BANKA E DETIT TE ZI
Pranë Barit “5 Borigat”, ndodhej godina Qëndrore dhe e vetmja degë në qytet e Bankës se Detit të Zi. Askush, në fillim, nuk i kishte kushtuar vëmendje hapjes së gropës së madhe pranë lokalit në periferi, pasi kjo ishte gjëja më e zakonshme në Qytetin e Përbaltur. Hapej në fillim një gropë stërmadhe, rrethohej me fletë llamarinash të valëzuara, dhe pas 6 muajsh mbinte nje skelet shëmtaq prej betoni të armuar. Më pas skeleti mbushej me tulla dhe dritare duralumini dhe në fund, pasi suvatohej, ballkonet mbuloheshin me rroba të ndera.
Kalimtarët kalonin indiferentë pranë tabelës me pamjen e një ndërtese gjithë xham e metal, me mbishkrimin gërmëmadh “KORPUSI QENDROR I BANKES SE DETIT TE ZI”, dhe më poshtë Afati i përfundimit – 9 muaj. Se si ju dukej një bankë kaq larg qendrës së qytetit. Dhe pastaj e Detit të Zi…C’djall Banke mund te ishte kjo?! Pas asaj që kishin hequr nga shoqëritë e Shumëfishimit të Investimeve, një Bankë me një emër të tillë, të ngjallte frikën se dhe kursimet e fundit do shkonin në det, dhe për më tepër në cilin- në atë të Ziun. Vetëm një pijanec plak, vërtitej i gëzuar përgjatë rrethimit metalik dhe këndonte me zë të lartë një këngë të vjetër ruse, qeë mbaronte ”…çrnoje more maja..”. Si për të zhgënjyer dyshuesit, ndërtesa përfundoi pas 9 muajsh dhe ishte vërtet e hijshme. Bile në ndryshim me shumë të tjera, kishte edhe nje shesh parkimi prapa. Edhe gjelbërim. Gjelbërim që fillonte atje ku mbaronte balta e rrugës. Ishte e mbuluar me xham të errët dhe fletë metalike në ngjyrë të kaltër. Dukej tamam Bankë. Ndonëse e Detit të Zi.
Qytetaret kureshtarë nuk kishin arritur të merrnin vesh cilët ishin pronarët e Bankës, bile shumë pak shkruhej edhe në shtyp. Dihej vetëm, që 70 % e kapitalit ishte e huaj dhe 30% vendas. Kishte shumë thashetheme. Disa thonin se pjesa vendase i takonte ish-Ministrit të Rendit, të tjerë bënin be, që ishin kapot e klaneve të drogës, ndërsa një pjesë e vogël, me fantazi më të shthurrur, pëshpërisnin, se bëhej fjalë për organizatën terroriste “Drejtësia e Vonuar”. Veçse thashethemet nuk e pengonin bankën të vazhdonte veprimtarinë normale, dhe punonjësit e saj të pinin shpesh kafe tek “5 Borigat”.
Drejtori i Departamentit të Kredive u largua i pari nga bari. Kishte marë një mesazh nga sekretarja e Drejtorit të Përgjithshëm. E kërkonin urgjentisht. Hyri nxitimthi në holl dhe pa hequr pallton, ngjiti vrapthi shkallët, që të shpinin në zyrën e Drejtorit të Përgjithshëm. Pa trokitur, hyri në paradhomën e sekretares, lëshoi pallton mbi një nga ndenjëset dhe hyri duke kërkuar të falur për vonesën. Nuk kishte të tjerë në zyrë ndaj u ndje më i lirshëm. Drejtori i Pergjithshëm qëndronte më këmbë në mes të dhomës dhe ndiqte lajmet në kanalin 24/24.
- Hajde Ard- i foli anglisht- më përkthe, se nuk i kuptoj dot të gjitha.
Ardi u mundua të përqëndrohej në ato që thuheshin dhe filloji të përkthejë shpejt:
“……kur konsiderohej si një nga juristët më të mirë të së Drejtës Ndërkombëtare. Pas marjes të titullit Doktor i Filozofisë nga Universiteti i Miçiganit, punoi për dy vjet në Detroit, pranë firmës avokatore Spielberg dhe Borman. Gjatë gjithë kësaj periudhe ishte edhe konsulent juridik i Partisë Vjollcë dhe përfaqësues i saj në shumë veprimtari të Bashkimit Ndërkombëtar të Reformistëve. Në fillim të këtij viti u kthye në atdhe për të punuar për pergatitjen e Kongresit të Partisë dhe projekt-ligjin mbi pronat. Stafi i tij po punonte për një program të ri të Partisë, i një fryme tjetër, gjë që detyrimisht shpinte në kandidimin e tij për Kryetar. Nga sondazhet e pavarura, rezultonte politikani më i besuar në vend… Pas pak do rilidhemi me të dërguarin tonë në vendngjarje…”
- C’mendim ke Ard?
Ardian Bega u zu i papërgatitur nga pyetja. Nuk kuptoi nëse pyetej për krimin apo për Leon Gurazin.
-…Nuk di ç’të them. Ka shumë pak informacion për ç’ka ngjarë…
- E njihje Gurazin?
- Jo. Eshtë shumë më i madh se unë. Pastaj, ka vite që është jashtë…
- Po përdhunimi? C’kuptim ka në kulturën tuaj?
-…Përdhunimi?!! E ç’hyn kultura jonë këtu? Përdhunimi është përdhunim në çdo lloj kulture… Eshtë i pazakontë tek meshkujt dhe se kuptoj se si ka ndodhur… Duhet të kenë qënë disa vetë. Nuk ma merr mendja që Gurazi të jetë homoseksual… Më parë, ka qënë i njohur si qejfli femrash.
- Thua të bëhen zgjedhje të parakohshme?
- Nuk e di! Të presim.
- Më telefonuan nga Frankfurti. Aksionet nuk po rriten më.
Ardi ngriti supet dhe mendoi që aq i bënte për aksionet. Më shumë i trembej një revoltë në vend.
“….shumë lëvizje… Më shumë dallohen makinat e Zyrës së Përgjithshme të Hetimit, e cila si duket ka marë nën kontroll vendngjarjen… Eshtë e pamundur të shkëputesh ndonjë intervistë të shkurtër nga oficerët e ZPH-së… Nga larg kemi dalluar, që në Hotel ka hyrë dhe një punonjës i Ambasadës së SHBE-së, gjë që na bën te mendojmë se ka një lidhje të krimit me segmente të caktuara ndërkombëtare, ose ndoshta edhe me organizatat terroriste të Lindjes së Mesme…..”
- Po kjo ç’të jetë Ard?
- Edhe këta kishim mangut…
Tjetri nuk kuptoi nese Ardian Bega e kishte me Ambasaden e SHBE-se apo me organizatat terroriste.
- Po mar Ambasadoren. Ajo është gjithmonë e mirëinformuar.- shtoi sakaq Drejtori i Pergjithshëm dhe formoi numurin. Përtej flitej. E kërkoi edhe tre katër herë të tjera dhe pastaj hoqi dorë. Si dukej Ambasadorja e SHBE-së ishte përfshirë në një bisedë të gjatë.
“…përreth kordonit sa vjen e rritet. Dallojmë kolegët tanë, të të gjitha gazetave, radiove dhe kanaleve televizive… Qarkullojnë zëra, që në aeroport sapo kanë mbrritur edhe gazetarë të huaj si dhe disa ekipe xhirimi të kanaleve më prestigjioze … Nga ju në Studio mund të marim vesh më mirë nëse rrjetet televizive MMC dhe Al Xhevapi, kanë dhënë ndonjë njoftim për ç'ka ndodhur sot në mëngjes në hotel Adriana… Linja tek ju…”
-Më sill një raport të gjendjes së kreditimit. E dua shpejt.
-Mirë.
-Prit, shiko dhe këtë.
Në ekran dukej Selia e Kryeministrise dhe një tufë gazetarësh, që kishin rrethuar një makine luksoze, të errët. Prej saj doli rrëmbimthi Drejtori i Zyrës së Përgjithshme të Hetimit dhe duke hapur rrugën mes trupave të gazetarëve, nisi të ngjiste shkallët. Dëgjoheshin një mbi një pyetjet e gazetarëve dhe zëri i tij, që përsëriste: "...ju lutem mos më pengoni…ju lutem….Kur ndodhi? A mund të quhet akt terrorist?….ju lutem…Po fqinjët…ju lutem…ç’rol kanë?…Eshtë gjetur arma?…A ka pistë politike?…ju lutem….Të ndaluarit… ju lutem… cilët janë?… ju lutem…Eshte ngritur Grupi?… ju lutem..”.
Kishte arritur në shkallaren e fundit dhe befas u drejtua nga gazetarët: “Ju siguroj se do ketë një hetim shumë profesional… Ajo ç'ka ndodhur është tepër e rëndë dhe delikate… Po shkoj ti raportoj personalisht Kryeministrit. Eshtë ngritur Grupi i Hetimit me njerëzit më të përgatitur që kemi.” dhe vazhdoi drejt derës së madhe. Gazetarët e ndoqën edhe disa hapa duke lëshuar parreshtur pyetje, por ishte e kotë. Ai po kapërcente pragun e Kryeministrisë.
No comments:
Post a Comment