DO ME KUJTOSH
Do më kujtosh
Sepse me furi hyra në festën e shtruar
Dhe çorra muret e kujtesës
I paftuar,
I padashur nga askush
As nga ti
Që zënë nën peshën e besës
Belbëzove:
"Nuk e di..."
E unë të shihja ngultas
Me sytë, që flakërronin nga ethja e marrë
E jo nga dashuria.
Betohesha ëndrrash të kisha parë,
Në gjelbërime fushash,
Vesë mëngjezesh
Në harlisje gëmushash.
E ndonëse s'më zure besë
Pranove edhe ti të shkoje shaluar,
Mbi atë hamshor të bardhë e fluturak
Të më falje buzë e duar,
Të kapërxeje dhe të fundit prag.
Ti,
Prej rruzullit tënd të largët
Ku tjetër gjuhë flasin të afërmit e tu,
Erdhe,
Në botën time jo të rrumbullt,
E gjunjë e bryje ndrydhe,
Thepave të mendjes së turbullt
E mbete sërish këtu.
Prej ku unë kam ikur,
Në hapësirën që gjithnjë ishte bosh,
E ti e vetme,
Lëkurë zbehur,
Fytyrëligur,
Dhe pa më dashur,
Do më kujtosh.
No comments:
Post a Comment