Tuesday, 8 November 2011

Esse per emrin dhe rolin e tij ne jete (vijim)

 Keshtu qe emri mbrojtes me solli nota te kollajshme, qe me nxirnin faqebardhe ne shtepi, por me rriti me shume se c'duhet besimin, gje qe me beri shpejt faqezi ne shkolle. I pari qe kuptoi rendesine qe kishte per jeten time emri, ishte nje mesues kimie dhe pianoje, i cili krejt rastesisht kishte nje hunde te madhe dhe ishte ne nje mehalle me mua. Sa here i jepja gojes ca me shume se mesatarja e llavazaneve, ai, pasi me kercenonte me hedhje acidi ne gjuhe( gje qe mua me pelqente se me kishin thene qe edhe uthulla acid ishte), imitonte mamane time, qe me therriste nga dritarja"Naumaaaq....Naumaaaaaaq....sille koken Naumaaaq!!" Sigurisht, edhe une nuk i lija kusur, dhe mbremjeve, nen shembullin e njesiteve guerrile, hidhja gure ne xhamet e shtepise se tij, bashke me nje shok debatikas. Bile shoku im arriti deri sa t'i kujtonte te bijes, qe i jati e kishte hunden jashte cdo standarti. Po kjo vinte, nga qe te dy ne ate kohe nuk kishim bere akoma anatomi dhe nuk dinim se c'ishte standarti per nje hunde Europiane dhe c'efekt kishte madhesia e saj ne organet e tjera. Kur u rrita, e kisha zili profesorin e piano-kimise dhe hunden e tij domethenese, por ne ate kohe, nuk kisha emigruar, dhe ne Shqiperi ishte heret per operacione plastike, nga  ato qe ketu i quajne "nose enlargement".
Per tu larguar nga hunda, qe te mos thoni se nuk shoh me larg se hunda hime, po i rikthehem historise se emrit, ose per ta quajtur me nje fjale, nommesele. Nje germe e vetme e emrit bente qe ne tre lende te merja dhjete pa mesuar fare. Germa e fundit, te cilet shume nuk kane deshire ta kene ne emrat e tyre, si germe porno, ose si jo patriotike sa duhet. Historikisht, iliret s'kane patur asnje emer qe fillonte me Q dhe keshtu vazhdoi edhe ne periudhen paleo-kristiane dhe me vone. Vetenm kur iku Gjoni i vogel ne mbreterine e Napolit dhe s'kishte me kush te na mbronte nga osmanet, filluan te hynin ne Shqiperi emrat me Q, si Qani, Qerim, Qamile, Qefsere, Qeramundin e ndonje tjeter. dikush mund te hidhet e te thote, po Qeti apo Qiriako pushtuesi turk e solli? Po edhe nese nuk i solli turku, i solli greku ne periudhen e Tanzimatit, kur bejlereve qe luftonin kunder Portes te Larte dhe donin te pagezoheshin diten e djele, ja u ndronte emrin ne Qiriako.
Me duket sikur e qullosa muhabetin dhe me humbi filli pse dola ne germa Q.....he po, nga suksesi ne Histori, Gjeografi dhe Edukate Morale e Qytetare. Keto lende ne 8-vjecare na i jepte nje mesuese qe kishte sindromin e germes XH, i panjohur ne Shqiperine Juglindore, por me disa raste ne ate te Mesme dhe te Veriut. Mesuesja ime e dashur, i shqiptonte XH, rreth 8 germa te alfabetit-D-ne, Gj-ne, Q-ne, ç-ne, vete Xh-ne dhe ca te tjera qe si mbaj mend mire. Nxenesit qe kishin nje nga keto germa ne emrin e tyre ishin te kenaqur se nuk i ngrinte thuajse kurre, kurse ata qe kishin dy ose me shume, ishin te lumtur se i pyeste nese ishin te kenaqur me dhjete apo e donin me yll. Ishin pese Gjergjit dhe Dudi, qe shqiptoheshin respektivisht Xherxhi dhe Xhuxhi. Ne shenje respekti dhe mirenjohjeje te gjithe te lumturit dhe te kenaqurit, e therrisnim me llagapin Xhografia. Asaj i pelqente pa mase. Ja se si mund te fitoje apo te digjeshe per nje Q ne ato kohe te erreta te Diktatures. Po te ishte emri im teper patriotik si Ilir, Arben ose Jamarber, ne tre lende mund te isha pakalues(mbetes tingellon si loser dhe nuk me pelqen se me therrasin tani.) Megjithate, duhet thene, qe jo cdo gje shkonte ne vaj. Psh ne vitin e pare te gjimnazit, sekretari i Partise e kuptoi forcen e emrit tim(Partia i zbulonte gjithnje e para, se kishte force mendimi depertues)dhe nuk mu drejtua me me emer. Nje mengjes te hene, kur kishin mbyllur dyert per ata qe nuk arriten ne kohe ne informacionin politik, kur nga maja e shkalleve shikonte se cilet ishin dizinformuesit me thirri "U u ...kush u fshehka aty prapaaaa!He, qenka Mara nje bicimacok, qe bashke me disa shoket e tij, do t'i kundervihet pjeses se shendoshe te organizates se Rinise!" Ishte e vertete, pjesa e bicimakcokut po jo e kundervenies, se une isha viktime e nje plani djallezor te shokut me emer iliro-patriotik, Arben, qe per qellime thjesht personale, donte te rrezonte nga drejtimi i Rinise se klases, Vjollcan e Tasit. Pra isha zene mes lojerash politike te medha, shume te medha per fuqite dhe shpatullat e mia prej macoku.
Jo te njejten fuqi mendore zhbiruese si te sekretarit, kishte drejtori pardesytundes(me eshte fiksuar qe ai mbante pardesy dimer behar) nga Melesini i Leskovikut. Sic nuk ja theshte te gjitha Enveri Mehmetit, edhe sekretari i partise Lubonjak nuk ja kishte thene te plote sekretin Melesinakut. Ky i fundit arriti deri ne perdorimin e dyfjaleshit Naumaqmara. "Po nuk do te te leme NE ty o Naumaqmara te livadhisesh!" ose "Ja qendrimi yt o Naumaqmara , Ja dhe materialet e Partise. Ballafaqohu!" ishte nje refren i lezecem ne vitet e gjimnazit, i cili kur kendohej ne zyren e drejtorit me irritonte, por kur thuhej neper korridore me gezonte se me vinte ne qender te vemendjes. E c'mund te kerkoje me shume nje adoleshent, se armiqesise dhe debateve permanente me drejtorin e shkolles. Pas cdo debati ne publik, hormonet perkatese nuk permbaheshin dhe perfundoja ne ndjekje-kerkimin e ndonje gjimnazisteje, qe pas hapave te shpejtuara dhe kapjes per menge, fillonte me fjale magjiket"Me fal nje minute." Asnjehere nuk me thane "te kam dhj... mu ne me fal dhe mu ne minute", por asnje fytyre e skuqur dhe e sikletosur nuk me buzeqeshi. Pas disa citateve permendesh"po te ishte qielli karte..." ose "kur shoh syte e tu sikur kam pare tere boten", gjimnazistet m'i linin pendet dhe i rene shpirterisht, por jo i demoralizuar, shkoja i ankohesha nje shoku te sukseshem nga gjimnazi tjeter, i cili me kishte dhene citatet, por jo menyren e te thenit, e cila i bente vajzat "te binin dek".
(vijon)

No comments:

Post a Comment