mirë se sa kur përballem me “bonistët” që më thonë “përshëndetje”, “je i plotësuar” apo “kam respekt për ty dhe familjen tënde!” E di edhe që kjo që po shkruaj është një “budallallëk me brirë“, por ja që kështu e kam. Këtë hyq ma dinë edhe shokët më të afërt (sikundër e di dhe unë për ta) dhe jo rrallë më thonë “sa cazzo je!” apo “m’a ha m...!”

Ndoshta jemi përfaqësuesit e fundit të një brezi “hipi”, që e ka pasur të vështirë të thotë nga këto fjalët plot mirësjellje, që ndonjëherë nuk përdoren as në kuptimin që kanë. E kam shkruar dikur një episod të shkurtër me një “grua të kënduar”, që duke qënë boniste, ndërsa këmbeheshim një ditë në një nga “trotuaret” e qytetit tim dhe unë isha vërtet i veshur si “lanxho” më tha: “Sot dukesh tamam inxhinier , tamam arkitekt!” Dhe u ndjeva më mirë se të më kishte thënë : “Po ç’je veshur më këtë ditë o gomar!” Ikja rrugës dhe qeshja me vete.

Një tjetër “bonist”, të cilit i dërgoja një shkrim timin rreth arkitekturës së Korçës, pasi më përgëzoi më shkrojti se ai vetë kishte vrapuar më kot rreth ca fitimeve të thjeshta me projekte të shpejta, në vend të merrej me shkrime të kësaj natyre. E kuptoja që donte të më shkruante se “ti je një hajvan që merresh me këto shkrime pa bereqet”, por ai gjeti mënyrën më të bukur për të më bërë të ndjehesha mirë. Dhe vërtet u ndjeva mirë, se jo vetëm u gajasa, por telefonova menjëherë avokatin tim. që nuk ishte në Lion, dhe ja tregova.

Ndaj them se nuk ka asgjë të keqe të kemi rreth e rrotull sa më shumë “bonistë“. Sepse edhe se na thonë ndonjë të pavërtetë, e thonë aq bukur sa të bëjnë të ndjehesh mirë. Dhe nuk të intereson se ç’mendojnë në të vërtetë, apo se ç’rrëfejnë rreth teje pasi je ndarë. Rëndësi ka që janë aq të mirë! Që janë aq pozitivë! Që të falin aq shumë dashuri!

Kështu që edhe kur jam i rrethuar nga shumë “bonistë“ unë nuk ndjehem asnjëherë “i veledisur”. Sheqeri që buron nga buzët e tyre, të shkon menjëherë në mendje, sepse është produkti më i asimilueshëm nga gjaku. Dhe ndjehesh “i plotësuar”. Se je i rrethuar nga një atmosferë e ngarkuar me pozitivitet të pashembullt.

Madje edhe nëse të vijnë ndonjëherë rropullitë rrotull, përmbahesh dhe nuk ja u derdh zorrët e barkut në fytyrë, sepse ai do jetë veprimi më i turpshëm që mund të bësh ndaj një “bonisti”!

Dhe unë për ta lë kokën!

Kujt i duhet poezia?!


Në një shkrim të dy muajve më parë prekja mosintersimin e lexuesve në botë për poezinë. Për deri sa është një dukuri mbarëbotërore, duhet të ketë diçka tepër të arsyeshme dhe të thellë që kjo ndodh. Nuk ndodhte gjatë dy shekujve të kaluar, madje ndër personalitetet më të shquara të artit e kulturës ishin poetët. Aq e rëndësishme ka qënë poezia sa që në kohën e Aristotelit, sa ajo cilësohej prej filozofit të madh si imitim i veprimeve të njerëzve.

Dhe me këtë mund të kuptojmë që poeti ishte kronikani, studiuesi, vrojtuesi, analizuesi dhe më pas ai që hidhte në vargje atë çka ndodhte në shoqërinë njerëzore të Athinës, e cila ishte bota e Aristotelit, por ishte aq universale në atë kohë dhe ndosht edhe sot. Kuptohet që duhet të bëjmë një saktësim se poetë në Greqinë e Vjetër quheshin të gjithë shkrimtarët, ndërsa sot, poetët “mbulojnë“ një pjesë shumë të vogël të “lëmit letrar”.

parë se Aristoteli, Platoni, tek “Republika”, shkruante se “poetët korruptojnë mendjet e të rinjve duke shpërndarë keqinformime, ndaj si të tillë nuk duhet të jenë pjesë e Republikës ideale.”

Por edhe pse në dukje tepër të kundërta, dy qëndrimet e kolosëve të filozofisë njerëzore të një kohe që mund të duket e perënduar, kanë një pikë të përbashkët e cila është : Rëndësia shumë e madhe e poetëve!

Por thëniet edhe të mendjeve më gjeniale, nuk duhen marrë fjalaë për fjalë dhe të përdoren, si bëjnë shumë “marrokë“ që kur duan t’i venë pikë një diskutimi thonë e ka thënë Aristoteli apo Ajnshtajni. Duhet të kemi të qartë se si lidhen përcaktime dhe thënie të veçanta me kohën në të cilën janë thënë dhe shkruar.

Në rastin që flasim për poezinë dhe poetët, duhet të kemi të qartë se ç’ishin poetët në Greqinë e lashtë.

Poetët ishin shkrimtarë, kronikanë, filozofë, sociologë dhe njerëz të rëndësishëm edhe në fusha të tjera të dijes njerëzore. Thuajse çdo gjë e rëndësishme e letërsisë antike greke ishte në vargje dhe të ishe një poet i rëndësishëm nuk donte vetëm “vizita të shpeshta të Muzave të Parnasit”, por shumë dituri. Ndaj ata kishin peshën që të “prishnin mendjet” e të gjithë brezave dhe veçanërisht të të rinjve.

(Sot këtë e bëjnë Ndikuesit- ose influencers, që përgjithësisht janë njerëz me njohuri tepër të cekta në shumë fusha, por kanë aftësitë dhe paturpësinë të shkruajnë, bëjnë video, foto dhe të fitojnë para në mediat sociale.)

Duke u kthyer në kohët e sotme, veçançrisht në këtë shekull, duhet të vemë në dukje një fakt të konstatuar gjërësisht prej Japonisë tek Kili. Ndikimi dhe përdorimi i “haikut” apo i vargjeve të Nerudës, jo vetëm nuk ka peshën e mëparshme, por ndoshta qarkullojnë më pak edhe mes pjesëve më të ndjeshme të popullsisë së Globit dhe që janë adoleshentet dhe të rejat e dashuruara.

E megjithatë, në rrethet letrare, poetët dhe poezia janë ende të vlerësuara. Madje po të përmëndim fituesit e Cmimit Nobel në letërsi, gjatë 25 viteve të këtij shekulli, tre janë poetë të mirëfilltë. Amerikanët Dilan dhe Gluk, si dhe suedezi Transtomer. 6-7 të tjerë kanë edhe vëllime me poezi në karrierën e tyre letrare. Ndaj mes atyre që lexojnë e shkruajnë, mes atyre që lexojnë dhe përpiqen të shkruajnë, si dhe mes atyre që lexojnë shumë, poezia vlerësohet. Rrjedhimisht edhe poetët.

Unë nuk kam njohuritë e mira dhe të plota për të hyrë në thellësi se ç’përfaqëson poezia sot dhe pse ajo është ende e rëndësishme në jetën e njerëzve.Vetë thuajse nuk lexoj asnjë poezi të të tjerëve, por kjo vjen nga një lloj frike, se struktura të tëra, ose figura të mrekullueshme, mund të më nguliten në kokë dhe padashur, t’i përdor një ditë në poezitë e mia. E kuptoj dhe vetë që është një lloj paranoje, por më mirë të kem më pak në kokë, se të “shes” nesër pasnesër, poezi të kopjuara pa dashje nga poetë të mençur të këtij Globi.

Një pjesë e madhe e poetëve sot, shkruajnë tekste këngësh. Kështu ka ndodhur që në antikitet, por në ditët e sotme është më e përhapur, sepse këngët 3-5 minutshe janë ndoshta gjinia më e përhapur e artit botëror. Dëgjohen nga të gjithë, vallzohen nga shumë dhe këndohen në dush nga të gjithë ata që e kanë mundësinë të bëjnë dush. Ndaj ndikimi i poetëve në jetët e njerëzve është jo i pakët. Veçanërisht në dashuritë e tyre. Ka edhe tekste, që kanë shërbyer si manifeste politike, por këto janë më të pakta dhe për mua nuk janë as të domosdoshme, se jo rrallë nxisin njerëzit në kryengritje idiote.

Pra duke u kthyer tek Platoni dhe Aristoteli, kemi përsëri një rëndësi jo të vogël ndikimit të poetëve tek “masat” edhe pse librat me poezi shiten pak dhe lexohen akoma më pak.

Ndaj në mbyllje të këtij shënimi të shkurtër, më duhet të them se “poezia ju duhet të gjithëve”. Eshtë një lloj “ushqimi” mendor, të cilin e merr edhe pa e ditur se e merr. Kuptohet nëse ke një lloj inteligjence minimale. Në rast të kundërt mund të thërresësh me të madhe:

Nobody needs your poetry!”


Saturday, 21 March 2026

Pranë një jazi

Ja jemi mbledhur atje

Në jazin ku rrjedhin ditëlindjet,

Të pafundmet,

Se më nuk mjaftojnë të dorës gishta.

Dhe flasim dhe fshehim

Dhe fshehim dhe flasim;

Djemtë kanë humbur të flokëve fije

Vajzat më s’kanë të gërshetave bishta.

Udhëtuar kemi në një të bukur kohë,

Kur nuk trembeshim se binim

Por as ecnim në terr.

Gjithshka e bukur dukej

Shpatullave të prindërve kaliqafë hipur,

Ndoshta ata vuanin,

Por ne s’ndjenim tmerr.

Tashmë jemi syçelët

Mbase të lodhur

Në dyshim vemë çdo ditë bindjet.

Pranë një jazi rrimë të gjithë mbledhur,

Flasim dhe fshehim

Dhe numurojmë ditlindjet.

Unë jam...ai që “kam”


Sa herë afrohet vizita e rradhës në Atdhe, më kujtohet një monolog brilant i Roberto Beninit, që fliste për paraqitjen e Silvio Berluskonit para Zotit, kur Fuqiploti zbriste në tokë për të bërë Gjyqin e Fundit. Ndërsa Perëndia prezantohej si Jehovai (ai që jam), Berlu plot krenari i përgjigjej: “Unë jam ai që kam!”

Sigurisht që kjo “kujtesësjellje” e ka një arsye. Unë kam ikur më 1997, në një kohë që nuk ishin të shumtë “kamësit” dhe psikologjia e kohës së Diktaturës, kur të gjithë ishin njëlloj të varfër, nuk kishte ndryshuar diametralisht.

Veçançrisht gjatë vizitave në shekullin e XXI, kam ndjerë që nëse do të jesh më shumë një “çapaçul” në Mëmëdhe, duhet të kesh. Dhe jo vetëm një makinë, një apartament dhe një qen jo të racës, por shumë e shumë prona të palujtshme.

Pasi më takonin në qytetin e lindjes, të njohur “shumë“ dhe të njohur “pak” më pyesnin a e kisha shtëpinë dhe pas saj nëse e kisha ende apartamentin.Askujt nuk i binte ndërmend të më pyeste për dy bijat time dhe aq më pak se nëse kisha ndonjë nip a mbesë. Pas shumë “përvojash”, një ish-rektori i thashë që kisha dy fëmijë. Ish rektori finok më sqaroi se kjo ishte arsyeja që më pyeste për shtëpinë dhe apartamentin, se e dinte që kisha dy vajza dhe nëse do ikja shpejt nga kjo dynja, do kisha mundësi t’i lija sejcilës nga një pronë.

Shumë bashkëatdhetarë të tjerë, pasi renditin një numur pronash të palujtshme dhe planin për të blerë edhe një shitore, shtojnë: “Le t’ju mbeten fëmijëve!”

A është kjo dukuri e një populli varfanjak, që dikur nuk ngopej dot me mish dhe qumësht dhe që të kishte një shtëpi nuk e lejonte Partia e Punës nën udhëheqjen e lavdishme të shokut Enver?

Unë nuk jam në gjendje ta spjegoj, sepse më mungojnë aftësitë analitike si dhe të dhënat statistikore për numurin e popullsisë dhe numurin e pronave të palujtshme. Ndonjëherë dëgjoj që X-person ka mbi 80 apartamente, apo se një ish ministër ka katër vila, tre ullishte dhe dy restorante. Dhe këto janë ndër temat më të lakuara në kafenetë ku kam ndenjur për të pirë një kafe njëmijë lekshe.Disa numurojnë pronat e të tjerëve dhe të tjerë dëgjojnë dhe tundin kokën gjithë dëshpërim dhe më pas shtojnë: “Korrupsioni! Mos i gëzofshin!” dhe të tjera mallkime marroke si këto.

Të duket se je spektator i një gare të madhe, ku gjithkush përpiqet të ketë sa më shumë prona të palujtshme. Edhe pse për të arritur në krye të grupit vrapues duhet t’ja shesë shpirtin djallit.

Nuk di nëse në dasma dhe gëzime të tjera familjare, “kamësit” kanë tryeza më afër orkestrës dhe tryezës kryesore, por më është dukur, që vetë ata që “kanë“ ndjehen më të sigurt dhe nuk mënojnë të rrjeshtojnë pronat, veprat e artit që posedojnë dhe arkitektët që merren me dizajnin e interiereve të vilave dhe të apartamenteve të tyre.

Mua, që më ka mbetur sahati në kohën e Diktaturës, mendoj me kokëfortësi se me shumë nga këta “kamësit” nuk do merrja mundimin të rrija në një tryezë për të pirë kafe. (Kuptohet nëse “kamësit” do denjonin të uleshin në “sërën time”.) Kuptohet që nuk më mungon respekti për ata që “kanë“, por edhe shumë në “qese nuk më hyn” sepse nuk kam shpresë se do më falin ndonjë pronë nga ato që nuk “do ja u lenë fëmijëve”.

Pa dashur të bëj “moralistin” po ju kujtoj atyre që kanë ambicie “të kenë“ dhe që mendojnë se pas asaj “ kanë me u ba rehat”, në jetë nuk ndodh kështu. Sigurisht që është më mirë te kesh se të mos kesh. Shumë gjëra të bëhen më të thjeshta, por jeta nuk ka një ndryshim krejtësisht thelbësor. Sepse nëse “kamësit” vazhdojnë me garën permanente për të pasur sa më shumë, nuk do jenë kurrë të kënaqur dhe do humbasin shumë e shumë kënaqësi të vogla e të mëdha, që të ofron kjo jetë e mrekullueshme, por që për fat të keq është shumë e shkurtër.

Për më tepër, ato që “ke” nuk të ndryshojnë se cili apo cila “je”. Të gënjen mendja! Je e njëjta qënie me të mirat dhe të këqiat e saj në një qoshe të humbur (apo të gjendur) të Globit, ku më e shumta që mund të bësh është t’i mburresh fqinjit të varfër, se ke tre apartamente, dy vila në Lalëz dhe një restorant në Ksamil. Pastaj me zemër të dredhur do kujtohesh se janë vetëm 2 metra karre ato që do kesh në Përjetësi.

Rëndësia e “të rëndësishmes”


Ndoshta para dhjetë vjetësh, në një bisedë të shkujdesur midis miqsh, pyeta një shoqe të gjimnazit se kur e kishte kuptuar rëndësinë e marëdhënieve seksuale. M’u duk se nuk e kuptoi pyetjen se diçka po tregonte për një bisedë me një shoqen e saj, ndoshta në vitet e adoleshencës. Edhe pse pyetja ime ishte provokuese, brenda saj kishte një të vërtetë të madhe, që “brezi jonë e kishte mësuar rëndësinë e tyre” si mësojnë sazexhinjtë e fshatit një melodi që e dëgjojnë në radio.

Ishte tabu të flitej në shtëpi për “marëdhëniet seksuale” dhe po aq ishte edhe në shkollë dhe shoqëri. Edhe Partia, edhe pse komuniste, kishte një orientim tepër anadollak të përcjelljeve të njohurive rreth seksit tek fëmijët dhe adoleshentët. Pak shqiptarë dinë edhe sot, se komunistët e fundit të shekullit të XIX ishin ndër të parët që ishin kundër “edukatës së ashpër viktoriane”. Madje gjatë Revolucionit të Tetorit në Petrograd, të rinjtë ishin lëshuar trotuareve dhe bënin hapur “ljubjoçka të rënda”. Vitet ‘20 të shekullit të XX ishin vitet e një lloj “shfrenimi seksual” të paparë në gjithë Europën, por jo në Shqipëri.

Por të kthehemi në Korçën e viteve ‘60 dhe ‘70, që përkon me fëmijërinë dhe adoleshencën tonë. Unë di shumë pak (ose aspak) se si diskutonin mes tyre vajzat, rreth dashurive të para, puthjeve të para apo edhe përvojave të para seksuale. Ne djemtë, i dëgjonim nga shokët më të rritur dhe shpesh ishim të dizinformuar, sepse edhe më të rriturit, ose nuk i dinin mirë, ose gënjenin. Për më tepër akti seksual

konsiderohej si diçka që mashkulli superior e kryente mbi femrën inferiore në mënyrë triumfuese.

Shumë vite më parë kam shkruar reth këtij mentaliteti një shënim “E kam ferru këtë!” për të cilin nuk jam i sigurt nëse e kam hedhur në blog.

Ndaj thuajse të gjithë bashkëmoshatarët e mij, djem apo vajza, kanë vuajtur një qasje të vonuar dhe të gabuar ndaj marëdhënieve seksuale. Sigurisht që e kanë mësuar (një e moshuar theshte edhe mizat dinë ta bëjnë), por ka të mësuar dhe të mësuar. Kjo dhe në kohë, por edhe në cilësi. Ndoshta ka mes moshatarëve tanë, që edhe sot nuk dinë se ç’është një përvojë e bukur dhe e plotë seksuale.

Por ne nuk kemi mundësi ta kthejmë kohën pas. As ka kuptim të themi “ah si na ka shpëtuar ky rast, apo si nuk bëmë dashuri me x-en apo y-grekun”.

Por mund dhe duhet të jemi më të orientuar se si t’i mësojmë fëmijët dhe se si të flasim edhe me nipërit apo mbesat. Sepse është njohuri e domosdoshme për jetën dhe për të cilën të gjithë duhet ta dinë si duhet dhe mundësisht ta bëjnë atëhere kur e ndjejnë dhe kur e ka kohën.

Se në të kundërt, kthehemi si ajo gjyshja e një anekdote ruse, që kur e pyeti e mbesa se nga kishte dalë, ajo i tha nga lulja. Duke qeshur vajza kishte nxituar t’ja theshte të vëllait, që gjyshja nuk e dinte se si bëheshin fëmijët. Ai ju përgjegj gjithë seriozitet: “Varja! Le të vdesë injorante!”

Friday, 20 March 2026

Kasapi

Ai priste mishin çdo ditë

Si do kishte dashur të copëzonte kujtimin e saj.

Ashtu sikundër fillimi dikur

Fundi po vononte,

Prekjet e indeve pareshtur

Zemrën ja kishin kthyer në gur.

Të bukura netët kishin qënë,

Pasi rrëzë librave pat studiuar

Grumbuj të tërë formula mbushur,

Dikush duke qeshur i pat thënë:

“Vështrimin ke vyshkur,

Një mëngjes do gdhihesh i rëgjuar!”

Më pas

Mes prekjesh kishte kuptuar,

Të tjera gishta mbi trupin e saj kishin shkelur.

Përmbysur

E dashurisë kështjellë,

Ngritur zemrës thellë

Në një të vetme javë ishte thërmuar.

Malet pat marrë,

Librat dhe syzet tej lënë

Asgjë nuk ja ngrohte më shpirtin

As të nxehtave ditë,

As zagushisë të netëve pa hënë.

Si në një rit japonez

Kishte mprehur thikën e gjatë

Në të parën shitore mishi pat hyrë

Majtas e djathtas nisi të priste

Castet e bukura,

Ditët plot puthje

Vitet e përkora

Netët e ngrysura në të ftohtën zyrë.

Nuk foli më.

Në anën tjetër të banakut shihte veç djaj.

Përsosmërisht indet i priste

Si donte të copëzonte kujtimin e saj.